Panariti: Duhet dialog me opozitën

Sep 4, 2012 | 11:31
Ministri i Jashtëm, Edmond Panariti

Ministri i Jashtëm, Edmond Panariti, deklaroi nga Brukseli se qeveria shqiptare mbetet e angazhuar për të dialoguar me opozitën, për të mundësuar vijimin e reformave të cilësuara si prioritet nga Komisioni Europian. Deklaratat e kreut të diplomacisë erdhën gjatë takimit të zhvilluar në Bruksel, në Konferencën për politikat rajonale. “Integrimi europian përbën një objektiv të unifikuar për të gjithë politikën shqiptare. Qeveria shqiptare është e angazhuar të inkurajojë fuqimisht dialogun konstruktiv midis palëve për arritjen e kompromiseve të nevojshme për plotësimin e 12 kritereve të vendosura nga BE-ja për marrjen e statusit kandidat nga Shqipëria”, deklaroi ministri i Jashtëm. Ai u ndal në hapat konkretë të ndërmarrë muajt e fundit nga politika shqiptare për plotësimin e kritereve të lartpërmendura, si: reforma zgjedhore, kufizimi i imunitetit, reforma administrative dhe gjyqësore, lufta kundër krimit të organizuar e korrupsionit etj. Ministri Panariti theksoi se ky progres i arritur do të thellohet nga vazhdimi i mëtejshëm i përpjekjeve të përbashkëta, si të maxhorancës ashtu edhe të opozitës, për plotësimin e kritereve para paraqitjes së raportit të progresit të Komisionit Europian.

© Panorama.al

Te lidhura