Paolo Rago: Si e “përvetësoi” Kanunin Enver Hoxha

Feb 17, 2012 | 12:36

Paolo Rago

U prezantua dje libri i studiuesit italian.

Një libër që trajton traditën, nacionalizmin dhe komunizmin në Shqipërinë bashkëkohore.

Të mësuar me trajtimet militante, ku në varësi të bindjeve politike, majtas apo djathtas, njëra palë nxin tjetrën, studiuesi italian Paolo Rago na vjen si një zë tërësisht asnjanës.

Të qenit i huaj e bën atë të ftohtë, por duke qenë nga një vend fqinj, nuk i mungon ndjeshmëria. Libri “Tradita, nacionalizmi dhe komunizmi në Shqipërinë bashkëkohore”, i përkthyer nga Agim Doksani, një botim i shtëpisë botuese “Dudaj”, u promovua dje në Tiranë. Në këtë ceremoni mori pjesë edhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, ambasadori italian në vendin tonë, Masimo Gaiani, shefi i Seksionit Politik të Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Klaijv Rumbold, drejtoresha e Arkivit të Shtetit, Nevila Nika, profesori Augusto D’Angelo i universitetit “La Sapienca”, Avokati i Popullit, Igli Totozani, studiues dhe historianë. “Ai e shikon Shqipërinë nga larg, por njëkohësisht edhe nga afër, në raportet me të tjerët dhe raportet brenda nesh, në keqkuptimet midis asaj se si ne e gjykojmë veten tonë dhe se si na gjykojnë të tjerët, – pra në një pozicion sa komod, aq edhe të vështirë, duke ofruar një nga botimet më të arrira në trajtimin e çështjeve të tilla”, tha Presidenti Topi, duke shprehur një falënderim për të gjithë ata historianë të huaj, të cilët kanë dhënë kontributin e tyre për zbardhjen e historisë së Shqipërisë. Libri “Tradita, nacionalizmi dhe komunizmi në Shqipërinë bashkëkohore” ngërthen një hark të gjerë kohor, gjatë të cilit nuk shihet historia shqiptare

Gjatë promovimit të librit të Paolo Rago

vetëm në mënyrë vertikale. Rago tenton të hyjë thellë në mentalitetin e shqiptarëve, duke i kushtuar një vëmendje të veçantë në librin e tij traditës, të drejtës kanunore, fesë, miteve, gjuhës dhe përmes tyre ai përpiqet të shpjegojë ngjarje të mëdha në Shqipëri, në veçanti instalimin e komunizmit. Ku u mbështet Enver Hoxha për të vendosur diktaturën dhe për të forcuar pozitat e tij, si i shfrytëzoi anët e “errëta” të Kanunit, mentalitetin patriarkal, duke shkatërruar klanet fisnore dhe duke ngritur një tjetër klan, atë partiak. Si e shfrytëzoi origjinën e lashtë të shqiptarëve duke impenjuar të gjitha forcat e historianëve dhe të studiuesve. Ai fuqizoi mitin e Skënderbeut etj. Më shumë se një paraqitës faktesh, Rago është një analist i tyre. Fakti që prej 20 vitesh ai jeton në Shqipëri, ka shtetësi shqiptare, i angazhuar në detyra të rëndësishme pranë UNICEF-it, Bankës Botërore etj., ai ka arritur të kuptojë shumëçka nga natyra e shqiptarëve. Kjo e ka ndihmuar që t’u shkojë disa çështjeve në origjinë apo të hedhë disa teza interesante, siç është ajo “formulës” së Trinisë së Shenjtë, të përdorur nga diktatori Enver Hoxha (Enver-Parti-Pushtet). Më poshtë, nga libri “Tradita, nacionalizmi dhe komunizmi në Shqipërinë bashkëkohore”, kemi shkëputur pikërisht dy pjesë që hedhin dritë mbi këtë tezë dhe raporti i komunizmit me Kanunin e Lek Dukagjinit, me mënyrën se si u përdor ky i fundit dhe si u ngrit klani i ri, i ngritur jo më mbi baza fisnore, por partiake.
* * *
Pjesë nga libri

