Qeveria e kryeministrit Jorgo Papandreu, ashtu siç pritej, e fitoi besimin e shumicës në Parlamentin e Athinës.Megjithatë, kjo “fitore” e Papandreut duket se nuk mund ta ndryshojë situatën në vendin e zhytur në borxh. Analistët e kishin parashikuar fitoren e votëbesimit të Papandreut, i cili zotëron shumicën në Kuvendin grek, por përsëri ai nuk e ka më mbështetjen popullore për planet e reja të kursimit, që janë vënë kusht nga financuesit europiane dhe të FMN-së, siç kanë treguar edhe sondazhet e fundit. Por, planet e kursimit janë rruga e vetme që mund të ndjekë Papandreu për të shpëtuar Greqinë nga falimentimi. Pas miratimit të qeverisë, pritet edhe miratimi i programit afatmesëm, i cili votohet të enjten. Bashkimi Europian ka vënë kusht miratimin e platformës së re kursimtare të buzëdetit grek, në këmbim të dhënies së këstit të fundit të paketës së parë huadhënëse nga FMN, BQE dhe BE. Shumë nga të revoltuarit mendojnë se masat e kursimit të Papandreut nuk do ta shpëtojnë vendin nga falimentimit. Leonidas Vatiqotis, i majtë grek, tha për “DW” se vazhdimi i kursit të ndjekur përbën “shkelje të vullnetit popullor”. “Ajo që kërkuan punonjësit, pensionistët dhe të rinjtë anekënd Greqisë, ishte mosvazhdimi i kësaj politike. Por, ajo që pamë, ishte një reformim kabineti dhe skenarë të bollshëm politikë, që kishin për synim se si do të vazhdohej kjo politikë”, tha ai. Marrja e votëbesimit nga qeveria greke shtron rrugën për miratimin masave të reja të kursimit dhe fitimin e menjëhershëm të parave që do ta ndihmojnë atë të ecë përpara deri në shtator. Kësti prej 12 miliardë eurosh do ta ndihmojë Greqinë të paguajë një pjesë të borxhit dhe të ecë përpara deri në shtator. Pas kësaj, Greqia përballet ende me vështirësi për të fituar dhjetëra miliardë të paketës më të madhe të huas nga FMN-ja dhe BE-ja, e cila është thelbësore për mbijetesën e saj vitin e ardhshëm.
Rritet euro-ja
Njoftimet optimiste se kryeministri grek, Jorgo Papandreu do ta merrte besimin e qeverisë së tij të riformuar, në Parlamentin e Athinës, kanë ndikuar në rritjen e euros në tregjet ndërkombëtare. Euro u rrit me 0,53 për qind pasditen e djeshme, pasi analistët shprehën besimin e votës pozitive në Kuvendin grek.
Protesta
Mijëra të revoltuar kanë hyrë sot në ditën e 24-të radhazi të protestave, simboli i të cilave është bërë sheshi para Parlamentit, “Sintagma”. Në mesnatë të revoltuarit rrethuan në mënyrë simbolike Parlamentin, ndërsa votohej mocioni i besimit të qeverisë së reformuar të Papandreut. Sot mbërrijnë në shesh edhe 30 të revoltuarit e nisur në këmbë të dielën nga Sparta e Peloponezit, pasi kanë kryer në këmbë 245 km.
© Panorama.al











