Paniku në Vlorë, 3 të rinj të infektuar nga malaria

Sep 13, 2012 | 13:21

Kishin punuar një vit në Afrikë. Pas diagnostikimit izolohen në Tiranë.

Tre të rinj nga Vlora, të kthyer nga Afrika e Jugut pasi punuan për një kompani atje për rreth një vit, janë diagnostikuar me sëmundjen e malaries. Sëmundja që shkakton vdekjen u zbulua pasi personat e infektuar me të u paraqitën në spitalin e Vlorës me simptoma të tilla, si temperaturë e lartë dhe ethe. Fillimisht simptomat kanë qenë konfuze për bluzat e bardha, por deklaratat e njëjta të pacientëve se ata kishin rreth tre muaj që ishin kthyer nga Afrika e Jugut, ka bërë që mjekët të vlerësojnë situatën dhe t’i nisin të tre të prekurit nga malaria me urgjencë drejt Tiranës. Mjekët e Vlorës pohuan se nuk kemi të bëjmë me një infektim masiv dhe se rastet janë të izoluara. “Të tre pacientët janë paraqitur në spital me simptoma të njëjta, në distancë të shkurtër kohore nga njëri-tjetri. Asnjëri prej tyre nuk është shtruar në spitalin e Vlorës, pasi i dërguam menjëherë në Tiranë për një trajtim më të specializuar. Pacientët me temperaturë të lartë dhe ethe na pohuan se kishin rreth 3 muaj që ishin kthyer nga Afrika e Jugut, pasi kishin punuar atje për një vit”, bënë të ditur mjekë të spitalit të Vlorës. Lajmi i malaries u konfirmua edhe nga drejtori i këtij spitali, si dhe shefi i Infektivit.
Mësohet se të infektuarit nga kjo sëmundje (emrat nuk bëhen të ditur) janë nisur në Afrikë me kontrata të rregullta pune nëpërmjet një kompanie që operon në Vlorë në fushën e përpunimit të aluminit. Firma kishte marrëdhënie edhe me një kompani në Afrikë, me të cilën kishin nënshkruar një kontratë për të punësuar të rinj nga Vlora. Kontrata ishte e rregullt dhe parashikonte një vit punë në kontinentin e largët. Nuk dihet se sa ishte pagesa e të rinjve shqiptarë, të cilët preferonin të shkonin si krahë pune në Afrikë. Në përfundim të kontratës, punonjësit janë kthyer në Vlorë dhe nuk i janë nënshtruar asnjë analize apo kontrolli të shëndetit të tyre. Fillimisht janë paraqitur në spital dy prej tyre. Disa ditë më pas edhe i treti, me të njëjtat simptoma. Pas kryerjes së analizave, mjekët kanë dyshuar se personat janë të prekur nga malaria, ndaj për ekzaminime të mëtejshme janë dërguar në Tiranë. Të infektuarit janë shprehur se ata kishin neglizhuar dhe nuk e kishin bërë vaksinën kundër malaries para se të niseshin për në Afrikë, për të parandaluar infektimin, e cila vjen kryesisht nga insektet, mushkonjat.

Sëmundja, 50 vjet e zhdukur
Gati 50 vjet pas zhdukjes, rasti i parë me malarie në vend u zbulua në vitin 2009, dhe i infektuar ishte një shtetas britanik që punonte në Tiranë dhe që e kishte importuar virusin nga vendet e Afrikës. Në studimet e Ministrisë së Shëndetësisë raportohet se që nga viti 1967 në Shqipëri nuk është regjistruar asnjë rast me malarie.

Çfarë është malaria
Malaria është një infeksion i shkaktuar nga parazitë njëqelizorë, të cilët hyjnë në gjak nëpërmjet ngacmimit nga mushkonja. Këta parazitë mund të shfaqen në pesë specie të ndryshme. Në trupi i njeriut ata përqendrohen në mëlçi dhe tek rruazat e kuqe të gjakut. Dëmtimet që sjell kjo sëmundje janë vdekjeprurëse nëse nuk merren masa të menjëhershme.

VLORE/ QEMAL BIRAKU

© Panorama.al

Te lidhura