Kuvendi miraton ndryshimet në ligjin për sigurimet shoqërore e shëndetësore. Kalon dhe hipotekimi i pallateve.
Marrëveshjet e huave për rrugët marrin 127 vota, opozita voton pro.
Partia Demokratike humb shumicën në Parlament dhe si rrallë më parë, ka zbritur në 67 kartonë jeshilë, gjatë votimit të projektligjit për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore. Maxhoranca ka shënuar rrjedhje të mëdha votash, për shkak të mungesave të figurave kryesore të së djathtës. Dje në Kuvend ka munguar Kryeministri Sali Berisha, i cili ndodhej në vizitë zyrtarë në Azerbajxhan. Një tjetër mungese që ndikoi dhe në tkurrjen e numrave, ishte dhe ajo e kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila zhvilloi një vizitë treditore në Gjermani, së bashku me deputetët e PD-së, Fatos Beja dhe Mesila Doda. Mungesë që ra në sy ishte dhe ajo e ministres së Integrimit, Majlinda Bregu, ajo e kryetarit të Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali dhe deputetit demokrat Gazmend Oketa. Numrin tetë të votave të munguara në Kuvend e shënoi dhe aleati kryesor i maxhorancës, kreu i LSI-së, Ilir Meta, i cili në sallë u përfaqësua vetëm nga deputetët e tij Vangjel Tavo, Lefter Koka dhe Nasip Naço. Seanca e Kuvendit gjatë votimit u shoqërua dhe me një votë abstenuese të deputetit të çregjistruar nga grupi i PS-së, Kastriot Islami, që kësaj herë nuk votoi pro të djathtës për dy projektligjet, atë të sigurimeve shoqërore dhe ligjit të hipotekave.
Ligjet e votuara
Maxhoranca dhe opozita, pas debateve që zgjatën rreth 6 orë, kanë bashkuar votat për miratimin e dy huave, asaj me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për financimin e projektit të Bypass-ve të rrugës së Fierit dhe Vlorës dhe për projektligjin “ratifikimit të huas, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Shqipërisë dhe Fondit për Zhvillim ‘Abu Dhabi’, për financimin e projektit të rrugës Tiranë-Elbasan”. Nismat në fjalë kanë marrë një shumicë të cilësuar, duke arritur deri në 127 votash pro dhe asnjë kundër. Por, konsensusi nuk ka vazhduar deri në fund, maxhroanca dhe opozita janë ndarë për dy nismat ligjore, ajo e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, gjithashtu dhe drafti për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve në ndërtim. Këto dy ligje kanë marrë një shumicë të thjeshtë votash, përkatësisht ligji i sigurimeve, i miratuar me 67 vota pro e 59 kundër dhe një votë abstenim. Ndërsa projektligji i kontrollit të ndërtimeve pa pronar është miratuar me 68 vota pro dhe 57 kundër të opozitës. Nënkryetari i Grupit të PS-së, Eduard Shalsi, e ka cilësuar projektligjin për disiplinimin e punimeve në ndërtim si një ligj që votohet për interesa personale. Shalsi kërkoi që nisma të tërhiqet dhe t’i nënshtrohet një ekspertize të re. Por, për ministrin Olldashi, ligji në fjalë do t’i mundësojë qindra familjeve në Tiranë marrjen e hipotekës së banesave të tyre, e cila ka mbetur pezul për shkak të falimentimit të ndërtuesit. Në ligj është parashikuar një afat 3-vjeçar për kolaudimin teknik të ndërtesës dhe në rast se investitori ka shpallur falimentin, atëherë ngarkohet njësia e qeverisjes vendore për të kryer procesin e kolaudimit teknik dhe me pas regjistrimin e banesës në ZRPP.
Debatet në Kuvend
Erjon Braçe: Banaliteti i këtij projektligji shkon deri te punëtorët e shtëpisë apo bebisiter. Jam interesuar, dhe në të gjithë Shqipërinë rezulton se janë 20 bebisiter të regjistruara, punëtore shtëpie. Kur këtu, në Kuvendin e Shqipërisë, ka deputetë që mbajnë në shtëpi punëtore jo të Shqipërisë, por punëtore filipinase. Është njëra këtu që mban dy filipinase në shtëpi, një për fëmijën dhe një për t’i bërë masazh nga mëngjesi deri në darkë.
Ridvan Bode: Skema e sistemit të pensioneve kërkon votat e më shumë se një maxhorancë të thjeshtë, kërkon 2/3-tat e votave. Zotërinj, atë që thatë këtu nuk e keni seriozisht, ju nuk jeni për reformën e pensioneve. Ju nuk doni të mbështesni një reformë moderne pensionesh. Ju nuk doni modernizimin e deklarimit të pagave në mënyrë elektronike. Ju jeni për modelin e kopjativit të shkresave. Dhe po ju them që nuk bëhet me kopjativ, por bëhet me informatikë. Kaq është ligji sot. Nuk e keni me sistemin, nuk e keni me ligji dhe reformën, ju doni karbonin, sepse kërkoni të mbani peng një reformë thelbësore.
