Papandreu: Nuk e jap dorëheqjen

Jun 16, 2011 | 9:24

Kryeministri grek, Jorgo Papandreu, i ka mohuar paralajmërimet mediatike se do të japë dorëheqjen nga posti i tij.Në një fjalim të mbajtur për kombin nga pallati kryeministror, Papandreu ka deklaruar: “Nuk e jap dorëheqjen”. Kryeministri grek ka akuzuar partinë kryesore opozitare, “Demokracia e Re”, se përdori situatën në favor të saj. “Kërkova që kjo përpjekje të marrë karakter kombëtar. Bëra vazhdimisht propozime bashkëpunimi dhe këtë ua përsërita të gjithë krerëve të partive. Vendosa se nuk do të heq dorë nga përgjegjësitë e mia, pasi opozita reagoi me kushte. Unë jam mësuar të luftoj për atdheun. Ne duhet të marrim të gjithë përgjegjësitë e veprimeve tona. Do të vazhdoj në të njëjtën rrugë, rrugën e detyrës. Nesër, unë do të formoj një qeveri të re dhe do të kërkoj për të votëbesimin në Parlament. Është koha e përgjegjësisë”, ka deklaruar kryeministri grek për kombin e tij. Mediat greke dhe ato ndërkombëtare, gjatë ditës së djeshme kanë raportuar dorëheqjen e mundshme të Papandreut, bazuar në burime nga “Demokracia e Re”, por edhe zëra nga qeveria greke. Sipas zyrtarëve në qeverinë greke, Papandreu ka zhvilluar një bisedë 20-minutëshe me kreun e “Demokracisë së Re”, Antonis Samaras, ku është shprehur “Nëse gjykon se unë jam problemi, atëherë unë hap krahun. Nuk më ka interesuar kurrë karrigia. Pranoj të mos jem kryeministër, nëse do të ketë axhenda për të ndërtuar një qeveri bashkëpërfshirëse”. Në bisedën mes tyre, u diskutua që në ministritë kryesore të vendoseshin persona konsensualë, të pranueshëm nga të gjitha palët. Para fjalimit të tij, Papandreu u takua me Presidentin Karolos Papulias dhe të gjithë liderët e partive të tjera politike, të vjetra e të reja. Tashmë, vendi helen është mbërthyer nga paqartësia politike. Situata në këtë vend ka ndikuar edhe në tregjet financiare, ku euro ka pësuar rënie të shpejtë, me më shumë se 1.5 për qind kundrejt dollarit. Mediat greke shkruan se Samaras nuk e kishte refuzuar propozimin e Papandreut, por e ka bërë të qartë se ai nuk mund të punojë me Papandreun si kryeministër. Samaras e kishte bërë të qartë kushtin e tij, se një rinegociim  substancial i termave të memorandumit për borxhet e Greqisë (me FMN-në dhe BE-në) duhet të nisë menjëherë, në këmbim të marrëveshjes për një qeveri gjithëpalëshe. Greqia ka rënë dakord për një sasi 6.48 miliardë eurosh, në masa të tjera shtesë kursimi për këtë vit dhe më shumë kursime deri në 2015 për të shkurtuar deficitin e vendit, sipas një dokumenti të BE/FMN. Borxhi i qeverisë greke është 340 miliardë euro. PASOK tha se e ka trashëguar borxhin dhe krizën e buxhetit nga “Demokracia e Re” në vitin 2009, por deri tani gjithnjë e kishte theksuar se do ta plotësojë mandatin e saj katërvjeçar. Kryeministri është kundër zgjedhjeve të reja, të cilat i konsideron një “bombë” për vendin e rrënuar ekonomikisht.

340 miliarde euro
është borxhi i Greqisë kundrejt FMN-së dhe BE-së, ndërsa vendi ka hyrë në vitin e tretë të recesionit. Papunësia në mars shënoi rekordin 16,1 për qind dhe ministri i Punës, Luka Kutseli, tha dje se deputetët e PASOK duan të dinë nëse sakrificat që grekët po bëjnë për huan 110 miliardëshe të FMN-së po japin ndonjë fryt.

Protesta

Policia greke ka hedhur gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit përpara sheshit të Parlamentit, Sintagma, ndërsa deputetët përgatiteshin për debatin mbi masa të reja kursimi të kërkuara në paketën e re të shpëtimit të ofruar nga Bashkimi Europian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. Policia ka bllokuar rrugët që të çonin drejt sheshit “Sintagma” dhe ka krijuar një kordon mbrojtës për parlamentarët, ndërkohë që protestuesit godisnin me kos dhe gurë në drejtim të Parlamentit. Protestuesit janë kundër privatizimeve, masave të reja të kursimit dhe korrupsionit.

“Imponimi”

Lideri i opozitares konservatore greke ka qenë i pari që i ka kërkuar kryeministrit grek të japë dorëheqjen. “Lideri i Demokracisë së re, Samaras, i ka kërkuar Papandreut të japë dorëheqjen dhe të caktohet një tjetër person si kreu i qeverisë, një person që të jetë i pranueshëm nga të dyja palët”, ka deklaruar për “Reuters” një zyrtar i Demokracisë së Re. Zyra e Papandreut nuk e ka komentuar këtë raportim.

Plani

Kryeministri grek, Jorgo Papandreu, tha për deputetët dje gjatë diskutimit të planit të ashpër të kursimit, se ka nxjerrë në rrugë mijëra grekë për protesta, se “për një plan të tillë, ekzekutivi eventual i bashkuar duhet të garantojë një mbështetje të plotë, pa tentuar ta rrotullojë dhe modifikojë. Plani kërkon edhe një masë më të shpejtë privatizimi për kompanitë dhe aksionet shtetërore greke.

Paralajmërimi për rebelimin parlamentar

Qeveria greke ka paralajmëruar kundërshtarët brenda partisë se refuzimi i planit të ri të kursimit nën një marrëveshje të re ndërkombëtare borxhi, do të ndikojë në rëndimin e ekonomisë së vendit. Papandreu u takua dje me zyrtarët më të lartë të Partisë Socialiste për të vënë nën kontroll trazirat mbi kostot sociale të borxhit, përpara se ai të kthehet në një rebelim të plotë parlamentar. Papandreu tha në këshillin e partisë së tij, PASOK, se masa të reja kursimi e presin vendin, në planin e tij fiskal për periudhën 2011-2015.

© Panorama.al

Te lidhura