Para në këmbim të votës, deputetët e PD: Jo dënimit

Feb 22, 2012 | 11:02

Komisioni i Ligjeve

Komisioni i Ligjeve miraton ndryshimet në Kodin Penal për zgjedhjet.

Komisioni i Ligjeve miratoi dje me konsensus 11 nene të Kodit Penal që kanë të bëjnë me sanksionet lidhur me manipulimin e zgjedhjeve. Amendamentet ishin miratuar fillimisht në Komisionin e Reformës Zgjedhore dhe në mbledhjen e djeshme ishte parashikuar që të ishte një proces rutinë. Por, deputetët e PD-së kundërshtuan disa paragrafë të këtyre neneve, megjithëse në fund i votuan ato me konsensus. Fatos Hoxha, Viktor Gumi dhe Enkelejd Alibeaj kanë kundërshtuar një dispozitë në nenin 328 të Kodit, sipas të cilit, “pranimi i të hollave, të mirave materiale, premtimeve dhe favorizimeve të tjera për të kryer veprimet e mësipërme përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë”. Lidhur me këtë paragraf, deputeti i PD-së, Fatos Hoxha, tha se ligji nuk parashikon rastet kur qytetari pranon lekët nga kandidati, por ditën e votimit nuk voton për të. “Paragrafi i dytë mua më duket personalisht i panevojshëm. Nëse këta persona i pranojnë ofertat në lekë dhe në të holla, por nuk e kryejnë atë akt, përse do të quhet kundërvajtje penale? Them se nuk qëndron”, u shpreh Hoxha. Sipas kryetarit të Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali, i cili i mbrojti deri në fund të gjitha ndryshimet e miratuara në Komisionin e Reformës Zgjedhore, tha se “dispozita nënkupton pranimin e të hollave ose të mirave dhe kryerjen e votimit sipas vullnetit të atij që ia ka dhënë. Ndoshta ne mund të zëvendësonim fjalën ‘për të kryer’ me fjalën ‘kundrejt kryerjes’. Na shkon më mirë kështu”. Një tjetër shqetësim i deputetëve demokratë Gumi e Çobaj ishte paragrafi i parë i të njëjtit nen, sipas të cilit, “ofrimi ose dhënia e të hollave apo të mirave materiale, bërja e premtimeve për vende pune ose për favorizime të tjera në cilëndo formë, me qëllim që të marrë firmën për paraqitjen e kandidatit, për të votuar në një mënyrë të caktuar apo për të marrë pjesë ose jo në votime, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me burgim nga gjashtë muaj gjer në dy vjet”. Sipas Ramiz Çobës, rasti kur një kandidat, për të fituar zgjedhjet premton se do të marrë disa persona në stafin e tij, nuk duhet të dënohet. Në të njëjtën kohë, Viktor Gumi, i cili doli kundër kësaj dispozite, tha: “Është e njëjta gjë kur thuhet se do të bëhet anëtar i stafit”. Por edhe në këtë rast, kreu i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali, e mbylli debatin duke thënë: “Je i mirëpritur të shkosh anëtar i stafit të kandidatit. Nuk ka lidhje. Premtimi elektoral është i dallueshëm qartë nga pazari për votën. Dispozita dënon pazarin për votën”. Gjatë mbledhjes së Komisionit u miratua edhe dispozita që ka të bëjë me braktisjen e detyrës nga anëtarët e komisioneve të zgjedhjeve. “Braktisja e detyrës apo refuzimi për të kryer detyrën pa shkaqe të ligjshme nga anëtarët e komisioneve të zgjedhjeve ose anëtarët e grupeve të numërimit përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me burgim nga gjashtë muaj gjer në dy vjet”, thuhet në paragrafin e parë të nenit 330/a.

Debati në Komision
Fatos Hoxha:
Paragrafi i dytë mua më duket personalisht i panevojshëm. Nëse këta persona i pranojnë ofertat në lekë dhe në të holla, por nuk e kryejnë atë akt, përse do të quhet kundërvajtje penale? Them se nuk qëndron.
Armando Subashi: Çdo zgjedhës që i pranon të hollat, do të dënohet.
Ilir Rusmali: Dispozita nënkupton pranimin e të hollave ose të mirave dhe kryerjen e votimit sipas vullnetit të atij që ia ka dhënë. Ndoshta ne mund të zëvendësonim fjalën “për të kryer” me fjalën “kundrejt kryerjes”. Na shkon më mirë kështu.
Enkelejd Alibeaj: Po premtimet elektorale? Edhe ky është një problem i madh. Ka të bëjë me lirinë e opinionit të njeriut dhe nuk mund të penalizohet tjetri, pavarësisht se mund të injektohet me të holla, me të mira materiale.
Ramiz Çobaj: Te paragrafi i parë i nenit 328 thuhet “bërja e premtimeve për vende pune”. Unë kandidoj për kryetar komune dhe dua të grumbulloj njerëz influentë rreth meje për të fituar zgjedhjet. U them bëhu me mua se ty do të të bëj nënkryetar, tjetrin shef tatim-taksash e me radhë. U premtoj se do të jenë pjesë e stafit. Mos ka nevojë për ndonjë saktësim këtu?
Fatos Hoxha: Kjo duhet të hiqet se nuk ka sens.
Viktor Gumi: Është e njëjta gjë kur thuhet se do të bëhet anëtar i stafit.
Ilir Rusmali: Je i mirëpritur të shkosh anëtar i stafit të kandidatit. Nuk ka lidhje. Premtimi elektoral është i dallueshëm qartë nga pazari për votën. Dispozita dënon pazarin për votën.
Enkelejd Alibeaj: Fenomene si Ruzhdia dhe Shijaku duhen penalizuar. Jam dakord me sintaksën e përdorur, por nuk duhet të jetë togfjalëshi “pa shkaqe të ligjshme”.
Shega Ligori: Kur merret vula nuk është grabitje.
Ilir Rusmali: O Shegushe, unë nuk jam xheloz për fjalën që nxjerr nga goja. Gjej ti fjalën më të mirë, moj zemër, por çoje në thelbin e kompromisit.
Sajmir Tahiri: Tani që i the “zemër”, nuk e mbajmë me veten ne.

ADI SHKEMBI

 

© Panorama.al

Te lidhura