Hedhja në erë e dy shtyllave të tensionit të lartë, në prag të ndërrimit të viteve në fshatin Balldren në Lezhës, pritet të çojë para drejtësisë edhe persona që mund të kenë lidhje me politikën apo me biznesin. Orientimi drejt kësaj piste hetimi është dhënë nga gjashtë të arrestuarit e dy ditëve më parë, në kuadër të operacionit të përbashkët policor të Lezhës e Shkodrës, të koduar “Grabitqari”.
Burime nga Prokuroria bënë të ditur se gjatë marrjes në pyetje, të arrestuarit kanë pranuar autorësinë, ndërsa kanë theksuar edhe faktin se ata ishin të detyruar për të kryer një krim që mund të konsiderohej edhe akt terrorist. Sipas dëshmisë së tyre, persona që kanë pasur interes për hedhjen në erë të dy shtyllave, i kanë paguar ata. Të joshur nga vlera e financuar (shuma nuk bëhet e ditur), ata kanë pranuar të operojnë në grup dhe të organizojnë vendosjen e tritolit në dy shtyllat e tensionit të lartë. Dyshohet se personat e interesuar për këtë akt kriminal kanë pasur qëllim të përhapnin panik dhe të destabilizonin situatën, duke lënë vendin në terr. Prokuroria e Lezhës nuk dha detaje të tjera në lidhje me hetimet, por la të kuptohej se shumë shpejt do të çoheshin para drejtësisë edhe financuesit e kësaj vepre kriminale. Sipas burimeve, të arrestuarit nuk kanë pranuar të flasin në emra konkretë rreth personit që i ka paguar. Por nuk përjashtohet dyshimi se ai mund të jetë ndonjë biznesmen, që të ketë interes dhe lidhje të drejtpërdrejtë me politikën.
Të arrestuarit, banorë të fshatrave të Lezhës dhe të Shkodrës, kanë qenë aktivë edhe në protestën e 21 janarit para Kryeministrisë. Në deklaratën e dhënë dy ditë më parë për median, kreu i Policisë së Lezhës, Muharrem Furriku, u shpreh se shtetasit e arrestuar janë Gazmir Dedaj 22 vjeç, nga fshati Torovicë, Lezhë, Aleksandër Boka 28 vjeç, banues në fshatin Balldren, Lezhë dhe Ernest Preçi, 47 vjeç, banues në fshatin Juban, Shkodër, në bashkëpunim me Besmir Luginën, 25 vjeç nga fshati Balldren, Xhevahir Luginën, 23 vjeç, banues po në Balldren, si dhe Mhill (Nikollë) Thepin, 20 vjeç, banues në fshatin Spathar, Shkodër. “Është provuar se këta shtetas janë autorët e ngjarjes së rëndë të ndodhur në prag të ndërrimit të viteve më 30 dhjetor, ku kanë vendosur lëndë plasëse në dy shtylla të tensionit të lartë. Nga hetimet ka rezultuar se një pjesë e mirë e tyre kanë qenë pjesëtarë aktivë në veprimet e dhunshme të kryera më 21 janar pranë Kryeministrisë”, u shpreh kryepolici i Lezhës.
Gjashtë të arrestuarit, sot në Gjykatë
Të arrestuarit për veprat penale “shkatërrim prone me eksploziv e kryer në bashkëpunim” dhe “mbajtje pa leje të armëve të zjarrit”, do të dalin sot në gjykatë, nga ku do t’u komunikohet edhe masa e sigurisë. Prokuroria bëri të ditur se ka prova të mjaftueshme për të mbajtur në burg të akuzuarit. Ata janë mbajtur në survejim prej një kohe të gjatë dhe janë përdorur metoda speciale të hetimit për të vërtetuar përfshirjen e tyre në aktin kriminal të hedhjes në erë të shtyllave të tensionit të lartë.
LEZHE/ ROLAND NIKOLLI
© Panorama.al











