Nëse dikush do t’ju pyeste se si quhet ajo loja me top, ku 11 lojtarë përpiqen t’ua marrin atë 11 të tjerëve dhe ta fusin në portën përballë duke përdorur vetëm këmbët dhe/ose kokën, a do të përgjigjeshit: “kërcim së gjati”? Natyrisht që jo (veç ndonjë idioti). Po nëse do t’ju bënin pothuajse të njëjtën pyetje, por duke zëvendësuar fjalën “portë” me “kosh”, a do të dinit të jepnit një përgjigje? Natyrisht që jo, sepse çdo njeri i arsyeshëm di të bëjë dallimin mes futbollit dhe basketbollit, dhe kjo lojë e re nuk është asnjë prej tyre. Mund të jetë po aq e bukur dhe interesante, por e përsëris, nuk është asnjëra prej tyre. Dallojnë rregullat.
Tani më lejoni t’ju kujtoj disa rregulla të tjera, si: Shqipëria është Republikë parlamentare; Kushtetuta është ligji më i lartë i vendit; sistemi i qeverisjes bazohet në ndarjen dhe balancimin ndërmjet pushteteve: ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor. Janë disa nga rregullat e arta të sistemit shtetëror e qeverisës që vendosëm të “luajmë” pas rrëzimit të diktaturës, e që e quajmë demokraci kushtetuese (forma e shtetit) dhe Republikë parlamentare (forma e qeverisjes). Të rrimë shtrembër e të flasim drejt, duhet ta pranojmë se ne shqiptarët këtë lojë nuk ditëm ta luanim më 1991-shin e me përpjekje të mëdha po i qëndrojmë në “fushë” edhe më 2012-n. Fatkeqësisht nuk është loja jonë, e kanë shpikur të tjerë popuj, njësoj si futbollin a basketbollin. Ne e zgjodhëm, së pari, sepse pamë që atyre u ka dalë për mbarë organizimi i shoqëror sipas rregullave të mësipërme – prej vitesh jetojnë në paqe e janë pasuruar ekonomikisht dhe moralisht, por edhe sepse, duke perifrazuar Çurçillin, kjo është loja më e keqe, përveç gjithë të tjerave të provuara në kohëra.
Rregullat tashmë janë të njohura e të qarta, na mbetet veç t’i respektojmë (nëse kemi kërçik ta ndjekim Europën – siç vëren me pezëm At Zef Pllumi te libri i tij “Rrno për me tregue”). Gjithë sekreti është të jetojmë/punojmë dhe organizohemi duke respektuar rregullat që përcaktuam në Kushtetutë.
Me këtë ide në mendje dhe zemër le të analizojmë disa ngjarje aktuale (apo të afërta) madhore me ndikim kushtetues dhe paradokset që i shoqërojnë ato.
I. Referendumi për imunitetin. Në krye të herës nxitoj të rishpall bindjen time që kjo koracë mbrojtëse e ekzagjeruar e gjyqtarëve dhe funksionarëve të lartë publikë duhet kufizuar. Këtë e kam arsyetuar edhe më parë në faqet e kësaj gazete (“Panorama”, 9.10.2009). Përsa i përket referendumit në vetvete, vlerësoj se edhe ai është një ushtrim i dobishëm demokratik për vjeljen e drejtpërdrejtë të vullnetit të qytetarëve. Në fakt është ushtrimi i vetëm i demokracisë në variantin e saj primordial. Problemi është – dhe më duhet ta theksoj këtë paraprakisht – se Shqipëria nuk është (thjesht) demokraci, pra një vend ku vendimet për të ardhmen e shoqërisë merren ekskluzivisht nga shumica matematike e qytetarëve, në shpërfillje të plotë të pakicës së rastit (sepse, çdonjëri, në lidhje me një çështje mund të jetë pjesë e shumicës, ndërkohë që në lidhje me një tjetër, pjesë e pakicës). Termin e kemi ruajtur si të grekëve antikë (demokratia – pushteti i popullit), por funksionimin ia kemi përmirësuar, duke përcaktuar në Kushtetutë rregulla që ajo pakica (49% e shtetasve, shqiptarë edhe ata, gra e burra të mirë e me vlera) të ndihet e respektuar dhe, më kryesorja, e pakërcënuar nga “diktatura e shumicës”. Përndryshe, pse e rrëzuam diktaturën e proletariatit, ku “ç’thoshte populli bënte Partia”?! Pra, ne nuk jemi më (desh Zoti) një demokraci popullore, revolucionare (si në komunizëm), por një demokraci