
TIRANE – Një 36-vjeçar që u kishte shpëtuar prangave të policisë prej 20 vitesh për një vrasje të kryer kur ishte vetëm 16 vjeç, është vënë në pranga nga policia e Tiranës. Elvin Osmanaj është dënuar për vrasjen me thikë të bashkëmoshatarit të tij, Shpëtim Dapi, në vitin 1992, pas një konflikti për një vajzë. Shërbimet e Komisariatit Nr. 3 kanë mundësuar kapjen e Elvin Osmanajt, i cili përdorte emrin e rremë Ervin Muja. Madje, me një pasaportë të falsifikuar me këtë emër, ai kishte jetuar në arrati prej 20 vitesh në Itali, nga ku ishte kthyer vetëm prej disa ditësh. Ngjarja për të cilën Osmanaj është dënuar me 9 vite burg ka ndodhur në rrugën “Thanas Ziko”, më 14 maj të vitit 1992. Osmanaj, në atë kohë 16 vjeç, është grindur me bashkëmoshatarin Shpëtim Dapi, i cili i ka kërkuar që të mos shkonte më te lagjja e tij, pasi ishte bërë problem duke ngacmuar vajzat e lagjes. Në grindje e sipër Osmanaj e ka qëlluar për vdekje me thikë bashkëmoshatarin. Ngjarja në atë kohë u arkivua si pa autor dhe vetëm në vitin 2008 Policia e Tiranës rihapi dosjen. Edhe pse kishin kaluar 16 vjet, Policia mundi të dokumentonte dhe provonte autorësinë e krimit, duke referuar dosjen në Prokurori. Osmanaj u gjykua dhe u dënua në mungesë në vitin 2008, ku për shkak të moshës së mitur që kishte në momentin e krimit, u dënua vetëm me 9 vite burg. Identifikimi i tij u krye në ambientet e Komisariatit Nr. 3, ku ishte thirrur për verifikim nga Policia.