Diktatori
…Enver Hoxha ishte i vetmi që kishte tagrin të përpunonte ideologjinë zyrtare të Partisë, të përkufizuar në mënyrë të thjeshtëzuar si enverizëm, përfaqësuese të një interpretimi kryekëput të lirë të doktrinës komuniste me ndikim nacionalist. Filozofia që qëndron në themel të saj bazohej në faktin që ndërmjet masave, të udhëhequra nga Partia, dhe udhëheqjes, të lindte një komunikim frytdhënës, i frymëzuar dhe i udhëhequr nga themeluesi, duke u mbajtur për këtë rol mesianik që ngërthente si “mishërim i fjalës së shenjtë marksiste-leniniste në Shqipëri”. Sipas interpretimit të autorizuar të klasës drejtuese, me qëllim që të shmangen gabimet e vendeve të socializmit real, qarkullimi
i mendimit nuk duhet të ndodhte vetëm në një kah, me një fjalë, vetëm nga lart-poshtë, por edhe anasjelltas. Pra, nuk ishte vetëm Partia nëpërmjet Sekretarit të Përgjithshëm që përcaktonte vijën udhëheqëse, duke i bërë kështu masat të vetëdijshme për detyrat dhe detyrimet e tyre, por ishte vetë populli që u shprehte udhëheqësve dhe përgjegjësit më të lartë kërkesat dhe pritshmëritë e tij, në përputhje me parullën e njohur: “Ç’do populli bën Partia dhe ç’thotë Partia bën populli”. Përhapja e doktrinës enveriste dhe kalimi i informacioneve ndërmjet popullit, partisë dhe udhëheqësit të saj, fitonte në këtë mënyrë një karakter vazhdimësie të pandërprerë dhe një efektshmëri të padiskutueshme. Por, nëse vëzhgohet me vëmendje leksiku i përdorur për të përshkruar unitetin e pandashëm ndërmjet Enver Hoxhës, popullit dhe Partisë (Enver–popull-Parti), s’ka se si të mos bjerë në sy përdorimi i një shprehjeje trinie të ngjashme –me gjasa jo krejt rastësore– me nocionin e Trinisë së krishterë (Atë-Bir-Shpirt i Shenjtë). Me qëllim që ta bënte më të përvetësueshme doktrinën socialiste për masat e fshatarëve analfabetë, sidomos për ata të fesë së krishterë, që pa dyshim ishin krejt të zhveshur nga parimet marksiste, por jo krejt të paditur në kulturën fetare, përdorimi i figurës së trinisë nuk u shpërfill nga Partia. Qëllimi ishte që në opinionin publik të arrihej uniteti i tërë popullit rreth udhëheqjes, duke u shkrirë e bërë një me themeluesin e saj. Duke pasur parasysh të tilla parakushte, krahasimi me Trininë e Shenjtë nuk tingëllon i pavend. Të paktën në një fazë fillestare, enverizmi u shfaq si një metodë komunikuese bindëse, duke e zbuluar veten si një ndërmjetës të nevojshëm për të arritur unitetin e lakmuar ndërmjet popullit dhe kreut, unitet që duhet të ishte “i çeliktë”. E shpallur si e vërteta më e madhe që rridhte nga zbatimi shkencor i mendimit të dy ideologëve më të mëdhenj të socializmit, Marksit dhe Leninit, enverizmi u përhap nga Byroja politike e Partisë, strukturë e kontrolluar nga diktatori dhe e vetmja nën udhëheqjen e tij që ishte e autorizuar të zotëronte “monopolin e interpretimit të marksizëm-leninizmit”.
Cilido qoftë gjykimi i historisë për njeriun dhe politikanin Enver Hoxha, do të ishte gabim të mos i jepej rëndësi ndryshimit
rrënjësor që pësoi Shqipëria pas përfundimit të luftës së Dytë Botërore. Vendi mori një dukje më moderne dhe hyri në marrëdhënie më të shumta me botën e jashtme, më shumë nga ç’kishte ndodhur deri atëherë. Lidhur me këtë, Emanuela Fabretti shkruan: “Regjimi i Hoxhës, në përpjekjen për të vendosur një kohezion të brendshëm që do të sillte ndërtimin e një shteti kombëtar (nëpërmjet frymës së ndezur nacionaliste), solli gjithsesi një zgjerim të pushtetit shtetëror, një përmirësim në drejtim të një homogjeniteti shoqëror dhe krijoi një sistem Welfare-i minimal për të gjithë. Gjithashtu u shënuan përparime në sektorin e arsimit dhe shëndetësisë, si dhe në emancipimin e gruas, e nevojshme për sistemin prodhues”. Në dyzetë e pesë vjet diktaturë u bë i mundur për herë të parë në historinë shqiptare formimi i një shteti që, sado i dhunshëm dhe çnjerëzor, qe në gjendje të dallohet për një subjektivitet të ravijëzuar. Ndër hapat më kuptimplotë të ndërmarrë vlen të kujtojmë zhdukjen e latifondeve dhe shfuqizimin progresiv të pronës private, që u pasua nga kolektivizimi i bujqësisë e organizuar në kooperativa shtetërore. Duke pasur parasysh kushtet e përgjithshme në të cilat ndodhej vendi në fund të vitit 1944, përmirësimet e arritura në disa sektorë mund të gjykoheshin me peshë. Gjithsesi, për sa U përket kushteve të jetesës në tërësi dhe sidomos për shijen e hidhur që regjimi i la mbarë bashkësisë kombëtare, rezultatet përfundimtare lënë për të dëshiruar.