kushtetuese, si shumica absolute e shteteve perëndimore. Në këtë lloj organizimi shtetëror, Kushtetuta, që është vullneti i popullit shqiptar (i atij që ka qenë, është e do të jetë), i vendos kufizime vullnetit të turmave (që janë shumicat e përkohshme). Ky është sensi dhe misioni i vlerave republikane. Në këtë kontekst, në Republikën parlamentare të Shqipërisë, njësoj si në SHBA, Francë, Gjermani, Itali etj., turmat nuk mund t’i ndryshojnë rregullat e përcaktuara nga Kushtetuta. Rrjedhimisht, imuniteti i gjyqtarëve dhe funksionarëve të lartë publikë, duke qenë rregullim primar kushtetues, mund të ndryshohet vetëm nga përfaqësuesit tanë në Parlament, përmes një shumice prej 2/3 të tyre, dhe jo përmes një referendumi popullor. Kjo është pranuar edhe nga Gjykata Kushtetuese, e cila ka theksuar se “përfshirja e drejtpërdrejtë e popullit në procesin kushtetutëbërës mundësohet vetëm nëpërmjet përfaqësuesve të tyre në Kuvend” (V.25/2009). I këtij mendimi ishte edhe Komisioni i Venecias që asistoi Gjykatën në marrjen e këtij vendimi.
Ky referendum (që besoj se është thjesht blof politik e nuk do të mbahet) vendos një shfaqje të demokracisë puro mbi parimet republikane. Referendumi në fjalë ka për causus belli imunitetin, që në një dimension të vetin nënkupton pabarazinë përpara ligjit të disa personave, duke qenë se individët me imunitet privilegjohen nga ligji, ndërkohë që ne të tjerët jo. Nga ana tjetër, një ndër vlerat më të mëdha të Republikës është barazia përpara ligjit. Pra, synohet që përmes një veprimi antikushtetues të mbrohet një vlerë kushtetuese. Kjo në filozofi quhet paradoks.
II. Le të vijojmë më tej me analizën e një tjetër ngjarjeje me impakt kushtetues: propozimi i opozitës për votimin në Kuvend të dekreteve të Presidentit për emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë dhe prokurorit të Përgjithshëm me shumicën e cilësuar (3/5) e deputetëve. Deri përpara ndryshimeve që iu bënë Kushtetutës së vitit 1998 me ligjin kushtetues nr. 9904, datë 21.04.2008, Presidenti i Republikës, si rregull, zgjidhej me votat e 3/5 të deputetëve (çka ka ndodhur edhe praktikisht). Kjo e bënte Presidentin realisht “përfaqësues të unitetit të popullit”. Ndryshimet e vitit 2008 e shndërruan atë në pjesë të maxhorancës qeverisëse. I parë i shkëputur, ky rregullim i ri kushtetues nuk është i papranueshëm, demokracitë perëndimorë e njohin kancelar-inë si model të organizimit qeverisës (bashkë me modelin Westminster etj). Problemi është se, në kontekstin e Kushtetutës sonë, duke u ndryshuar vetëm ky element, pa u shoqëruar me ndryshime të tjera garantiste, kemi ardhur ndesh me parimet kryesore kushtetuese. Më lejoni t’jua konkretizoj me një shembull metaforik nga gjeometria. Trekëndëshi ka tri kënde e tri brinjë. Ashtu si format e qeverisjes, edhe format e trekëndëshave janë disa. Në sistemin tonë demokratik kushtetues, ne e kemi organizuar qeverisjen në respekt të parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve: legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor. Pra, trekëndëshi ynë i ka (duhet t’i ketë) të tria brinjët dhe këndet të barabarta. Ndryshimi i njërit prej tyre (Ekzekutivi, pjesë e të cilit është strukturalisht Presidenca) duke e zgjatur brinjën (te ne Ekzekutivi, maxhoranca qeverisëse dhe Presidenti tashmë i takojnë një grupimi politik të vetëm) me patjetër çon në zvogëlimin e elementeve të tjera të figurës. Republikat kushtetuese në thelb janë një përpjekje për të dobësuar rrezikun e maxhoritarianizmit dhe për të parandaluar tiraninë e shumicës. Ato e mundësojnë këtë mision të tyre duke vendosur (përmes