Parashikimi i ekspertëve, sa do rritet ekonomia në 4 vjet

Jun 17, 2011 | 10:30

Banka e Detit të Zi sheh një ecuri pozitive të ekonomisë shqiptare në terma afatmesme, duke parashikuar se në katër vitet e ardhshme mesatarja e rritjes ekonomike do të jetë rreth 6.4 për qind.Në strategjinë e saj lidhur me zhvillimin e Shqipërisë, Banka bën parashikimet për një sërë sektorësh duke filluar nga bujqësia, tek industria apo shërbimet për të cilat ka bërë edhe vlerësimet e saj. Banka e Detit të Zi parashikon që në periudhën 2011-2014 të bëjë financime të rëndësishme të disa sektorëve në vendin tonë dhe, sikurse përshkruhet në strategji, këto financime do të ecin në të njëjtën linjë me prioritetet që ka vendosur qeveria. Në përgjithësi, kjo bankë e sheh Shqipërinë si një vend në stabilitet ekonomik dhe pavarësisht treguesve të tillë, si borxhi i lartë publik apo deficiti i llogarisë korrente, nuk vlerësohet niveli, por tendenca e këtyre treguesve që, sipas Bankës, është në ulje. Ruajtja në nivele të kontrollueshme e treguesve makro-fiskalë konsiderohet si njëra anë e medaljes, ndërkohë që tjetra, sipas kësaj Banke, është ndjeka e politikave fiskale të mirëmenduara dhe të mirëkontrrolluara, të cilat do të sigurojnë rritje dinamike deri në periudhën afatmesme.
Sektorët
Parashikimi i Bankës së Detit të Zi për një sërë sektorësh në vendin tonë është pozitiv. Lidhur me bujqësinë, theksohet se ajo do të ketë rritje pozitive të kufizuar në mesataren e saj historike, por vetëm nëse kushtet klimaterike janë normale. Kjo theksohet pasi në të kundërt, nëse do të kemi përmbytje, sikurse ka ndodhur dy vitet e fundit, bujqësia do të mbetej në vend. “Prodhimi bujqësor, duke marrë parasysh kushte normale klimaterike për periudhën në vijim, parashikohet që të rritet me mesataren e tij historike prej 3.5-4 për qind në vit.
Prodhimi industrial, përfshi këtu industrinë prodhuese dhe përpunuese, parashikohet të ketë një rritje mesatare prej 6 për qind në vit. Shërbimet për periudhën afatmesme parashikohet që të rritem me 7.1 për qind. Kontributi kryesor në këtë rritje pritet që të jetë nga tregtia, hotelet, restorantet transporti dhe telekomunikacioni”, thuhet në Strategjinë për Zhvillimin e Shqipërisë e Bankës së Detit të Zi. Në fund të kësaj konkludohet se, bazuar në projeksionet e mësipërme të agregatit të kërkesës dhe prodhimit, mesatarja e rritjes së GDP-së, sipas një skenari bazë për katër vitet e ardhshme, parashikohet të jetë afërsisht në nivelet 6.4 për qind.
Sfidat
Jo gjithçka konsiderohet se shkon si duhet në vendin tonë. Banka e Detit të Zi vlerëson se për Shqipërinë parashtrohen një sërë sfidash që duhet të përmbushen për të siguruar një rritje të qëndrueshme ekonomike. Një ndër këto sfida është forcimi i sektorit publik. Ndërkohë që edhe infrastruktura nga ana tjetër konsiderohet si një pikë kyçe ku duhet të përqendrohet vëmendja e qeverisë. Për biznesin duhet që të krijohen mundësi për një akses më të lehtë në financim, pra biznesit duhet t’i hapen më shumë dyer për kreditim dhe mbështetje për planet e tij të biznesit.

Investimet për periudhën 2011-2014

Banka e Detit të Zi parashikon që në katër vite të zgjerojë programet e saj të financimit në vendin tonë në ata sektorë prioritarë të qeverisë, siç është efiçenca e energjisë, por edhe në favor të SME-ve. Bazuar në strategjinë afatmesme 2011-2014 dhe në plan biznesin e kësaj periudhe, banka pret të miratojë çdo vit një operacion me vlerë 12.6 milionë euro në vit. Pas katër vitesh, kjo mund të rezultojë në 4-5 operacione të miratuara me rreth 44-56 milionë euro.

Parashikimet për 2011-2014

.    Programi makro-ekonomik i qeverisë së Shqipërisë për 2011-2014 nënvizon se bashkë me progresin teknologjik dhe atë të reformave strukturore të ekonomisë, implementimi i një sërë politikash efiçente makro-ekonomike të orientuara qartazi nga filozofia e rritjes ekonomike përmes promovimit të prodhimit agregat, do t’i jepte një shtysë domethënëse ekonomisë. Duke ndjekur politika të mirëplanifikuara dhe të mirëkoordinuara dhe mbi të gjitha duke u mbështetur te reformat ekonomiko-strukturore, së bashku me zhvillimin teknologjik dhe mbledhjen e kapitalit duhet të sigurojë një vazhdimësi të dinamikës ekonomike të paktën edhe deri në periudhën afatmesme.
.    Prodhimi bujqësor, duke marrë parasysh kushtet normale klimaterike për periudhën në vijim, parashikohet që të rritet me mesataren e tij historike prej 3.5 – 4 për qind në vit.
.    Prodhimi industrial, përfshi këtu industrinë prodhuese dhe përpunuese, parashikohet të ketë një rritje mesatare prej 6 për qind në vit.
.    Shërbimet për periudhën afatmesme parashikohet që të rritem me 7.1 për qind. Kontributi kryesor në këtë rritje pritet që të jetë nga tregtia, hotelet, restorantet transporti dhe telekomunikacioni.
.    Kapitali bruto i mbledhur për periudhën 4-vjeçare në vijim parashikohet që të rritet me një mesatare 7 për qind çdo vit në terma reale.
.    Bazuar në projeksionet e mësipërme të agregatit të kërkesës dhe prodhimit, mesatarja e rritjes së GDP-së, sipas një skenari bazë për katër vitet e ardhshme, parashikohet të jetë afërsisht në nivelet 6.4 për qind.

 

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura