Partia e Topit, nesër zyrtarizmimi i FRD

Apr 29, 2012 | 11:45

Fryma e Re Demokratike do të shpallet nesër zyrtarisht. Tashmë kanë përfunduar të gjitha përgatitjet, përfshi këtu godinën ku do të punohet, faqen në Facebook dhe Komisionin Nismëtar. Në një njoftim të hedhur në faqen në rrjetin social thuhet se shpallja e saj zyrtare do të bëhet nesër në orën 12:00 në pallatin e “Kasmëve”, fare pranë godinës së Partisë Demokratike. “Është ngritur në Tiranë komisioni nismëtar për krijimin e Partisë Fryma e Re Demokratike. Ky komision kryesohet nga deputeti Gazmend Oketa dhe ka për qëllim të bëjë përgatitjet e nevojshme që do të finalizohen me zyrtarizimin e Partisë Fryma e Re Demokratike. Opinioni publik do të njihet hap pas hapi me kalendarin e këtyre përgatitjeve. Veprimtaria e këtij komisioni përfundon me mbledhjen e Kuvendit themelues të partisë”, thuhet në njoftimin në Facebook. Sipas themeluesve të kësaj partie, “veprimtaria e komisionit nismëtar do të përbëhet nga një fushatë e hapur dhe intensive dialogu me mbarë shoqërinë shqiptare, me synim identifikimin e problemeve reale të funksionimit të demokracisë, kohezionit të shoqërisë, të ekonomisë, të arsimit, të shëndetësisë, të kulturës, të sportit. Në bashkëpunim të ngushtë me forcat më vitale dhe më të kualifikuara të shoqërisë, veçanërisht me rininë, do të përcaktohen zgjidhjet më të përshtatshme”. Rezultatet e këtij dialogu do të pasqyrohen në programin afatgjatë të partisë si dhe me programin elektoral me të cilin FRD do të paraqitet para elektoratit shqiptar më 2013-n.

© Panorama.al

Te lidhura