Tradita e Kanunit dhe familja e re komuniste
…Duke e kuptuar mirë rëndësinë e familjes, Enver Hoxha i çeli udhë eksperimentit guximtar të ndryshimit të konceptit përbrendësor të institucionit familje, duke i spastruar traditat në përpjekje për të modernizuar vendin, dhe duke vënë si pikësynim arritjen e një forme, edhe pse kontradiktore, të oksidentalizimit kulturor. Për këtë ai ishte mjaft i vendosur në shkatërrimin e familjes të tipit klanor, që u quajt arkaike dhe reaksionare, por pavarësisht nga kjo, nuk arriti dot t’i tjetërsojë ato ndjenja bashkimi dhe ato lidhje besnikërie kaq tipike për këtë institucion. Kështu, nëpërmjet përdorimit të pamëshirshëm të dhunës u synua asgjësimi i aspekteve më konservatore të mendësisë patriarkale, pasi ato u zëvendësuan me projektin e ndërtimit të “njeriut të ri” socialist, projekt që depërtoi në brendësi të çdo aspekti të jetës. Aspekti i parë që mori përsipër regjimi ishte këputja e lidhjes me karakter klanor, karakteristikë për familjet e zgjeruara, duke i ndarë e veçuar ato në bërthama më të vogla, në mënyrë që të ushtronte mbi to një kontroll më të lehtë e të hekurt. Për të realizuar këta objektiva, u nuhat se ishte i nevojshëm shkatërrimi i qendrës fizike ku përqendrohej e tërë familja. Kësisoj u vunë në shënjestër kullat që ekzistonin kryesisht në zonat e Veriut apo shtëpitë e mëdha të Jugut, ku etërit me bijtë e me gratë e tyre dhe nipat me gratë përkatëse jetonin prej brezash të tërë. Në këto banesa të lashta, brenda të cilave jetonin edhe kafshë në zotërim të familjes, në rrjedhën e shekujve ishte krijuar një sistem socio-ekonomik në thelb i vetëmjaftueshëm, krejt i mbyllur dhe i papërshkueshëm nga mjedisi përreth, që funksiononte njëlloj për grupe të ndryshme familjare dhe që kishte siguruar mekanizma mbrojtës që nuk haseshin gjetiu. Përpjekja e regjimit ishte, pra, që t’i shpërbënte fizikisht të tilla bërthama njerëzore, në mënyrë që të ndërtonte familjen e tipit njëbërthamëshe, themeli i shoqërisë së re komuniste. Është e lehtë të kuptohet që një kalim i tillë do të ishte një kthesë e madhe në shoqërinë shqiptare dhe do të nxiste një krizë shumë të thellë në shkallën e vlerave tradicionale, duke sjellë me vete futjen e dhunshme të modeleve krejt të reja në një botë të mbyllur hermetikisht, pikat e referimit të së cilës i përkisnin një kulture të patundur në kohë. Por, meqë modeli diktohej nga lart dhe në pjesën dërrmuese të rasteve pranohej me pahir, karakteristika më e spikatur e institucionit të ri familjar qe një dobësi e theksuar, gjë që e bëri atë më të brishtë dhe më të kontrollueshme nga aparati shtetëror. Një kontroll i tillë mund të ushtrohej në shumë forma, për shembull nëpërmjet përfshirjes së fëmijëve, të cilëve në mjedisin shkollor u kërkoheshin informacione të hollësishme mbi jetën familjare. Ndarja e familjeve e nxitur nga politika e shtetit e mprehu tej mase ndjenjën e vetmisë individuale karshi pushtetit të institucioneve. Gjithashtu, ky veprim dëmtoi në mënyrë të pandreqshme dimensionin komunitar, duke qenë se tashmë familjet e reja ishin “qeliza të vendosura njëra pranë tjetrës dhe mes së cilave mbretëronte mosbesimi ose shpërfillja”. Mbikëqyrja e institucioneve nuk u mjaftua me kaq por, duke e pasur më të lehtë detyrën, shteti kërkoi të arrinte sundimin e plotë mbi të gjithë individët…
Përveç kësaj, operacioni i ndërmarrë nga regjimi kishte për qëllim t’i përcillte shumë nga parimet e traditës zakonore –me fjalë të tjera, një pjesë të moralit tradicional– nga figurat e dikurshme të referimit në dobi të strukturave të Partisë Komuniste dhe udhëheqësit të saj. Ndër këto ishte edhe pushteti i kreut të klanit dhe bindja e natyrshme ndaj vendimeve të tij, solidariteti fisnor, përgjegjësia e bashkësisë. Kalimi i detyrimit atavik të besnikërisë ndaj kreut të klanit, në qerthullin më të gjerë të shtetit-parti, ishte një objektiv i rëndësishëm që i vuri vetes Partia e Punës, por një operacion i tillë asgjësoi pikat tradicionale të referimit të pranuara nga të gjithë. Nisma e ndërmarrë synonte zëvendësimin e autoritetit tradicional të Kanunit me atë të Sekretarit të Përgjithshëm, dhe të solidaritetit fisnor me atë të Partisë, vlera që në thelb ishin të bazuara në frikën përnderuese karshi këtyre