Paraqet dorëheqjen kreu i SHIU-t, Ylli Zyla

Jul 5, 2012 | 21:21
Ylli Zyla

Kreu i Shërbimit Informativ Ushtarak (SHIU), Ylli Zyla i ka paraqitur dorëheqjen e tij kryeministrit, Sali Berisha dhe ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami. Dorëheqja e tij vjen pas disa akuzave në shtyp, se bashkëshortja e tij është bashkëaksionere me disa tregtarë të licensuar për eksport armatimi në Shqipëri.

“Unë i nënshkruari, kolonel Ylli Zyla, me detyrë drejtor i Shërbimit Informativ Ushtarak, nisur nga disa sulme të pamoralshme dhe të pabazuara që më janë bërë mua dhe familjes sime në media, për të ruajtur integritetin dhe moralin e familjes sime, integritetin e institucionit të SHIU-t si shërbim inteligjence i një vendi anëtar të NATO-s, marrëdhëniet e shkëlqyera të SHIU-t me shërbimet partnere strategjik të inteligjencës, si dhe për të garantuar vijueshmërinë normale të veprimtarisë dhe operacioneve të SHIU-t, më lejoni t`ju paraqes: dorëheqjen nga funksioni i drejtorit të Shërbimit Informativ Ushtarak”.- eshte motivacioni shoqerues i doreheqjes.

SHIU është një agjenci e konsoliduar që vepron në fushën e mbrotjes si pjesë aktive e Forcave të Armatosura. Ka mbështetur dhe mbështet FA në misionet në kuadër të NATO, BE dhe OKB jashtë Shqipërisë, si në Irak, Afganistan, Çad dhe Kosovë.

SHIU është anëtar i bordit të inteligjencës së NATO dhe i Grupeve të Punës së Inteligjencës, Kundërinteligjencës dhe Sigurisë. Ai ka marrëdhënie të rregullta bashkëpunimi me të gjitha agjensitë informative të NATO si dhe marrëdhënie dypalëshe e shumëpalëshe me një numër të konsiderueshëm shërbimesh inteligjence në rajon e më gjerë.

© Panorama.al

Te lidhura