kushtetutave) elementë garantistë, kontrollorë mbi pushtetin e shumicës qeverisëse të radhës. Disa nga këto elementë, më kryesorët në fakt, janë Presidenti i Republikës i zgjedhur nga populli, Senati, Gjykata Kushtetuese, Gjyqësori dhe Prokuroria e pavarur. Jo domosdoshmërisht të gjitha bashkë e njëkohësisht, por me patjetër shumica e tyre. Në rastin shqiptar ne s’kemi më asnjë(!), pasi këtu Presidenti zgjidhet nga shumica parlamentare (karakteristikat individuale të tij nuk merren parasysh nga Kushtetuta, sado të shkëlqyera të jenë), nuk kemi një dhomë të dytë të Parlamentit (Senati) që të ndalojë ekseset e shumicës së deputetëve të dhomës së ulët dhe kemi gjyqtarë kushtetues e të lartë si dhe prokuror të Përgjithshëm që zgjidhen (edhe këta) nga shumica parlamentare. Cilido që më ka lexuar deri këtu e që e sheh të ardhmen e këtij vendi në dritën e vlerave perëndimorë, tashmë, me pak arsyetim, ka arritur vetë në konkluzionin e padiskutueshëm se, propozimi për ndryshimin e shumicës së zgjedhjes së këtyre funksionarëve të lartë republikanë nga shumica e thjeshtë qeverisëse në 3/5 e deputetëve të Kuvendit është jo thjesht i nevojshëm, por domosdoshmëri, përndryshe Republika është në rrezik. Votimi i këtyre funksionarëve të lartë nga shumica e thjeshtë përbën paradoksin e dytë demokratik në Republikë.
III. Dhe së fundi, pa u larguar shumë nga sa më lart, le të analizojmë mandatin e prokurorit të Përgjithshëm. Kam lexuar në shtyp se maxhoranca po përgatitet të zgjedhë prokurorin e Përgjithshëm të ri në nëntor të këtij viti. Shpresoj të jenë spekulime shtypi, sepse në respekt të Kushtetutës, mandati i prokurorit të Përgjithshëm nuk mbaron në nëntor 2012, por në të gdhirë të datës 23.05.2013. Prokurori i Përgjithshëm në detyrë, znj. Ina Rama, u zgjodh më datë 22.11.2007. Në kohën e zgjedhjes së saj Kushtetuta e Republikës nuk parashikonte afat për mandatin e këtij funksioni. Afërmendsh ky rregullim nuk ishte ai i duhuri dhe u bë mirë që, me ndryshimet kushtetuese të datës 21.04.2008, u përcaktua që: “Prokurori i Përgjithshëm emërohet… për një mandat 5-vjeçar…”. Ligji (kushtetues) nr. 9904, i datës 21.04.2008 u botua në Fletoren Zyrtare Nr. 61 të datës 07.05.2008 dhe hyri në fuqi pas 15 ditësh, pra më datë 22.05.2008. Rrjedhimisht, mandati 5-vjeçar i prokurorit të Përgjithshëm mbaron në të hyrë të datës 23.05.2013. Ky mandat nuk mund të nisë të numërohet nga data e zgjedhjes së znj. Rama, sepse amendamenti kushtetues është pro futuro, nuk ka fuqi prapavepruese. Asnjë lloj doktrine kushtetuese nuk e njeh apriori fuqinë prapavepruese të një amendamenti kushtetues, përveçse kur vetë legjislatori kushtetues e parashikon atë (në dispozitën kushtetuese që bën ndryshimin apo në një tjetër me karakter tranzitor). Ky qëllim i legjislatorit kushtetues nuk është pasqyruar as në nenin 149 të ndryshuar të Kushtetutës dhe as në ndonjë nen tjetër të saj. Madje, edhe ligji nr. 10 051, datë 29.12.2008, i cili ndryshoi ligjin e kohës “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në RSH”, nuk e detajoi normën kushtetuese me qasje prapavepruese. Si konkluzion, rregullimi kushtetues që kufizoi mandatin e prokurorit të Përgjithshëm në 5 vjet i fillon efektet e tij jo në datën e zgjedhjes së Prokurorit aktual, por si në çdo vend të botës (demokraci ose jo) që nga dita e hyrjes së tij në fuqi. Aq më tepër në një shtet të së drejtës! Çdo veprim në kundërshtim me këtë parim kushtetues nuk do të ishte thjesht një paradoks i radhës dhe aq, por do të ishte një akt kundër institucioneve të Republikës, me pasoja të rënda e të paparashikueshme.
© Panorama.al












