Papandreu pezullon formatimin e qeverisë, të dielën votëbesimi

Jun 17, 2011 | 9:48

Greqia është zhytur në një krizë të thellë jo vetëm financiare, por tashmë edhe politike.Planet e Kryeministrit grek, Jorgo Papandreu, për të ndërtuar një qeveri gjithëpërfshirëse shpëtimi, dështuan. Dje ai nuk arriti as të formatojë kabinetin e tij. Përçarjet kanë nisur të shpërfaqen brenda socialistëve dhe askush nuk duket të ketë ndonjë ide se si mund ta nxjerrë vendin nga kriza më e keqe në historinë e tij. Dy zyrtarë të lartë të partisë PASOK dhanë dorëheqjen pasi nuk mundeshin më të miratonin në Parlament masa të tjera të ashpra kursimi, të cilat do të rëndonin akoma më shumë mbi kurrizin e qytetarëve grekë, që nuk po reshtin nga grevat e protestat. Deputetë të tjerë socialistë pritet të pasojnë lëvizjen e tyre. Pas dështimit të së mërkurës për formimin e qeverisë së shpëtimit kombëtar dhe vendimit të kryeministrit Papandreu për të kryesuar një skemë të re qeveritare të reformuar, situata po përshkallëzohet. Dorëheqjet brenda strukturës së tij politike e detyruan Papandreun të pezullojë “de fakto” përpjekjen për formatimin e skemës qeveritare. Të dielën, në Parlamentin grek do të votëbesohet edhe një herë qeveria e Papandreut, e zgjedhur në vitin 2009, por në formatin e saj aktual. Papandreu, pas një fjalimi mbrëmjen e së mërkurës para kombit, se ai do të luftonte për të çuar deri në fund detyrën e tij dhe se të gjithë së bashku duhet të marrin përsipër përgjegjësitë për ta nxjerrë vendin nga kriza, u bëri thirrje deputetëve që shprehën kërkesën për t’u larguar që të qëndrojnë. Edhe një tjetër zyrtar i lartë i PASOK-ut bëri një thirrje të dëshpëruar për të mbajtur deputetët në detyrë, ku numri i atyre që dorëzuan mandatin dje shkoi në katër. “Nuk i shërbejmë vendit duke u larguar, por duke mbetur këtu ku na ka caktuar populli”, tha deputeti Apostollos Kakllamanis. Opozita ka kërkuar zgjedhje të parakohshme, por Papandreu është shprehur kategorikisht kundër tyre, duke i konsideruar “bombë” për vendin. Partia Komuniste dje zbriti në shesh për të protestuar me kërkesën për zgjedhje të parakohshme. Ndërsa Presidenti i vendit, Karolos Papulias, u apeloi politikanëve që “të mos e kthejnë krizën financiare në krizë të demokracisë”.

Sarkozi
Presidenti francez, Nikola Sarkozi, kërkoi nga vendet anëtare të Bashkimit Europian që të mbështesin Greqinë për të dhënë prova të shpirtit të përgjegjësisë për mbrojtjen e euros. Sipas Sarkozisë, monedha e përbashkët europiane ndodhet nën kërcënimin e vazhdueshëm prej krizës së borxhit grek. Ai ka kërkuar gatishmëri për kompromise. Apeli i tij u bë gjatë një fjalimi në Paris, me rastin e Forumit të Agrikulturës.

Rehn
Komisioneri i Çështjeve Ekonomike në BE, Olli Rehn, tha se mbështetësit e 17 kombeve të Eurozonës duhet të bien dakord në bisedimet 11-orëshe në Luksemburg të dielën dhe të hënën, për t’i siguruar Greqisë 8.7 miliardë euro, pjesë e 12 miliardë eurove të këstit të pestë të huas së Athinës. Ai tha se pret që FMN-ja ta japë pjesën e vet prej 3.3 miliardë eurosh, i cili është vënë në dyshim që pas parashikimeve negative për ekonominë në Athinë.

© Panorama.al

Te lidhura