
Reagim i ashpër ka ardhur nga mediat greke lidhur me atë çfarë ka ndodhur në stadiumin e Korçës, ku u luajt ndeshja mes Skëndërbeut dhe Apoel Nikosias së Qipros. Tifozët korçarë kanë hedhur në stadium një parrullë ku shkruhej “Qiproja është Turqi”, ndërsa kanë valëvitur flamur shqiptar dhe turk së bashku.
E përditshmë, “Prothema” shkruan se tifozët e Skëndërbeut i përshëndetën mbështetësit qipriotë dhe lojtarët e Apoelit, me një parrullë ku shkruhej “Qiproja është Turqi”, ndërsa futbollistët qipriotë kishin hyrë në fushë me një shirit të zi, në nderim të viktimave të tragjedisë së bazës detare “Evengelos Florakis”. Ata nuk u kanë besuar syve kur kanë parë parrulla dhe flamuj turq duke u tundur në stadiumin shqiptar. Gazeta e ka qujatur këtë një pritje brutale të miqve.
Më tej në shkrim thuhet se Apoel e zgjidhi lehtësisht ndeshjen me një fitore të pastër 2-0, ndërsa paralajmëron se Federata Qipriote e Futbollit pritet të mbajë një qëndrim të ashpër rreth veprimeve provokative të shqiptarëve.
Ndërkohë mediat greke nuk citojnë, kundërpërgjigjen e tifozëve qipriotë të cilët shpalosën në stadium flamuj të të ashtuquajturi “Vorio Epir”











