Deri më sot s’kam dëgjuar ndonjë diskutant që të jetë kundër ndërtimit të Parlamentit të ri, pavarësisht nga hesapet veresie të ndonjërit. Ndërtimi i tij është sa i nevojshëm për prestigjin e kombit, aq dhe i padiskutueshëm. Sigurimi i fondeve është problem i shtetit si investitor dhe po të nisemi me mentalitetin e “gjysmës së gotës bosh”, s’do të ndërtoheshin as Rruga e Kombit, as infrastruktura rrugore kombëtare e s’do të asfaltoheshin as rrugët rurale që janë për t’u pasur zili, dhe as ndërtimet e reja kudo. Pra, do të rrinim në vend si qaramanë e do të prisnim kur të vinin paratë nga qielli. Për të qenë shtetar i mirë duhet të jesh reformator i guximshëm, të nxirësh zhvillimin bashkëkohor duke rritur mirëqenien dhe lartësuar personalitetin kombëtar. Iniciativa për ndërtimin e Parlamentit të ri duhet përshëndetur, pasi ka vlera kombëtare për të pasur një altar dinjitoz e përfaqësues të Shqipërisë, ashtu sikurse e kanë gjithë vendet e tjera. Kjo nismë, me sa di, ka filluar që në kohën e zotit Pëllumbi dhe shpresoj dhe uroj të finalizohet me zonjën Topalli. Pra, s’kemi të bëjmë me një iniciativë private apo ndërmarrje të majtë apo të djathtë, por me iniciativë me interesa të prestigjit kombëtar. Por kjo shpesh me dashakeqësi është përdorur sikur zonja Topalli do të ndërtojë shtëpinë e saj. Pasioni dhe dëshira për të bërë një punë dinjitoze të jep kënaqësinë kur e arrin atë dhe euforizmi në këtë rast është kënaqësi e ligjshme që i bën dhe të tjerët ta shijojnë këtë sadisfaksion të punës tënde apo dhe të grupit me optimizëm dhe po në atë mënyrë. Po, tek e fundit, “shihi punën dhe jo gunën”, thotë populli. E vetmja gjë që nuk justifikohet në këtë konkurs është mosangazhimi i potencialit shqiptar në fushën e urbanistikës dhe arkitekturës, si në pjesëmarrje, ashtu dhe në juri. Shqipëria, për ndërtimet e saj i ka këto potenciale si brenda, dhe jashtë saj. Ndërtuesit shqiptarë e kanë projektuar dhe ndërtuar Shqipërinë dhe, krahasuar me vendet e tjera, i kanë jo minimalisht aftësitë për të marrë pjesë, pse jo, edhe për të fituar, në këto konkurse e për të dhënë mendimin e tyre me vlerë dhe kontributin e tyre në juritë seleksionuese si përfaqësues dhe si njohës të mirë të rrethanave specifike të vendit. E padiskutueshme kjo kur bëhet fjalë për vepra të tilla me karakter kombëtar. Mendoj se në këto raste investitorëve, në rastin konkret politikës, u mungojnë këshilltarët e vëmendshëm në këto fusha për të organizuar dhe argumentuar drejt si dhe për të informuar me argumente shkencore e logjike profesionalisht opinionin publik, pavarësisht se ky i fundit nuk ka vendimmarrje, por të paktën nuk do të spekulohej me të sikurse po bëhet.
Në analizën time, i gjithë ky diskutim për vendosjen e Parlamentit të ri vjen si rezultat i mungesës së planit urbanistik të Tiranës, i cili do të përcaktonte me ekzaktësi zona e institucioneve administrative kombëtare, si dhe mosangazhimit për të bërë një studim e analizë profesionale të qendrës administrative të institucioneve kombëtare ekzistuese të Tiranës si kryeqytet. Nëse do të ishte ky studim i argumentuar, edhe diskutime nuk do të kishte. Politika duhet të vendosë, por gjithnjë mbi studime dhe argumentime profesionale.
Qendra e Tiranës dhe zona administrative e institucioneve kombëtare të Shqipërisë, e cila fillon te hotel “Tirana” dhe mbaron te Universiteti, në dy krahët e bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, tashmë është e përcaktuar dhe nuk do të lëvizte asnjë plan rregullues. Vetë Parlamenti, si ndërtesë administrative e ka vendin në këtë zonë dhe për rëndësinë e veçantë që merr si altar i kombit, i takon dhe vendi kryesor. Kjo zonë dhe ndërtesat që ndodhen në të s’ka pse të jenë nën juridiksionin e Bashkisë së Tiranës. Pretendimi se në këtë zonë duhet të japë miratimin pushteti lokal, pasi ndryshe cenohet pavarësia e tij, është i pakuptimtë, pasi i heq pavarësinë pushtetit qendror për të vendosur dhe administruar zonën e tij ku është dhe investitor.
