Vajza e aktorit, Elizabeth, shprehu dëshirat e saj në lidhje me varrimin e Gene Hackman dhe Betsy Arakawa.

Ajo u kërkoi autoriteteve që të digjnin qenin e babait të saj, Zinna, dhe ta varrosnin me njerkën e saj. Sipas pamjeve të një kamere policie të regjistruara më 27 shkurt dhe të publikuara nga TMZ, gjatë një bisede telefonike me autoritetet, 63-vjeçarja ka shprehur dëshirën dhe ka kërkuar që të mbante jakën e qenit.

Së bashku me Gene Hackman dhe Betsy Arakawa, autoritetet gjetën edhe qenin e tyre të ngordhur, brenda një kafazi në një dollapi, pranë trupit të gruas 65-vjeçare. Dy qentë e tjerë të çiftit mbijetuan. Autopsia tregoi se kafsha ka ngordhur nga uria dhe dehidratimi, pasi stomaku i saj ishte pothuajse bosh. Gjithashtu u raportua se trupi i tij ishte mumifikuar pjesërisht, gjë që mund të ketë fshehur ndryshime të rëndësishme në organet e tij. Megjithatë, nuk u zbuluan shenja të helmimit, sëmundjes apo traumës.

Autopsitë zbuluan se aktori 95-vjeçar vdiq për shkak të hipertensionit dhe aterosklerozës, ndërsa sëmundja e avancuar e Alzheimerit u regjistrua si një faktor domethënës që rëndonte shëndetin e tij. Gruaja e tij vdiq nga sindroma e pneumonitit hantavirus (HPS), një infeksion i rrallë viral i transmetuar nga brejtësit.

Fillimisht, autoritetet kishin vlerësuar se Arakawa vdiq më 11 shkurt, me Hackman që e ndiqte më datë 18 të muajit, datë e regjistruar si funksioni i fundit i stimuluesit të kardiakut. Megjithatë, data e vdekjes së Arakawa-s u rishikua më vonë, pasi u zbulua se ajo kishte thirrur mjekun e saj një ditë më vonë.

Ndërkohë, një gjykatës në Santa Fe ndaloi publikimin e fotove të trupave të pajetë të çiftit, si dhe pamjeve nga ambientet e brendshme të shtëpisë së tyre, me kërkesë të familjes së aktorit. Ky vendim është marrë përkohësisht, ndërsa seanca përfundimtare e çështjes është caktuar për datën 31 mars. Gene Hackman ka lënë pas tre fëmijët e tij, Elizabeth, Leslie dhe Christopher, nga martesa me ish-gruan e tij, Faye Maltese.
© Panoramaplus.al