institucioneve dhe në tmerrin nga reagimet e mundshme. Ky variant i ri i ushtrimit të autoritetit nuk bazohej më në lidhjet e gjakut apo në marrëdhëniet farefisnore, por në konceptet e reja morale të shoqërisë socialiste, të padëgjuara më parë, dhe kjo “thjesht zëvendësonte kolektiven me kolektivizmin”, duke krijuar, përveç të tjerave, një pështjellim semantik, që në fund të fundit ishte funksional për sistemin. Pas vënies në zbatim të këtij vizioni të arrirë, “analogjia ndërmjet autoritetit të padiskutuar të kreut të fisit, i cili sipas rregullave zakonore arrin deri aty sa të ketë të drejtën e jetës dhe të vdekjes së bijve të tij, dhe autoriteti politik që realizohet kur tërë pushteti përqendrohet në duart e një personi të vetëm, është e dukshme”. Me qëllim rrënjosjen përfundimtare të formave të reja të pushtetit, nuk mbetej veçse të zëvendësohej autoriteti i vjetër patriarkal me patriarkun e ri të madh, Enver Hoxhën, bashkëngjitur me kultin e tij të personalitetit. Duke riprodhuar tiparet e mbylljes dhe plotësisë tipike për bashkësitë e kufizuara dhe të lidhura fort pas traditës, regjimi diti të ngjallë një fideizëm popullor, në dukje të paarsyeshëm, pikësëpari në figurën e lartësuar të udhëheqësit, përhapës të vlerave të lashta dhe moderne, por edhe në klasën e re drejtuese në tërësinë e saj. Kjo e fundit sillte përsëri në vëmendje Këshillin e të Urtëve (Pleqnija), organizëm i sanksionuar nga Kanuni dhe i mbledhur rreth patriarkut që kishte për detyrë garantimin e zbatimit të drejtë të rregullave të bashkëjetesës. Klasa e re mjaft e ngushtë e parisë, një lloj “aristokracie e kuqe” në shumicën e rasteve e mbyllur dhe tiranike, në dukje ishte e bashkuar nga përkatësia e përbashkët dhe militantizmi politik, por ishin sidomos besnikëria ndaj patriarkut të ri dhe traditat familjare dhe klanore ato që vlerësoheshin më shumë. Edhe pse hidhej poshtë ideja e familjaritetit brenda institucioneve të partisë-shtet, marrëdhëniet farefisnore mes krerëve më të lartë ishin rregull dhe jo përjashtim: pra, logjikat e traditës jo vetëm që nuk u zhdukën, por ato u paraqitën sërish me përmbajtje të reja dhe në forma të ndryshme nga të dikurshmet. Edwin Jacques-i shkruan: “Struktura e partisë doli se ishte një dinasti e ngjashme me atë të pushtetit familjar që kishte zëvendësuar.
Për tri dekada me radhë […] skenën e dominuan tri familje themeluese”. Në një emision të Radio Moskës –të dhënë nga bashkëshortët Champseix– që u transmetua në vitin 1962 pas prishjes mes dy vendeve, u përshkruan pikërisht lidhjet që ekzistonin mes funksioneve më të larta të regjimit: “Gjysma ose më shumë se 53 anëtarë të Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë janë farefis. Fillimisht kemi katër çifte: Enver Hoxha dhe e shoqja, Nexhmije Hoxha; Mehmet Shehu dhe e shoqja, Fiqret Shehu; Hysni Kapo dhe e shoqja, Vito Kapo; Josif Pashko dhe e shoqja, Heleni Terezi. Gruaja e Manush Myftiut, anëtar të Byrosë Politike dhe gruaja e Pilo Peristerit, anëtar-kandidat, janë motra. Kadri Hazbiu, anëtar i Byrosë Politike dhe ministër i Punëve të Brendshme është burri i motrës së Mehmet Shehut. Vëllai i gruas së Hysni Kapos është Piro Kondi, anëtar i Komitetit Qendror […] më vonë mbesa e Ramiz Alisë do të martohet me Ilirin, djalin e Enver Hoxhës”. Është e qartë që këtu nuk kemi të bëjmë me një nomenklaturë të mirëfilltë, si në vendet e tjera të Lindjes, por më shumë mund të flitet për familje të ngjitura apo të kooptuara në kreun e partisë-shtet, mbi bazë të nivelit të besnikërisë ndaj diktatorit dhe vijës së tij politike4. Sistemi i ri, aq i ndryshëm dhe njëherësh aq i ngjashëm me kulturën tradicionale, nuk vonoi të shfaqë mungesë të theksuar koherence, pavarësisht nga struktura e re dhe e qëndrueshme qeveritare. Kontradiktat vëreheshin në radhë të parë në sjelljet e vetë krerëve të Partisë së Punës, të cilët, pasi u ngjitën në pushtet, nisën të qeverisnin me të njëjtën logjikë despotike tipike që gjendej në klane dhe që pretendohej se duhet të asgjësohej. Por paradoksi më i madh, me tërë mend i pashpjegueshëm, ishte që “edhe pse ruhej sistemi i klaneve në gjirin e pushtetit [ndihej] nevoja e luftimit të kësaj strukture në radhët e popullsisë”. Kjo ishte një ndër mospërputhjet e shumta që në një vështrim afatgjatë hodhën në erë bazat e marrëdhënies së mirëbesimit ndërmjet pushtetit dhe qytetarëve.

