
Ministri i Jashtëm shqiptar, Edmond Panariti, gjatë një interviste për Radion e Kinës, tha se qeveria shqiptare po punon për gjetjen e mundësive të tërheqjes së 500 milionë dollarëve investime kineze. “E vlerësoj shumë faktin që Republika Popullore e Kinës në 12 prioritetet e saj për vendet e Europës Qendrore dhe Lindore ka përfshirë edhe Shqipërinë. Ne po studiojmë me shumë vëmendje paketën e këtyre masave, duke u munduar që të integrojmë të gjitha projektet tona të zhvillimit brenda paketës së masave të propozuara nga Kryeministri kinez në takimin e Varshavës. Ekzistojnë shumë hapësira për investitorët kinezë në bashkëpunim me investitorët shqiptarë për të investiguar mundësitë se si ky fond që vihet bujarisht në dispozicion nga qeveria kineze, mund të integrohet në zhvillimin e projekteve në Shqipëri. Bëhet fjalë për dy linjat kryesore të investimit. Linja e 500 milionë dollarëve dhe linja tjetër e kreditimeve me interesa të ulëta, që është një shumë më e madhe sesa shuma e mëparshme. Ne po shikojmë mundësinë e hartimit të projekteve konkrete për të bërë të mundur që të përfitojmë nga këto dy linja financimi”, u shpreh Panariti.
Kreu i diplomacisë shqiptare foli edhe rreth bisedimeve që zhvilloi me autoritetet kineze. “Ramë dakord që ekzistojnë hapësira bashkëpunimi në fushat e energjetikës, infrastrukturës, minierave, parqeve industriale, hekurudhave. Investitorët kineze janë të mirëpritur dhe qeveria shqiptare angazhohet për t’u krijuar të gjitha lehtësirat fiskale dhe të gjitha lehtësirat e tjera, në mënyrë që investimet në këto fusha të rëndësishme për ekonominë shqiptare të jenë të pranishme”, tha Panariti.











