SARANDE – Në ditën e Shën Marisë, përurohet kisha e Shën Harallambit në Sarandë, me pjesëmarrjen e Janullatosit. Në meshën e 15 gushtit, paraditen e së hënës, në kishën e Shën Harallambit në qytetin e Sarandës merrte pjesë edhe kryepeshkopi i Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, fortlumturia e tij Anastas Janullatos. Edhe pse kisha ortodokse në qendër të Sarandës është e ndërtuar prej 20 vitesh, kleri i saj e ka cilësuar “përurim” ceremoninë e djeshme. Këtë e ka lidhur me praninë e kryepeshkopit Janullatos në këtë kishë, për herë të parë që nga emërimi i tij. Me këtë rast është cilësuar si “përurim” prekja e kishës nga Janullatos dhe ceremonia e djeshme, e cila merrte shkas nga dita e Shën Mërisë. Kryepeshkopi i Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, fortlumturia e tij Anastas Janullatos, në praninë edhe të besimtarëve të shumtë, ka drejtuar meshën e dhënë me këtë rast, në ditën dedikuar Shën Mërisë. Të pranishëm në këtë meshë kanë qenë edhe kryetari i Bashkisë së Sarandës, Stefan Çipa, nënprefekti i Sarandës, Gjergji Mano, kryetari i organizatës “Omonia”, Vasil Bollano e autoritete të tjera vendore. Vetë Janullatos nuk ka dhënë asnjë koment mbi ceremoninë, duke u larguar menjëherë më pas. Një vit më parë, në ditën e Shën Mërisë, kryepeshkopi Janullatos përuroi investimin për ujin prej 400 mijë eurosh në fshatin Dhrovjan. sh.d











