
“E njeh ndokush këtë burrin këtu? Mos ndokush gjen veten mes këtyre fëmijëve…E dini… këtë djalin që luan pingpong e quajnë Fredi, sot është në Greqi… këta të tjerët nuk jetojnë më…”. Pas 21 vjetësh, qëkur vizitoi për herë të parë Shqipërinë, fotografi britanik, Martin Parr, po përballet me vende, portrete, të njohura dhe të panjohura. “E para gjë që do bëj është të identifikoj vendet se ku kam bërë këto foto”, thotë fotografi, një nga më rëndësishmit e kohës sonë, i cili dje ndodhej në Tiranë për të hapur ekspozitën e tij me tri cikle në Galerinë Kombëtare të Arteve. Një prej cikleve titullohet “Albania 1990”, ku Parr na tregon një epokë jo shumë të largët, por shumë të ndryshme nga sot. Nën “maskën” e një arkeologu, ai fiksoi ç’mundi nga ajo vizitë në vendin ende komunist. Cikli i dytë titullohet “Botë e vogël” dhe i dedikohet turizmit, njërës prej industrive më të mëdha në botë, ku hasen edhe kontradiktat më të mëdha. Ndërsa cikli tjetër titullohet “Gjykim i shëndoshë”, dedikuar konsumizmit. Një botë plot ngjyra, pas së cilës fshihet edhe një depresion i thellë. “Andej keni komunizmin, këtej kapitalizmin… Zgjidhni”, iu drejtua dje Parr, gazetarëve dhe vizitorëve të ekspozitës së tij. Përpara hapjes për publikun, Parr ofroi një guidë nga njëra foto në tjetrën, duke treguar historinë e secilës.
Keni qenë këtu 21 vjet më parë, na tregoni pak për këtë aventurë shqiptare…

Pas rënies së Murit të Berlinit në vitin 1989, u bë e mundur edhe ardhja në Shqipëri në vitin 1990. Ishte vizita e parë në këtë vend, në kuadrin e një turi arkeologjik, por në fund doli se nga 14 vetë që kishim ardhur, 12 ishin gazetarë. Programi përmbante vizita nëpër site arkeologjike, por asnjëri prej nesh nuk ishte i interesuar për t’i parë ato, por se çfarë po ndodhte në këtë vend të mbyllur komunist. Rrinim në Hotel Tirana dhe udhëtonim drejt qendrave arkeologjike. Meqenëse turi niste në orën 9.00, çohesha qysh në orën 6.00 në mëngjes dhe dilja për të fotografuar. Pra, kisha 3 orë kohë, ndërsa shfrytëzoja edhe kohën pasi ktheheshim. Në fakt, për këdo që më shihte ishte pak e çuditshme që të çoheshe që me natë e të bëje fotografi. Madje, më ndodhi që një mëngjes edhe më arrestuan, por meqë s’dinin ç’të bënin me mua, më lëshuan prapë. Pranë na qëndronin edhe disa njerëz të qeverisë, të cilët kujdeseshin për ne dhe ju e dini fare mirë se cili mund të ishte interesi i tyre. Teksa udhëtonim, pashë një tabelë rrugore që tregonte Qytetin Stalin dhe ne të gjithë donim të shkonim atje, por njerëzit që na shoqëronin nuk na lejuan, duke na thënë se arsyeja pse ne kishim ardhur ishin sitet arkeologjike. Në vitin 1996 erdha sërish në Shqipëri dhe vendi kishte ndryshuar jashtëzakonisht shumë në krahasim me vitin 1990. Nuk kam parë asnjë vend tjetër në botë që të ndryshojë me kaq shpejtësi dhe në mënyrë kaq dramatike sa Shqipëria. Kanë ndodhur ndryshime edhe në vende të tjera ish-komuniste, por jo si këtu.
Si u ndjetë në këtë realitet kaq të ndryshëm nga juaji?
Është si të ecësh në një skenar filmi. Imagjinoni sikur të jeni në një shesh xhirimi e të shihni realizimin e një filmi që merr shkas nga e shkuara. Unë erdha nga Europa Perëndimore që është mjaft e zhvilluar dhe m’u duk se po kthehesha pas, në Europën e viteve ’50.
E imagjinonit kështu, kishit dëgjuar më parë për Shqipërinë?
Pak a shumë… Sepse ne kishim parë fotografi të Shqipërisë apo vendeve të tjera komuniste të Europës Lindore.
Paksa statike fotot tuaja, kjo ishte dhe ndjesia që ju krijonte ky vend?
Përgjithësisht ndodh, që kur del të bësh fotografi, njerëzit të shohin, të fiksojnë. Ajo që unë doja të bëja, ishte të fiksoja njerëz pa e pasur mendjen. Jeta ishte shumë më e qetë atëherë. Nuk ishte e çmendur dhe në vrapim siç është tani. Le të themi që njerëzit ishin të ngeshëm.
Jeni fokusuar më shumë tek portretet sesa tek qytetet…
Njerëzit janë më të rëndësishëm se ndërtesat. Njerëzit janë gjithçka.
Patët mundësi të komunikonit me njerëz?
Gjirokastra ishte i vetmi vend ku pamë një lloj ndershmërie. Kur i pyesje njerëzit se nëse ishin të lumtur, nëse ishin të kënaqur me regjimin, të gjithë përgjigjeshin se ishin shumë mirë, ishin një popull shumë i lumtur. Por në mënyrë mjaft ironike, njerëzit në vendin e lindjes së diktatorit tashmë ishin gati që të pranonin se jo gjithçka ishte perfekte. Ndoshta ata shkonin në shtëpi, kthenin një gotë raki dhe kjo i ndihmonte që të thoshin të vërtetën dhe të pranonin se këtu kishte probleme. Dhe, në shkrimet tona, ne i referoheshim këtij diskutimi, por nuk i thoshim emrat, sepse frika nga qeveria, nga regjimi, ishte shumë e fortë në atë kohë. Është interesante, sepse ndoshta na duket se jemi kaq pranë me vite, por gjithashtu na duket sikur vijmë nga një epokë tjetër.
Pak më parë na treguat për një incident tragjikomik, atë të arrestimit tuaj ndërsa fotografonit. Ç’ndodhi?
Më morën dhe më futën në një makinë, por askush nuk dinte të fliste anglisht dhe ishte një situatë shumë konfuze për të gjithë. Çfarë të bënin me këtë djalë anglez që bën fotografi që në orën 6 të mëngjesit? Nuk më mbajtën dhe më kthyen në hotel. Mbase mund të më kishin futur në burg, por do të ishte kthyer në një incident diplomatik.
Po sot, çfarë do të fotografonit në Shqipëri?
Tani do të fotografoja ndikimin perëndimor në jetët tuaja, sepse ju jeni amerikanizuar jashtë mase, ashtu si edhe vende të tjera. Por unë nuk do ta bëj këtë, sepse do të duhej kohë dhe nuk kam në dispozicion, prandaj nuk ia vlen ta bësh keq. Do të më duhej të paktën një javë.
ALMA MILE
© Panorama.al











