
Kontrolli i Shtetit: Shkelje edhe te minierat. Dëmi arrin në 18 milionë USD.
Raporti për koncesionet: Naço, firma jashtë ligjit për afatet.
Në kohën kur votat për zgjedhjen e Presidentit të ri po llogariten mes përplasjesh politike dhe kërcënimesh për dalje nga koalicioni qeveritar, KLSH mbyll raportin në Ministrinë e Ekonomisë. Skaneri i Kontrollit të Shtetit, në Ministrinë e drejtuar nga LSI që nga viti 2005, zbulon mbi 18 milionë USD dëme në fushën e koncesioneve. Ministria e Ekonomisë është drejtuar nga tre deputetë të LSI, Dritan Prifti, kreu aktual i LSI, Ilir Meta dhe deputeti i LSI Nasip Naço, që mban aktualisht postin e ministrit. Meta gjatë kohëve të fundit ka pasur një takim konfidencial me Edi Ramën, dhe ka shprehur hapur qëndrimin e tij kundër PD për zgjedhjen e një presidenti konsensual dhe jo siç artikulon përditë Berisha, një figurë të PD. KLSH çon për ndjekje penale disa drejtorë të METE, si dhe zbulon shkelje të ministrit me firma të kundërligjshme për shtyrjen e afateve të koncesioneve të HEC-eve.
Raporti
Mungesë të theksuar dokumentacioni nga operatorët ekonomikë, tejkalim kompetencash dhe shkelje të titullarëve apo shpërdorim të pasurisë publike, janë disa nga problemet që thekson raporti i KLSH. Koncesionet që deri më tani janë lakuar si një histori suksesi, duket se për Kontrollin e Lartë të Shtetit paraqesin probleme të shumta në një numër të madh të tyre. Harku kohor i kontrollit përfshin tre ministrat që kanë drejtuar Ekonominë që nga janari i 2010-s në shtator 2011. “Cilësojmë se nga audituesit e KLSH ¸sht¸ kryer auditimi për grup koncesionesh, ku përfshihen 86 HEC-e. Parregullsitë dhe shkeljet, si dhe mosllogaritja e penaliteteve si pasojë e moszbatimit të kushteve të kontratave në 73 koncesione, kanë shkaktuar mungesë në të ardhurat nga këto koncesione, me pasojë dëm ekonomik në vlerën 595 milionë lekë”, vlerëson KLSH në raportin e tij. Nga ana tjetër, mospagesa e tarifës ndaj Agjencisë së Trajtimit të Koncesioneve ka sjellë një dëm 11 milionë dollarë. Në fushën e koncesioneve shkelje vërehen edhe në aspektin e pagesave që koncesionarët që kanë prodhuar energji, nuk kanë derdhur në arkën e shtetit. Dëmi nga kjo llogaritet të jetë 11 milionë lekë. Tejzgjatja e afateve për ndërtimin e hidrocentraleve me firmën e ministrit duket se është një tjetër problematikë që shqetëson KLSH-në. Kjo praktikë, sipas kësaj të fundit, nuk është e rregullt. “Lidhur me kërkesën e koncesionarëve për shtyrjen e afatit të përfundimit të ndërtimit të HEC-eve, ka rezultuar se është bërë me miratim me shkresë nga titullari, por pa kontratë shtesë, në kundërshtim me ligjin”, vlerëson KLSH.
