
Merkel, pas takimit me Sarkozinë: Koha për Greqinë po mbaron
Liderët europianë kanë paralajmëruar Greqinë se koha për të përmbushur kushtet për marrjen e paketës 130 miliardë euro po mbaron. Presidenti francez, Nikolas Sarkozi, u takua dje me kancelaren gjermane, Angela Merkel në Paris, ndërkohë që Kryeministri teknokrat, Lukas Papademos, mbajti një tjetër takim me përfaqësuesit e trojkës për të gjetur nj gjuhë të përbashkët mbi reformat e ashpra që kërkojnë kreditorët nga vendi i rrënuar nga kriza e borxhit. Të dielën ishte vendosur një afat i fundit nga europianët, por edhe politikanët grekë, me shpresën se deri atëherë në darkë ata do të kishin arritur një marrëveshje mbi paketën e re të kursimit dhe kushtet që duhet të plotësonte Greqia për të fituar besimin e kreditorëve të huaj. Por pas pesë orësh takimi me liderët e tjerë të koalicionit të unitetit dhe debateve të ashpra mes liderëve të ideve të ndryshme, Kryeministri Papademos vendosi ta shtyjë për të hënën mbledhjen me Jorgo Papandreun e PASOK-ut, Antonis Samaras të “Demokracia e Re” dhe Jorgo Karaxhaferis të LAOS-it. Këta dy të fundit janë kategorikisht kundër propozimit të trojkës për reduktimin në 25 për qind të pagave të sektorit privat dhe të pensioneve. “Me propozimin e këtyre masave, ata po na kërkojnë ne një recesion më të thellë, që vendi nuk mund ta përballojë, unë do të luftoj që ta evitoj këtë”, tha Samaras pas takimit me Papademos. Dje u njoftua se Papademos do të përpiqet të gjejë një gjuhë të përbashkët me trojkën dhe më pas do të mbledhë liderët politikë në vend për të bazuar diskutimet e tij mbi marrëveshjet paraprake, që do të thotë se për marrëveshje apo jo mes tyre duhet të pritet dhe 24 orë të tjera. “Nuk mundem ta kuptoj pse na duhen edhe disa ditë, koha kalon”, tha Merkel dje pas takimit me Sarkozinë. Mbeten shumë pyetje të hapura, se sa shumë ndihmë do t’i duhet Greqisë, sa shumë masa kursimi duhet të marrë Greqia dhe si të përfshihet Banka Qendrore Europiane në “qethjen” e borxhit të qeverisë greke ndaj kreditorëve privatë. Liderët e BE-së dhe FMN-së kërkojnë që programi të mbështetet edhe në garancitë e kreut të opozitës, Samaras, i cili udhëheq sondazhet për të marrë drejtimin e qeverisë së ardhshme greke, e cila duhet të zbatojë masat e kursimit.
Propozim për zgjatje mandati
Jorgo Papandreu, ish-kryeministri i Greqisë i cili drejton ende socialistët e PASOK-ut me shumicën në Parlamentin grek, në një letër drejtuar Kryeministrit aktual teknokrat, Lukas Papademos, propozon zgjatjen e mandatit të tij për të nxitur besimin mes liderëve mbi angazhimet që duhet të merren e zbatohen. Por ky opsion nuk pritet të mbështetet nga Samaras, i cili mezi po pret zgjedhjet e reja.
© Panorama.alGurë Presidentit
Shtëpia e Presidentit grek, Karolos Papulias, është sulmuar me gurë nga persona ende të paidentifikuar. Shtëpia ndodhet në qendër të Athinës dhe është sulmuar nga një grup prej rreth 30 personash, të cilët kanë arritur të dëmtojnë hyrjen si dhe makinat e parkuara jashtë saj. Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë përsipër një grup anarkistësh me paralajmërimin se aksione të tilla do të vazhdojnë. Arsyeja: refuzimi për të liruar me kusht një grup të burgosurish anarkistë.