Ilir Bejtja: Doja të bëja një pyetje. A keni ndonjë ngrohës nga këmbët andej nga ana juaj, se në ngrimë këtej? Salla është tmerrësisht e ftohtë. Mos harroni që ka dhe gra që janë me funde dhe që normalisht kanë më shumë ftohtë se ne.
Arben Ahmetaj: Zoti ministër, a mendoni se çfarë ndodh me të një milion të papunët nesër në moshë madhore? Shumë prej tyre do ta arrijnë moshën madhore në dhjetëvjeçarin që vjen. Cila është zgjidhja juaj? Të enden si refugjatë në vend të tyre, të enden si të huaj në atdheun e tyre, sepse sistemi që t’i refuzon ta reformosh nuk është shëndetshmërisht funksional që t’i shërbente të gjithëve.
Ridvan Bode: Një milion të papunë ka Shqipëria, thotë kolegu. Sa po u bë censusi i popullsisë. U deklaruan 2 milionë e 900 mijë shtetas. Deklarohet se 1 milion e 650 mijë janë të regjistruar dhe paguajnë kontribute. Mbeten të papërfshirë në këtë llogari 2 milionë banorë. 600 mijë banorë janë pensionistë. 120 mijë janë të paaftë, që i paguajmë me fondet e paaftësisë në punë. 180 mijë janë studentë të publikut dhe privatit. 250 mijë janë nxënës shkollash. Ja që numri i të papunëve zbret nga 1 milion që deklaron opozita, por aq sa thotë Banka Botërore, FMN-ja, INSTAT-i, 187 mijë të papunë.
Kontrolli dhe disiplinimi i punimeve të ndërtimit
Sokol Olldashi: Ligji “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit” parashikon rastet kur investitori që ka ndërtuar objektin është larguar ose kur shoqëria tregtare ka falimentuar, është likuiduar e është çregjistruar nga regjistri tregtar apo nuk ka kryer kolaudimin e objektit pa shkaqe të vlefshme ligjore, atëherë procedurat në vazhdim do të ndiqen nga njësia përkatëse e qeverisjes vendore, e cila do të caktojë një kolaudator të licencuar për përgatitjen e procesverbalit të kolaudimit. Në Tiranë janë qindra familje që vuajnë nga ky problem, rast konkret mund të marrim pallatet e El Saedit.
Eduard Shalsi: Besoja se shumë nga ju do të mund të reflektonit dhe të kuptonit se është një ligj që nuk e zgjidh dhe i paplotë, i paaplikueshëm. Ministri solli një shembull të një biznesmeni që nuk jeton më. Ndërkohë që dua t’i them ministrit që arsyeja sepse ai pallat nuk është hipotekuar nuk është sepse investitori është larguar nga kjo botë, por sepse objekti ka qenë me shkelje.
Eduard Halimi: Shembulli me i keq që mund të paraqisni përpara votuesve tuaj. U hodh ish-nënkryetari i Bashkisë dhe i tha qindra e qindra familjeve që nuk u japim hipotekat. Të gjithë kryetarët e bashkive, qoftë dhe ai i Tiranës, e lidhin problemin jo me zgjidhjen e hallit të qytetarëve, por e lidhim me ndërtuesit dhe ndaj kanë mbetur pa u hipotekuar.
Ndryshimi i ri
Ligji për “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit” ka pësuar disa ndryshime nga deputeti i Partisë Demokratike, Salami Xhepa. Me ndryshimet e reja parashikohet që kalimi i kompetencës nga investitori te pushteti vendor për kryerjen e kolaudimit teknik do të bëhet edhe në rastet kur ndërtuesi rezulton të jetë jo aktiv në përfundimin e pallatit. Me kalimin e kësaj kompetence, pushtetit vendor i lihet një afat prej 60 ditësh nga nisja e procesit të kolaudimit teknik për të bërë regjistrimin pranë ZRPP-së.
Imuniteti
Sekretari i Grupit Parlamentar socialist, Taulant Balla, gjatë fjalës së mbajtur dje në Kuvend i ka kërkuar Kryeministrit të dorëzojë imunitetin për të dëshmuar lidhur me vrasjet e katër protestuesve më 21 janar. “Raporti i vetë strukturës së SHKB-së të Policisë së Shtetit akuzon për urdhër-dhënie të qëllimshme për të qëlluar mbi protestuesit e paarmatosur dy drejtuesit e operacionit shtetëror “vrasja e opozitës më 21 janar”: Sali Berishën dhe Lulzim Bashën”, pohoi Balla.
FATION BINJAKU
© Panorama.al