Nëse analizojmë zonën administrative shtetërore, si zonë me institucione kombëtare, shohim që me përjashtim të dy kullave të biznesit përballë Kryeministrisë, të gjitha objektet e tjera, që nga Muzeu Kombëtar dhe Teatri Kombëtar i Operas e Baletit e deri te godina e Universitetit, janë në funksionin e zonës, përfshirë këtu dhe Piramidën, në rast se do ta quanim objekt muzeal, Galerinë e Arteve, Institutin e Arteve, Universitetin, Muzeun Arkeologjik, institucionet e administratës shtetërore apo dhe hoteleritë në funksion të saj.
Duke zgjeruar lupën e shikimit deri te Rruga e Elbasanit, do të shohim që inkludohet dhe namazgjaja me sallën ekzistuese të Parlamentit si dhe Kisha Katolike dhe ish-Shtëpia e Oficerëve.
Parcelë të lirë në këtë zonë nuk ka. Logjikisht duhet të analizohen objektet ekzistuese për t’i bërë vend këtij institucioni të rëndësishëm.
Të thuash që Parlamenti i ri nuk duhet këtu apo atje, është e lehtë dhe opozitë naive që i bëhet problemit. Nëse kundërshton një opinion apo vendim, duhet argumentuar dhe dhënë dhe alternativë.
Shumë ndërtues, në diskutimin e tyre thonë se si ndërtues nuk janë për prishje, por vetëm për ndërtim. Kjo nuk është e vërtetë, pasi të gjitha ndërtimet e reja në Tiranë e kudo janë mbi troje ku ndërtesat ekzistuese u prishën në marrëveshje me pronarët. Në rastin konkret, pronar është shteti dhe është dakord të prishë diku për të ndërtuar Parlamentin e ri, në mungesë të një parcele bosh të përshtatshme.
Do të theksoja për kolegët e mi se një nga postulatet e arkitekturës për projektuesit dhe ndërtuesit, thotë: “Prish për të ndërtuar më mirë e më bukur, por mos ndërto për të shkatërruar e shëmtuar”. Këtë çdo ndërtues e projektues e zbaton në praktikën e përditshme të punës së tij. Këtë duhet ta ketë në mendje të ngulitur fort dhe çdo pushtetar që merr vendime për ndërtime sot, për mos t’u gjykuar keq nesër.
Le të vazhdojmë me logjikën e analizës së objekteve ekzistuese. Pa e zgjatur, për mendimin tim, do të ishin këto mundësi për vendosjen e Parlamentit të ri:
1. Godina e Universitetit që e ka vendin në kompleksin e ri universitar, duke ruajtur apo stilizuar fasadën kryesore. Ndërtesë me vlera simbolike, por që ka shfaqur shenja të amortizimit konstruktiv që në vitet ‘70. Pavarësisht se mund të duket e guximshme dhe utopike, ky do të ishte dhe vendi më i përshtatshëm për veprën më monumentale të kombit dhe jam i sigurt që këtë do ta shihnin më të përshtatshëm dhe brezat e ardhshëm për t’i dhënë madhështinë qendrës administrative kombëtare. Kjo kërkon reformë dhe guxim njësoj si me Rrugën e Kombit dhe është problem i mprehtë dhe delikat që duhet diskutuar, pasi fut një koncept të ri dhe të guximshëm.
2. Parcela e Piramidës, një objekt jashtë funksionit, pa vlera të veçanta arkitektonike, e amortizuar dhe që është më shumë një piketë kalendarike dhe, në mungesë të shesheve të lojërave, është kthyer në rrëshqitëse të rrezikshme për fëmijët sot e 20 vjet. Në rast se do të qëndronte, do t’i duhej një rikonstruksion i thellë për të marrë, për mendimin tim, të vetmin funksion si “Muzeu i tmerreve të diktaturës dhe galeri e artit të periudhës së Realizmit Socialist”, pasi vetëm kështu mund të justifikonte mbijetesën, duke pasur interes në fushën e turizmit dhe do të konservonte memorien për brezat e ardhshëm për këtë periudhë të errët të historisë sonë kombëtare. Si muze është konceptuar që në fillim. Pretendimet për ta arnuar me funksionalizim tjetër janë thjesht justifikime dhe hamendje të pastudiuara dhe argumentuara, por thjesht shashka për të tërhequr vëmendje, pasi çdo arkitekt e di nga eksperienca botërore dhe praktika e përditshme që tjetërsimi është sa i kushtueshëm, aq dhe i vështirë për të kënaqur në të gjithë parametrat funksionalë e estetikë funksionin e ri. Nga ana tjetër, një arnim në mes të kryeqytetit do të ishte sa i papërshtatshëm, aq dhe i pajustifikuar krahasuar me një ndërtim të ri prestigjioz.
