Përpara një turme të stërmadhe me miliona njerëz, spanjollë dhe turistë, Papa Benedikti XVI është detyruar t’i bjerë shkurt fjalimit të tij, gjatë të cilit nisi një stuhi. Ndërsa Papa fliste, dukej sikur qielli u hap dhe nëpër të kaloi një vetëtimë e madhe. Mijëra njerëz në shesh mbuluan kokat me bluzat e tyre apo me plastmasë të rastit, gjatë lutjes në festivalin e të rinjve të Kishës katolike në Spanjë. Gjysmë ore pas vetëtimës nisi shiu dhe Papa u detyrua të shkurtojë fjalimin e të kalojë te përshëndetjet në gjashtë gjuhë të botës. Me gjithë shiun, panorama tek aeroporti “Cuatro Vientos” ishte festive dhe plot ngjyra, me pelegrinët që mbroheshin nga shiu me kapela dielli dhe kërcenin duke tundur secili grup flamurin e vet kombëtar. Në fillim, në sheshin para aeroportit ku mbërriti Papa, ishin mbledhur mijëra pelegrinë të rinj, të cilët rezistuan aty me gjithë temperaturën 40 gradë celsius, ndërsa zjarrfikësit kishin përdorur makinat e tyre për të freskuar turmën. Më pas, sapo u bë e qartë se fjalimi nuk do të vazhdonte për shkak të shiut, organizuesit i thanë turmës se kishin kërkuar më shumë shi gjatë ditës, sepse ishte shumë nxehtë dhe lutjet e tyre kishin marrë përgjigje.











