(Para)lëvizja feministe dhe Kodi Zgjedhor

Jul 19, 2012 | 12:35

ELSA BALLAURI

Kodi i ri Zgjedhor, që pret sot të aprovohet si një arritje e bashkëpunimit politik mes maxhorancës dhe opozitës në Parlamentin shqiptar, tregoi edhe njëherë paragjykimin e madh ndaj barazisë gjinore, zërin e rëndë të burrave ndaj kërkesës së grave për më shumë përfshirje politike dhe heshtjen e gjatë, të qetë dhe indiferente të shoqërisë sonë spektatore. Parlamenti u mjaftua me thirrjen që u bëri grupeve të interesit, të cilat, të shqetësuara nga ndryshimi i nenit 67 të Kodit Zgjedhor, erdhën me sugjerimet… e duhura, të forta dhe të logjikshme, se ndryshimi që po ndodh në lidhje me pjesëmarrjen e grave në politikë nuk është ajo që pritet (pavarësisht se ODHIR nuk mund ta kundërshtojë hapur këtë ndryshim që nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me rekomandimet e tij). Dhe pikërisht mosndërhyrja e ODHIR-it në një situatë të tillë, i dha dorë politikës antifeministe të tkurrë shëmtuar mundësinë e grave për t’u përfshirë në politikë të paktën siç ishte parashikuar në Kodin Zgjedhor të mëparshëm.
Tridhjetë përqindëshi është një debat i debatuar dhe ende i debatueshëm. Ka mendime të ndryshme dhe të kundërta për të, ka rryma që në mënyrë shumë interesante mund të jenë pjesë e një debati politik, Shoqëror dhe psikologjik të shëndetshëm dhe intelektual, por kjo, për fat të keq, nuk ndodh. Ndërkohë ndodh që bëhen përpjekje dredharake për të bërë rregullime në dukje të buta për një pjesëmarrje të dyshimtë të femrave në politikë në lidhje me listat zgjedhore. Ligji i ndryshuar tashmë, neni 67, pika 5, nga një detyrim për të pasur në lista “për çdo zonë zgjedhore, të paktën  tridhjetë për qind e listës shumemërore dhe/ose një në tre emrat e parë të listës shumemërore duhet t’i përkasë secilës gjini”, nuk përbën më një detyrim që sipas nenit 67, pika 6: “Mospërmbushja e njërit prej kushteve të parashikuara në këtë nen në lidhje me përbërjen e listës shumemërore për zgjedhjet në Kuvend, sjell si rrjedhojë refuzimin e listës nga KQZ-ja”. Tashmë s’ka më refuzim liste. E gjithë historia është mjaftuar që me nenin 175 të vihet gjobë nëse raporti gjinor nuk është plotësuar. Gjoba në vetvete, për logjikën dhe mentalitetin shqiptar, nuk është as refuzim, as ndëshkim. Gjoba, më shumë se kaq, është madje “një nder” që burri shqiptar e kryen me krenari, siç ia do tradita…
Instinktivisht, shoqëria jonë maskiliste ka degjeneruar në shitblerjen e lashtë të femrës si një zanat që e di mirë prej kohësh, që e ka nxjerrë në selamet dhe në të cilën gjen lidhjen dhe rehatinë e identitetit të vet.
Një nen ku parashikohet gjoba dhe (për fat të mirë!) nuk ka asnjë sanksion tjetër, i ngre duart e burrave parlamentarë si marioneta, të kënaqur se po i heq qafe gratë…. Duket sikur e gjithë skena është ndërtuar nga burrat, për burrat dhe në funksion të tyre. Por, nuk mund të mos kemi respekt dhe të mos jemi të kujdesshëm nga reagimet dhe sugjerimet e vlefshme të shoqatave apo specialistëve të fushës që prej disa javësh japin opinionet e tyre në kundërshtim të nenit 67 apo 175. Me gjithë argumentet e tyre bindëse, është interesante të vëzhgosh terrenin politik apo mediatik për të dalë në përfundim se pse nuk ka zhurmë për këtë çështje, pse është kaq e qetë një situatë e cila duhej të vlonte nga ajo që shpeshherë e kemi kuptuar gabim që ekziston – lëvizja feministe.
Ajo që kanë bërë gratë deri tani është vërtet e lavdërueshme. Por është vetëm fillimi, dhe të pretendosh se në Shqipëri ka një lëvizje feministe, kjo është e pavërtetë dhe naive. Ky rast për të cilin po flasim e tregon qartë këtë… Natyrisht, ka një lëvizje që lëviz ngadalë prej 20 vjetësh, rrugës diku, përshtatet me logjikën “antifemër”, diku me “femrën militante”, diku me “vetëparagjykimin”. Pasiguria është normale, dhe kjo lloj beteje i bën sfidat më të prekshme dhe më të qarta. E megjithatë, përveçse një roli mediatik dhe demagogjik më të dukshëm, ajo që i mungon kësaj paralëvizjeje feministe (kështu do ta quaja më mirë), është roli real, konkret i gruas për gruan. Në rastin e Kodit Zgjedhor ka dy mënyra se si mund të kishte sukses reagimi. E para, nëpërmjet një ndërgjegjësimi të femrave kudo në vend, në qytetet e vogla, në fshatra, njohuria që ato duhej të përftonin për të njohur ndryshimet në Kod, për të analizuar rolin e tyre të limituar, për të kuptuar se sa të rëndësishme janë në shoqërinë shqiptare, se nuk janë një minoritet, por edhe se nuk e kanë rrugën të shtruar për të arritur në karrigen e pushtetit. Mënyrë tjetër është lobimi i fuqishëm i elitës së grave feministe – përdorimi i lobimit jo vetëm me daljen në ekran apo me pjesëmarrjen në komisionet parlamentare aq herë sa vendos drejtuesi i seancës apo drejtuesi i programit, por me imponim për ta thirrur ajo seancë dhe për ta drejtuar ajo programin. Dhe të dyja këto mënyra, kanë nevojë të kombinohen me njëra-tjetrën.
Në luftën e saj për emancipim gratë kanë dy “armiq”: burrat dhe vetveten. Frontin e parë e kanë të hapur, të qartë, strategjitë janë eksperienca të vjetra historike që mund t’i gjejnë nga e gjithë bota. Fronti i dytë është më i vështiri, me konfuzi përsa i takon modelit që kërkon të zgjedhësh. Ky model, sado të imitosh dhe të marrësh eksperiencën nga të tjerët, gjithmonë do të të çojë përpara të panjohurave që duhet t’i zgjidhësh vetë.
Sidomos në këtë rast (para)lëvizja feministe pothuajse ka dështuar. As në Parlament gratë nuk kanë folur sa duhet dhe nuk janë bërë bashkë, pavarësisht nga bindja se sa dhe si ndikon përqindja e femrave në politikë, ndryshimi i Kodit Zgjedhor, që pritet me orë të aprovohet në Parlament, nëse do të mbetet ashtu siç është shkruar në projektligjin e fundit, është një turp për të gjitha gratë si dhe për burrat që mbështesin barazinë gjinore. Gjoba e parashikuar në ligj, në dukje – dënim, por në psikologji – shpëtim për ata të shumtët që nuk e kanë kuptuar ende se nuk mund të drejtohet vendi nëse barazia gjinore nuk do të respektohet….
Gjithsesi, ndonjëherë Shqipëria e paradokseve mund të ngecet në këtë seancë parlamentare te neni 67… Ku i dihet?

© Panorama.al

Te lidhura