Por, gjithsesi, në pamundësi të prishjes së Universitetit, kjo mbetet parcela më e përshtatshme, pavarësisht se Parlamenti shqiptar meriton më shumë.
3. Parcela tjetër është namazgjaja e inkluduar dhe ish-Shtëpia e Ushtarakëve”.
Kjo parcelë e mënjanon Parlamentin nga qendra administrative, por krijon me privatësi dhe shkon në vazhdën e mendimit tashmë të konsoliduar në mentalitet zi zona e Parlamentit. Por kjo parcelë ka problemin tjetër, atë të pronësisë së Komunitetit Mysliman. Ky problem për mua nuk qëndron, pasi ndërtimit të objekteve të reja të kultit në qendra të qyteteve i ka ikur koha që në shekujt e kaluar. Me konceptet e reja urbanistike këto objekte vendosen sa më afër qendrave të banuara apo mikroqendrave të reja. Në këtë vend do të justifikohej vetëm ndërtimi i administratës kombëtare të Komitetit Mysliman. I njëjti gabim është bërë dhe me Kishën Ortodokse që ka hyrë pa asnjë logjikë profesionale, si aneks i “Pentagonit shqiptar”, Ministrisë së Mbrojtjes, duke e bërë jofunksional atë mikrorajon urban. Kjo gjë duhet thënë dhe për parcelën mbrapa Pallatit të Kulturës, ku dhe sipas planit të miratuar “francez” të qendrës, nuk parashikohet ndërtim kulti. Komunitetet, ashtu si dhe gjithë pronarët e ligjshëm, duhet të kompensohen për nevoja publike në një vend tjetër, sipas një studimi, ose dhe materialisht. Karshillëku me objektet e kultit nuk është as human e aq më tepër fetar.
Dhe nëse kemi dëgjuar propozime kohët e fundit për këto parcela, është përgjegjësi e këshilltarëve të paaftë apo indiferentë, sesa mendimi i politikës.
4. Alternativa e fundit mbetet të nisemi nga faktet historike dhe simbolike. Parlamenti i ri të vendoset në territorin e Parlamentit të parë shqiptar, pra mbi ndërtesën e Teatrit të Kukullave dhe ndërtesës së Partisë Socialiste. E para, e amortizuar, ndërsa e dyta, pa vlera arkitektonike dhe konkurruese me ndërtesat që e rrethojnë, si dhe me ato që do të ndërtohen sipas planit “francez”.
Këto janë, për mendimin tim, katër pikat e referimit që duheshin marrë apo të merren në konsideratë, analizuar profesionalisht dhe ekonomikisht para se të konkludohej për vendvendosjen e Parlamentit të ri. Ndoshta kjo analizë dhe mund të jetë bërë, por derisa nuk është paraqitur dhe argumentuar publikisht, sikurse u paraqitën variantet e ndërtesës së Parlamentit të ri, lë shteg për diskutim.
Gjithsesi, për vendosjen e ndërtesës mbi studimin e argumentuar vendos investitori, në rastin konkret, Parlamenti. Në këtë kontekst, zgjedhja e bërë për prishjen e Piramidës, kur mendon se në vend të saj do të ngrihet një parlament modern, është plotësisht e justifikueshme si një nga mundësitë që jep zona.
Sa për trashëgiminë e objektet që propozohet të prishet, ndërtesë e viteve tetëdhjetë, as që bëhet fjalë, krahasuar me atë që kaloi në heshtje, lulishtja mbas Monumentit të Skënderbeut, apo objekte të tjera të panumërta, simbol dhe memorie të Tiranës.
Përsa më sipër, duhet punuar me kompetencë, përkushtim dhe profesionalizëm. Institucione të tilla me traditë kemi nga marrim shembull. Do të veçoja këtu me respekt e përulësi punën e Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe atij të Arkeologjisë, që për një periudhë disa dekadash, kanë evidentuar, restauruar e mbrojtur monumentet kombëtare si fytyra dhe pasuria më e madhe e këtij kombi. Për periudhën e zhvillimit të shpejtë të ndërtimeve që kemi në proces, i tillë duhet të jetë dhe Instituti Kombëtar i Arkitekturës dhe Urbanistikës, si nevojë e ngutshme dhe e domosdoshme, i institucionalizuar, kushtetues dhe i pavarur, i cili do të menaxhojë dhe paraprijë në mënyrë shkencore të gjitha studimeve urbanistike, standardeve dhe zhvillimit të ndërtimeve tek ne, duke mënjanuar spekulimin masiv në ndërtim.
Arkitekt
Massachusetts, USA.












