Korrupsioni në Spitalin Psikiatrik të Vlorës çon në pezullimin nga detyra të drejtoreshës dhe dy mjekeve të këtij institucioni.
Prokuroria e Vlorës kishte disa muaj që kishte nisur hetimin, pasi babai i një 23-vjeçari denoncoi në media se i kishin kërkuar para në këmbim të firmosjes së raportit, me të cilin i biri merrte pagesë të KEMP-it. Mësohet se dy ditë më parë, Gjykata e rrethit ka caktuar masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje në Policinë Gjyqësore” dhe masën plotësuese “pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” për Antonela Agajn, 39 vjeçe, nga Vlora, drejtoreshë e Spitalit Psikiatrik në Vlorë dhe njëherazi kryetare e komisionit të KEMP-it; Diana Brahimmuçon, 47 vjeçe nga Vlora, me profesion mjeke pranë Spitalit Psikiatrik dhe anëtare e KEMP-it, si dhe Shqiponja Rrapin, 61 vjeçe, nga Vlora, mjeke pranë Spitalit Psikiatrik të këtij rrethi, të dyja anëtare të KEMP-it, (Komisioni i Shqyrtimit të Aftësisë për Punë). “Nga hetimet disamujore mbi procedimin penal të vitit 2012 të Seksionit Kundër Korrupsionit në Drejtorinë e Policisë Qarku Vlorë, nën drejtimin e Njësisë Task-Force pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor, ka rezultuar se këto shtetase kanë konsumuar veprat penale të “korrupsionit pasiv” dhe “falsifikimit të dokumenteve zyrtare”, bëri të ditur Policia. Mësohet se hetimi nisi disa muaj më parë, kur një prind nga Fieri denoncoi rastin abuziv prej tyre në media. Ai akuzonte se dy doktoreshat, në bashkëpunim edhe me drejtoreshën e Spitalit Psikiatrik, i kanë kërkuar 25 mijë lekë për t’i firmosur raportin mjekoligjor për djalin që kishte probleme me shëndetin mendor. Nëpërmjet raportit të KEMP-it, i biri 23-vjeçar përfitonte një pagesë të caktuar mujore. Pas denoncimit, nisi hetimi kryesisht nga policia e Vlorës, në bashkëpunim me prokurorinë e rrethit. Nga hetimet intensive janë hedhur dyshime se këto shtetase kanë konsumuar veprat penale të “korrupsionit pasiv” dhe “falsifikimit të dokumenteve zyrtare”. Pasi çështja përfundoi në Gjykatë, togat e zeza kanë marrë masën e pezullimit nga detyra dhe të detyrimit për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore sa herë të kërkohen, në favor të hetimeve. Sipas burimeve të Policisë, mjeket dhe drejtoresha e Psikiatrisë nuk e kanë pranuar akuzën, ndërsa kanë theksuar se personi që pretendon se i kanë kërkuar para, nuk e ka pasur të birin me vete në momentin kur iu ka kërkuar raportin. Ende nuk ka një konfirmim të saktë nëse mjeket e pezulluara do të zëvendësohen deri në përfundim të verdiktit të Gjykatës.
Të akuzuarat
• Antonela Agaj,
39 vjeçe nga Vlora, drejtoreshë e Spitalit Psikiatrik dhe kryetare e Komisionit të KEMP-it• Diana Brahimmuço,
47 vjeçe nga Vlora, me profesion mjeke pranë Spitalit Psikiatrik Vlorë dhe anëtare e KEMP-it• Shqiponja Rrapi,
61 vjeçe nga Vlora, me profesion mjeke pranë Spitalit Psikiatrik Vlorë dhe anëtare e KEMP-it
Drejtoresha: Sajesa
Dy mjeket kanë deklaruar se gjithçka është e sajuar. “Ne kemi debatuar me prindin, pasi ai nuk e kishte sjellë fëmijën e tij për ta parë, vizituar dhe përcaktuar në çfarë gjendjeje ishte pacienti, ashtu siç e përcakton ligji”, kanë pohuar mjeket. Ndërsa drejtoresha Antolena Agaj është shprehur se ka kryer detyrën për të qenë sa më afër pacientëve dhe të zbatimit rigoroz të ligjit. Ajo ka mohuar të ketë kërkuar para, ndërsa i ka cilësuar akuzat ndaj saj si sajesa.
VLORE/ QEMAL BIRAKU
© Panorama.al











