Papunësia në përgjithësi dhe papunësia e të rinjve në veçanti rëndojnë sot mbi miliona njerëz dhe familjet e tyre. Papunësia e lartë e të rinjve po dëmton cilësinë e kapitalit human, që është faktor shumë i rëndësishëm për rritjen e produktivitetit, prodhimit dhe aftësisë konkurruese të çdo vendi.
Papunësia ka qenë e lartë edhe përpara krizës aktuale, kjo e fundit e çoi atë në nivele jashtëzakonisht të larta, deri edhe në 50% për të rinjtë. Ajo ka goditur jo vetëm të paarsimuarit apo të pakualifikuarit, por edhe të rinjtë që kanë shpenzuar shumë për mirarsimimin e tyre.
Ulja e papunësisë kërkon reformim të tregut të punës në përgjithësi; një debat i veçantë bëhet për masat specifike për biznesin e vogël dhe të mesëm. Këto reforma duhet të nxisin dhe lehtësojnë lindjen dhe rritjen e kompanive të reja, që janë burimi kryesor i punësimit dhe uljes së pabarazisë. Studimet vërtetojnë një lidhje të fortë midis papunësisë dhe pabarazisë shoqërore, e cila përbën sot një nga burimet e tensioneve sociale dhe paqëndrueshmërisë politike, sidomos në vendet në zhvillim. Për të gjitha këto arsye, janë rritur debatet publike dhe elektorale rreth efekteve të rënda sociale dhe politike të rritjes së papunësisë dhe pabarazisë.
Reformat dhe strategjitë e punësimit mund të jenë të shumëllojshme, por ato kërkojnë të mbahen parasysh edhe specifikat e çdo vendi.
Politikat fiskale janë pjesë e tyre, për të rritur kërkesën dhe ofertën në tregun e punës, për të ulur informalitetin në ekonomi, për të nxitur rritjen e produktivitetit dhe novacionit në shërbim të rritjes së aftësisë konkurruese. Politikat fiskale mund të influencojnë tregun e punës nëpërmjet dy kanaleve: taksave dhe përfitimeve sociale. Politika e taksave pas viteve ‘80 ka ndryshuar ndjeshëm. Ato analizohen edhe në këndvështrimin se cila prej tyre e ndikon pozitivisht apo negativisht rritjen ekonomike.
Duke u përqendruar te taksat, debati bëhet më konkret dhe ndoshta edhe më i prekshëm: Cilat janë disa nga zhvillimet e fundit në politikat e taksave dhe si mund të përdoren ato për të nxitur punësimin dhe për të ulur pabarazinë?
Taksimi i kapitalit në të gjitha elementet përbërëse të tij ka tentuar të vijë në ulje. Argumenti kryesor: biznesi do të ketë më shumë interes për të fituar, më shumë interes për të riinvestuar, që do të thotë rritje ekonomike dhe rritje punësimi. Në favor të uljes së taksimit të kapitalit është përdorur edhe argumenti se biznesi mund t’i investojë me më shumë efikasitet të ardhurat e tij, sesa qeveritë që e marrin një pjesë të konsiderueshme të tyre në buxhet dhe i përdorin për të financuar shpenzimet dhe investimet publike. Niveli 10% i tatimit të kapitalit në vendin tonë po e dëmton rritjen ekonomike, pasi ka rritur borxhin. Vetëm pak ditë më parë, presidenti i Komisionit Europian, Barroso, do të theksonte se çdo taksë e paguar më shumë për deficitin dhe borxhin, është një investim më pak për arsimin dhe shëndetësinë.
Taksimi i punës – konsiderohet i rëndësishëm në nxitjen e tregut të punës. Shqetësimi rritet për diferencën midis pagës bruto dhe pagës neto. Sa më e vogël kjo diferencë, aq më pak është taksuar puna, aq më shumë nxitje për punë kanë punëdhënësit dhe punëmarrësit. Sa më i lartë taksimi, aq më i madh risku i nxitjes së informalitetit dhe rënies së interesit për hapje vendesh pune dhe për punësim. Ulja e taksës së punës në vendin tonë ka dështuar, sepse rënia e të ardhurave në buxhet nuk u kompensua nga ulja e informalitetit, por nga rritja e pagave të referencës, rritja e gjobave dhe korrupsionit. Dështimi i saj ka përkeqësuar skemën e sigurimeve shoqërore, një barrë që rritet mbi taksapaguesit tanë.