Enver Hoxha: Nexhmija nuk duhet të bëjë pjesë në Byronë Politike

Biseda me Mehmet Shehun: Në BPSSH, jo bashkëshortë

Nexhmije dhe Enver Hoxha

Për ta pasur më të thjeshtë shtrirjen e pushtetit të tij, diktatura e proletariatit duhet të zgjidhte lidhjet e vjetra fisnore, të cilat ishin shumë të forta në një shoqëri patriarkale siç ishte ajo në Shqipëri. Por, ndërsa shkatërronin këto lidhje, ata krijonin të tjera klane e lidhje brenda përbrenda pushtetit, sa fisnore, aq edhe mbi parimin e partishmërisë. Megjithatë, së jashtmi qëndrimi ndaj nepotizmit ishte e prerë. Në librin e tij “Tradita, nacionalizmi dhe komunizmi në Shqipërinë bashkëkohore”, autori Paolo Rago ofron një copëz nga shënimet e vetë Enver Hoxhës mbi këtë çështje, nxjerrë nga Arkivi Qendror i Shtetit (F.14/AP-TR, v.1976, fq. 3-4). Duke biseduar me Mehmet Shehun për një ristrukturim të mundshëm të Byrosë Politike dhe nën trysninë e kësaj të fundit që të bënte pjesë edhe gruaja e diktatorit, Nexhmije Hoxha, në organizmin më të lartë të Partisë, Hoxha përgjigjet: “Flas si sekretar i Partisë, si komunist. Interesi i Partisë kërkon që Nexhmija të mos hyjë në Byronë Politike. Ajo është një shoqe e mirë, e vendosur deri në vdekje për Partinë, është një grua parimore dhe kurrë nuk ka gabuar në zbatimin e vijës së Partisë, ka personalitet dhe shpesh nuk ngurron të më kritikojë, por në të njëjtën kohë është edhe ime shoqe. Ne duhet të ruajmë traditën leniniste, që në Byronë Politike të Komitetit Qendror të Partisë sonë të mos ketë bashkëshortë dhe bashkëshorte. Madje në Byro as që duhet lejuar ideja e familjaritetit. Nexhmija është anëtare e Komitetit Qendror dhe sigurisht që është përfshirë në këtë forum jo sepse është ime shoqe, por falë luftës së saj për komunizmin”.

ALMA MILE

© Panorama.al

Te lidhura