Parku i Apolonisë, turistët paguajnë 2 herë taksë hyrjeje

May 21, 2012 | 12:41
Parku i Apolonise

Turistët që vijnë në Parkun Arkeologjik të Apolonisë duhet të paguajnë një taksë prej 500 lekësh për ta vizituar atë. Edhe kjo fundjavë që kaloi i ka gjetur në të njëjtat pozicione “postblloqet” e vjeljes së taksës. Punonjësit e postblloqeve pohojnë se prej tri javësh qëndrojnë në krye të detyrës për vjeljen e taksës, madje sipas tyre tarifa është në varësi të automjeteve. Punonjësi i komunës së Dermenasit, i cili është vendosur në fshatin Pojan, pak përpara Parkut të Apolonisë, u shpreh se për automjetet e vogla ata mbledhin 200 lekë, për furgonët 300 lekë dhe për autobusët 500 lekë. Ndërkohë që vizitorët mund të hyjnë falas. “Këto taksa janë të përcaktuara qartë në vendimin e Këshillit të Komunës, i cili më pas është miratuar edhe në Prefekturën e Fierit që kur në krye të këtij institucioni ishte Bujar Hasaj”, u shpreh punonjësi i komunës. Sipas tij, vizitorët kërkojnë sqarime se pse duhet të paguajnë taksën dy herë, një herë nga komuna dhe një herë nga vetë parku.
Kjo pasi pak metra më lart tyre, janë të pozicionuar punonjësit e Parkut Arkeologjik. Këta të fundit thonë se marrin 300 lekë për të gjitha automjetet që hyjnë, ndërsa autobusët nuk janë të lejuar ta kalojnë trarin e vendosur. Ata parkojnë në sheshin përpara biletarisë. Përplasja ndërmjet komunës dhe Parkut Arkeologjik nisi rreth tri javë më parë, kur secila e pretendon si të sajën këtë sipërfaqe arkeologjike e historike, që vizitohet çdo vit nga mijëra turistë vendës e të huaj. Disa ditë më parë, drejtori i Parkut Arkeologjik, Marin Haxhimihali, deklaroi se kjo ishte një taksë e miratuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe ishte vjelë si e tillë vit pas viti. Por nga ana tjetër, këtë fakt e kundërshtoi kryetari i komunës Dermenas, Viktor Fasko, i cili tha se taksa që komuna po vjel është e ligjëruar në Këshillin Komunar dhe më pas e cikluar edhe në Prefekturën Fier. Sipas tij, auditi i Prefekturës i kishte lënë detyrë komunës që ta vilte taksën dhe me të të shihen mundësitë e investimit. Edhe pse prefekti i ri i Prefekturës, Robert Bitri, u deklarua për një tryezë për zgjidhjen e kësaj situate, ende nuk është bërë asgjë, duke lënë në fuqi taksimin e dyfishtë për turistët. Bashkia e Fierit, si një ndër njësitë vendore qendër në qark, po e propagandon turizmin arkeologjik si një ndër prioritetet kryesore në zhvillim.

Komuna dhe Parku: Po zbatojmë ligjin
Ndonëse situata e taksës pritet të zgjidhet nga drejtuesit e Prefekturës së Fierit, gjendja vijon të jetë e njëjtë. Të kontaktuar dje nga “Panorama”, drejtori i Parkut Arkeologjik, Marin Haxhimihali dhe kreu i komunës Dermenas, Viktor Fasko, pohuan se vijojnë të vjelin taksën duke pretenduar të dyja palët se po zbatojnë ligjin. Deri në zgjidhjen përfundimtare të kësaj çështjeje, vizitorëve të Parkut Arkeologjik të Apolonisë do t’u duhet të paguajnë një taksë hyrjeje dyfishe.

FIER/ MAJLINDA RAMA

© Panorama.al

Te lidhura