Pas 160 vjetësh, drejton një grua

Jun 5, 2011 | 12:18

Thyhet miti i burrave në “New York Times”. Një grua ngjitet për herë të parë në drejtimin e një prej të përditshmeve më të njohura amerikane me 160 vjet histori mbi shpinë. Ajo është Jill Abramson, 57 vjeç, me dy fëmijë, gazetare e njohur, e cila do të zëvendësojë Bill Keller, që do të lërë gazetarinë për t’iu përkushtuar shkrimtarisë me kohë të plotë. Abramson do të nisë detyrën e saj në 6 shtator. Lajmi u dha të enjten nga botuesi i gazetës Arthur Sulzberger Junior. “Pa dyshim që Jill është personi i duhur për të zëvendësuar Bill. Është zgjedhja perfekte për të drejtuar evolucionin e gazetës në një platformë mediatike multimediale”, është shprehur Sulzberger, duke shtuar se ka pranuar dorëheqjen e Keller me trishtim. Mbështetjen ndaj drejtoreshës së re e shpreh edhe ish-drejtori Keller. “Jill është një garanci. Ajo ka qenë në krahun tim për të mbajtur lartë emrin e “Times”, gjatë këtyre kohëve të trazuara për të gjithë sektorin”.
Jill Abramson, e cila e ka quajtur gazetarinë si realizimin e një ëndrre, ka nisur të punojë për “New York Times” qysh prej vitit 1997. Asokohe ajo punonte si gazetare investigative për “Wall Street Journal”. Përpara se të bëhej një nga dy zëvendësit e Keller-it, ajo ishte korrespondente nga Washingtoni. Emërimi i saj si drejtuese e “New York Times” shënon mbi të gjitha thyerjen e një tradite të gjatë, e cila njeh në pozicionet drejtuese vetëm burra, të cilët “bliheshin” nga redaksi të tjera. Në vend të saj do të kalojë Dean Baquet, 54 vjeç, i cili aktualisht është korrespondent i kryeqytetit amerikan dhe ka qenë drejtor i “Los Angeles Times”.

© Panorama.al

Te lidhura