
Ministri i Jashtëm u përgjigjet pretendimeve të opozitës
Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Panariti, hodhi dje poshtë deklaratat e opozitës se po zhvillohen negociata të fshehta me Greqinë për marrëveshjen e kufijve detarë. Kreu i diplomacisë shqiptare, pas kthimit nga vizitat në Kinë dhe në Australi, theksoi se nuk ka asnjë grup negociator apo negociata sekrete, por specialistë të cilët po trajtojnë mundësitë për të arritur një marrëveshje të dytë për kufirin detar. “Në radhë të parë nuk ka asnjë negociatë, nuk ka negociatorë dhe nuk ka grupe pune për negociatat me Greqinë, për sa i përket marrëveshjes ujore detare me këtë vend. Natyrisht është normale që brenda institucionit të ketë një trajtesë teknike dhe, në këtë kuptim, është më se normale që Ministria e Punëve të Jashtme të merret me këtë çështje, si dhe me shumë çështje të tjera të rajonit apo të përmasave globale. Nëse neve do të na duhet të bisedojmë në të ardhmen me autoritetet greke për çështjen e kufijve ujorë, do ta bëjmë këtë gjithmonë në respekt të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, në respekt të Kushtetutës së vendit, në respekt të ligjeve ndërkombëtare”, deklaroi Panariti. Ndërkaq, ministri premtoi se i gjithë procesi i negocimit në të ardhmen me palën greke do të jetë transparent dhe i hapur për shoqërinë civile dhe publikun. “Ministria e Jashtme do të jetë transparente në çdo hap që ajo do të bëjë në raport me marrëveshjen për ujërat me Greqinë, si dhe për çdo problem tjetër”, theksoi ai.
Qëndrimet e MPJ
Ministri Edmond Panariti deklaroi dje se nuk ka asnjë deklaratë kontradiktore nga diplomacia shqiptare për marrëveshjen e ujërave me Greqinë. Sipas Panaritit, arritja e një grupi ekspertësh është normale dhe një vendim i duhur nga pala shqiptare. Për ministrin e Jashtëm është normale që çështje delikate më parë të diskutohen brenda institucionit dhe për të qenë të përgatitur në të ardhmen, kur priten dhe diskutimet.
Ftesa në Greqi
Ministri i Jashtëm, Edmond Panariti, deklaroi dje se gjatë vizitës tij në Athinë nuk është i ftuar për të diskutuar rreth marrëveshjes për paktin detar. Panariti tha se vizita për në Greqi vjen për të forcuar marrëdhëniet dypalëshe dhe se negociatat do të jenë në një fazë të dytë. “Negociatat për marrëveshjen ujore do të fillojnë kur ne të jemi gati nga ana teknike për këtë çështje dhe kur kjo të gjykohet oportune dhe në interesin tonë kombëtar”, theksoi Panariti.











