Panik në Itali, tërmeti merr 15 jetë, plagosen qindra veta

May 30, 2012 | 13:36
Pamje nga një prej kishave të shembura në veri të Italisë

Qytetarët në Italinë e Veriut kanë kaluar orë të gjata paniku pas dridhjeve të forta të tokës që u ndjenë deri në Austri. Zonat më të prekura ishin ato të dëmtuarat nga tërmeti i 20 majit, i cili mori jetën e shtatë personave. Por bilanci i viktimave këtë herë është më i lartë, e po ashtu edhe i të zhvendosurve. Dridhjet e para të forta u ndjenë pak para orës 9:00 të mëngjesit me epiqendër në pjesën veriore të Italisë, në Emilia, me magnitudë 5.8 ballë. Ato u pasuan me dridhje të tjera të forta, në orën 12:56 magnitudë 5.3 ballë e pastaj në orën 13:01, me magnitudë 5.1 ballë. Dhjetëra lëkundje nën 3 ballë janë ndier gjatë gjithë pasdites në pjesën veriore të vendit. Dridhjet e forta të tokës janë ndier në Milano, Firence, Xhenova e deri në Austri. Të evakuarit janë rreth 14 mijë. 15 persona humbën jetën, por numri mund të rritet, pasi deri tani 12 të tjerë rezultojnë të zhdukur. Qindra veta janë plagosur nga shembjet e ndërtesave. Ndërtesa historike dhe turistike janë shembur, mes tyre disa kisha. Shembja e një kishe i mori jetën një prifti në Mirandola, pasi po përpiqej të ruante një statujë. Në këtë zonë trashëgimia kulturore është pothuajse e gjitha e shkatërruar. Ekspertët kanë paralajmëruar se duhen pritur lëkundje të reja në ndërtesat e vjetra apo ato të goditura një herë nga lëkundjet e mëparshme. Në të gjithë pjesën ku u ndjenë dridhjet e tokës, paniku ka qenë kaq i madh, sa ka pasur qytete ku mjekët janë detyruar të shpërndajnë qetësues familje më familje, si për shembull në Modena. Shkollat janë evakuuar e po ashtu më pas edhe ndërmarrjet. Sot shumë shkolla do të jenë të mbyllura, përfshirë edhe Universitetin e Bolonjës, zonë që u godit nga tërmeti për herë të dytë. Celularët nuk kanë funksionuar dhe paniku i njerëzve është rritur, pasi nuk arrinin të komunikonin me familjarët e tyre. Pasdite u mbajt një takim emergjent në Ministrinë e Ekonomisë mbi përgatitjen e masave urgjente që do të vendosen sot në Këshillin e Ministrave. Qeveria italiane do të shpallë ditë zie të hënën, më 4 qershor. Dje, rreth orës 17:00, në Dhomën Përfaqësuese u mbajt një minutë heshtje për viktimat. Në orën 16:30 u mbajt një minutë heshtje edhe në Senat.

Reagime
Papa Benedikti XVI ka shprehur dhimbje të madhe dhe angazhimin e të gjithë kishës për të ndihmuar në përballimin e pasojave të tërmetit të së martës. Mesazhi i tij u përcoll nga zëdhënësi i tij, Federiko Lombardi. Ndërsa Presidenti Xhorxho Napolitano u ka kërkuar qytetarëve të kenë besim te skuadrat e shpëtimit dhe t’i lejojnë ata të bëjnë sa më mirë punën e tyre.

© Panorama.al

Te lidhura