Masat
Një “lumë” masash dhe kallëzimesh ka propozuar Kontrolli i Lartë Shtetit për Ministrinë e Ekonomisë dhe agjencitë në vartësi të saj (AKBN-ja dhe ATRAKO), të cilat monitorojnë fushën e koncesioneve dhe atë të sektorit minerar. Përveç shlyerjes së një pjese të dëmit që shkon në miliona dollarë, më së shumti bien në sy propozimet për shkarkime dhe kallëzimet e bëra nga KLSH. Është propozuar largimi nga shërbimi civil për 6 punonjës, dy prej të cilëve punonjës aktualë, është propozuar ulje në detyrë për një vit për 3 punonjës. KLSH, ashtu siç e ka deklaruar më herët edhe kreu i saj Bujar Leskaj, ka ashpërsuar edhe më shumë masat duke kallëzuar penalisht 5 punonjës në Prokurori. “Për shkeljet financiare me pasojë dëm ekonomik për buxhetin e shtetit, për personat shkaktarë përgjegjës të niveleve të ndryshme drejtuese, kemi përgatitur dhe dërguar dy kallëzime penale në organet e Prokurorisë për 5 punonjës për një vlerë dëmi prej 595 milionë lekë, respektivisht një drejtor i përgjithshëm, një drejtor drejtorie, dy përgjegjës sektori dhe një specialist”, thuhet në raportin e KLSH-së.
Raporti i KLSH
. Kontroll në 86 hidrocentrale
. Koncesionarët, mungesë dokumentacioni ligjor
. Fillim ndërtimesh pa siguruar leje
. Zgjatje afatesh me firmën e ministrit
. 73 koncesione dëm 595 milionë lekë
. 6 koncesionarë dëm 11 milionë lekë mospagesë tarife
. 13 koncesionarë, asnjë dokumentacion për pagesën e tarifës
. Probleme me llogaritjen e investimeve
. AKBN, vlerësime subjektive për vlerën e investimeve
. Për 30 HEC-e nuk disponohet asnjë dokument ekonomik
. Mosarkëtimi i sigurimit të ofertës 860 mijë euro
. Mossigurimi i aseteve 92 mijë dollarë
. Mospagesë e tarifës ATRAKO-s 11 milionë dollarë
. Mungesë dokumentacioni për arkëtimin e rentës për metale të çmuara (ar, argjend) që shoqërojnë metale të tjera
. Dëmi gjithsej, koncesione HEC-e dhe miniera, 18 milionë dollarë
Masat
. Rregullime për vakume ligjore
. Ngitje të disa grupeve të punës
. Të arkëtohet dëmi 595 milionë lekë
. Të arkëtohet tarifa prej 11 milionë lekësh
. Largim nga shërbimi civil për 6 punonjës
. Ulje në detyrë për një vit për 3 punonjës
. Vërejtje me shkrim për 14 punonjës, nga të cilët 5 drejtorë
. Dy kallëzime penale në Prokurori për 5 punonjës, nga të cilët një drejtor i përgjithshëm, një drejtor drejtorie, dy përgjegjës sektori dhe një specialist
Ari, kompanitë nuk kanë paguar rentën
Metalet e çmuara që shoqërojnë metale të tjera si bakri apo kromi, janë përfituar nga kompanitë, por që këto të fundit duket se nuk kanë paguar asgjë mbi këtë përfitim. Të paktën kështu rezulton në Ministrinë e Ekonomisë, ku Kontrolli i Lartë i Shtetit nuk ka gjetur dokumentacionin që e provon këtë. “Nga auditimi i ushtruar mbi llogaritjen dhe pagesën e detyrimeve që rrjedhin nga përfitimi i metaleve si ar, argjend e ndonjë tjetër, është konstatuar mungesë e plotë e dokumentacionit mbi përcaktimin dhe pagesën e rent¸s minerare për elementet shoqërues t¸ bakrit n¸ koncentrat dhe të kromit, siç janë ari, argjendi, bakri, seleni dhe teluri, gjë që ka ardhur kryesisht nga mosfunksionimi i grupit ndërdikasterial të ngritur me ligj”, thuhet në raportin e KLSH-së. Metalet shoqërues të kromit apo bakrit në koncentrat, siç janë ari apo argjendi, janë pranuar se gjenden në masë të vogël në vendin tonë. Kompani të huaja jo pak herë kanë deklaruar situata të tilla, edhe pse shpesh kjo është cilësuar nga Ministria si një lëvizje e tyre për të fituar pikë në bursë.
NERTILA MAHO
© Panorama.al











