Parcelë droge brenda Portit të Durrësit, 2 të arrestuar

May 9, 2012 | 15:39
Policia në ambientet e Portit ku u gjet parcela e drogës

Parcelë droge brenda ambienteve të Portit të Durrësit. Një sipërfaqe prej 20 metrash katrorë ishte mbushur me fidanë të bimës së dyshuar si kanabis sativa, ndërsa një qese me fara u gjet nga Policia. Toka ishte zgjedhur mu në mes të një prej objekteve më të kontrolluara nga ana e forcave të rendit, kufitares dhe të vetë portit, në zonën e ish-Kurumit. Në fakt, kanë qenë të parët punonjësit e policisë së Portit që kanë pikasur zonën e dyshimtë dhe lëvizjet e dy personave brenda saj, duke lajmëruar me shpejtësi Drejtorinë e Policisë së Durrësit. Paraditen e djeshme, oficerët e Antidrogës kanë qenë në ambientet e ish-Kurumit, ku zhvilluan një kontroll të imtësishëm, duke ndaluar dhe dy personat e dyshuar si kultivues. Sipas burimeve të Policisë, brenda territorit të Portit të Durrësit ata gjetën një vend të përgatitur enkas për të kultivuar bimën. Në sipërfaqen që dikur shfrytëzohej nga Kurumi, ishin mbjellë disa fidanë të vegjël të bimës narkotike. Burime konfidenciale konfirmojnë se ishte menduar që të mbillej me drogë e gjithë sipërfaqja prej 20 metrash katrorë, e cila tashmë ishte bërë gati nga kultivuesit. Ndërsa në vendin e ngjarjes blutë gjetën edhe një qese të mbushur me fara, të dyshuar si “canabis sativa”. Pas gjetjes së fidanëve në ambientet e ish-Kurumit, Policia po punon për zbardhjen e plotë të rastit, duke bërë edhe ndalimet e para. Pasditen e djeshme, në Komisariatin e Policisë së Durrësit janë shoqëruar e më pas arrestuar dy të rinj, banorë të qytetit: O.Dervishi, 21 vjeç si dhe F.Dani, 23 vjeç. Krahas tyre janë marrë në pyetje edhe disa punonjës të ish-Kurumit, të cilët kishin nën vrojtim sigurinë e ambienteve për të dhënë më shumë detaje mbi kultivimin e lëndës narkotike apo edhe për persona të tjerë të implikuar. Sipas bluve, dy të rinjtë dyshohet se janë personat që kanë përshtatur mjediset e shfrytëzuara të fabrikës së ish-Kurumit për mbjelljen e bimëve narkotike, me qëllim trafikimin e tyre. Ky i fundit, që kur u braktis nga turqit që e shfrytëzuan për vite të tëra, është bërë pak i frekuentuar. Megjithatë, është vërtet i çuditshëm fakti se si dy të rinjtë kanë marrë guximin që të rrisnin bimën narkotike brenda territorit të Portit, që për shkak të pikës kufitare është një vend i tejmbushur me policë.

DURRES/ LEONIDHA MUSAJ

© Panorama.al

Te lidhura