Taksimi i konsumit – kalimi i barrës së taksimit mbi konsumin ul të ardhurat reale nga paga dhe përfitimet sociale. Sipas FMN-së, gjatë 20 viteve të fundit është ulur taksimi i kapitalit me rreth 1.5% të GDP-së dhe në të njëjtën masë është rritur tatimi i konsumit. Kjo zhvendosje e barrës fiskale godet shtresat me të ardhura të ulëta dhe rrit pabarazinë. Personat me të ardhurat më të ulëta paguajnë me rëndë zhvendosjen e taksave drejt konsumit. Pagat dhe përfitimet sociale pësojnë goditje të rëndë nga rritja e çmimeve dhe rritja e taksave. Në rastin e taksave të konsumit, rritja e barrës fiskale vjen edhe pa rritur nivelin e taksës (TVSH-së), pasi këto taksa janë në vlerë mbi çmimet. Rritja disa herë e çmimeve të mallrave të konsumit pas vitit 2005 ka ulur ndjeshëm fuqinë blerëse të pagave dhe të pensioneve, që së bashku me rritjen e pabarazisë dhe varfërisë, ndihen sot në nivele kritike në vendin tonë
Kjo situatë imponon politika më të qarta të mbrojtjes dhe mbështetjes sociale për shtresat me të ardhura të ulëta. Në aspektin afatshkurtër, të ardhurat “shtesë” të rritjes së taksimit të konsumit duhet të përballojnë kostot e politikave të mbrojtjes sociale, duke e luftuar varfërinë.
Në aspektin afatgjatë, ekspertët këshillojnë reforma më të plota në tregun e punës. Ata rekomandojnë reforma që rrisin dhe përmirësojnë cilësinë e kërkesës dhe ofertës së punës. Cilësia e kërkesës ka të bëjë me pagat dhe përfitimet që u ofrohen të punësuarve, ndërsa cilësia e kërkesës për punë ka të bëjë me faktin që veç papunësisë ciklike, është shqetësuese papunësia strukturore. Ka një mospërputhje midis njohurive të punonjësve/ekspertëve që kërkon tregu i ri dhe njohurive që kanë punëkërkuesit e rinj. Papunësia e lartë strukturore tregon cilësinë e dobët të sistemit të arsimit dhe kualifikimit të përhershëm.
Për t’u përballur me papunësinë në periudha afatshkurtra, mund të arrihen efekte pozitive të përkohshme nga ulja e taksimit të punës, nga aplikimi i subvencioneve të pagës për punonjësit e rinj dhe nga rritja e punëve publike, prej tyre përfitojnë njerëzit me kualifikim të ulët dhe të ardhura të ulëta.
Duke analizuar biznesin e vogël dhe të mesëm, avantazhet dhe disavantazhet e tyre, studiuesit këshillojnë që fokusi i nxitjes së punësimit të ketë në qendër disa elemente me impakt të ndjeshëm dhe të qëndrueshëm në zhvillimin e tyre dhe në hapjen e vendeve të punës.
Këtu mund të mbahen parasysh:
1. Rritja e aksesit për burime financimi, të cilat duhet të synojnë mundësi më të mëdha dhe më të shpejta financimi, ulje të kostos së financimit, ulje të kohës dhe kostos së pengesave administrative dhe korrupsionit.
2. Subvencionimi i pagave – mund të përdoret me efikasitet për periudha afatshkurtra për punonjësit e rinj. Kjo shton numrin e të punësuarve, ul barrën e përfitimeve sociale dhe krijon premisa pozitive për të papunët dhe me aftësi të kufizuara, që të zhvillojnë aftësitë për biznes dhe punë të përhershme.
3. Skema e granteve – mund të përdoret me efikasitet për të nxitur zhvillimin e sektorëve, profesioneve dhe zonave të caktuara, që kanë vështirësi për t’u zhvilluar apo mund të zhvillohen më shumë. Nga skemat e financimit me kredi, grante apo subvencione të pjesshme, duhet të përfitojnë kryesisht ata që po krijojnë vende të reja pune, apo që reduktojnë shkurtimet e tyre në periudha krize.
4. Skema e garancive – e cila në thelb, nëpërmjet ndarjes së risqeve midis biznesit, institucioneve financuese dhe qeverisë, lokale apo qendrore, e nxit biznesin të investojë, të ketë më shumë të punësuar dhe të jetë sa më i suksesshëm.
Të katër këto instrumente duhet të jenë pjesë e reformave dhe strategjive që inkurajojnë dhe mbështesin rritjen e biznesit të vogël dhe të mesëm dhe duhet të lehtësojnë arritjen e objektivave sociale më të qenësishme të çdo vendi: rritjen e punësimit, uljen e pabarazisë dhe luftën kundër varfërisë.
© Panorama.al












