Panairi i Punës, UET hap dyert e punësimit

Jul 1, 2011 | 9:30

Tregu i punës, i kthyer në hermetik, ku të paktë janë ata të rinj të sapodiplomuar që arrijnë të depërtojnë në të, ka qenë edhe arsyeja kryesore e Panairit të Punës të organizuar nga Universiteti Europian i Tiranës. Kjo “sipërmarrje”, që vjen si një inkurajim dhe mbështetje më shumë për studentët e këtij Universiteti, i vuri ata përballë mundësive që ofrojnë shumica e kompanive më të njohura në vend, një provë që rezultoi e kaluar me sukses nga studentët. Një pjesë e mirë e tyre përballeshin për herë të parë me një eksperiencë të tillë, ndërkohë që për të tjerë ky panair shihej si mundësia e kërkimit të një pune më të mirë. Holli i UET priti dje me qindra studentë, ku kompani organizata dhe institucione të ndryshme kanë shprehur interesin e tyre për t’i rekrutuar dhe për t’i punësuar pranë departamenteve të tyre. Sektorët më me interes për punësim ishin ata të menaxhimit, marketingut, shërbimit me klientin, asistencës, duke u ofruar një shans real të rinjve që sapo diplomohen në nivelin Bachelor dhe Master, në degët që ofrojnë tri Fakultetet e Universitetit Europian të Tiranës, ai Ekonomik, Juridik dhe i Shkencave Sociale. Ky eveniment që vinte për herë të dytë në UET u vlerësua nga Universiteti si një shans më shumë për të përballur me sukses studentët e tij me kompanitë më në zë në vend dhe për të hapur dyer mundësish punësimi për më të mirët. “Ky është viti i dytë radhazi që Universiteti Europian i Tiranës organizon Panairin e Punës dhe të Karrierës si një mundësi e mirë për të ndërmjetësuar karrierën dhe punësimin e studentëve të tij, si në nivelin Bachelor apo Master, në organizata, institucione apo kompani prestigjioze, vendëse apo të huaja. Zhvillimi i marrëdhënieve të studentët tanë me tregun e punës është një ndër përparësitë kryesore që i kemi vënë vetes. Kështu, Universiteti Europian i Tiranës, përveç mësimdhënies cilësore ka në themel të tij dhe disa shërbime, të cilat përfshijnë mbështetjen e studentit për kërkimin e punës”, u shpreh presidentja Teuta Dobi në hapje të këtij Panairi Pune. Për tri orë me radhë studentët vizituan pothuaj çdo stendë, duke iu nënshtruar me sukses intervistave profesionale, të cilat në disa prej kompanive u realizuan edhe në gjuhën angleze e atë italiane. “Me sa kam dëgjuar, thuhet se është shumë e vështirë për studentët që të gjejnë punë apo të futen në tregun e punës, por me çfarë po shoh këtu, mendoj se është një mundësi shumë e mirë për studentët e Universitetit Europian të Tiranës dhe mendoj se do na jepet një mundësi”, u shpreh një prej studenteve të vitit të dytë të degës Menaxhim biznes në UET, Alba Nano. Ky panair i bëri studentët ta shohin realitetin ndryshe dhe të binden për aftësitë e tyre e  shanset që u jepen të rinjve sot.

Kompanite

Kompanitë
Abcom
Agna Group
Albtelecom
AMC
ASAN
Birra Stela
D&M Consulting
Eagle Mobile
Eurosig
CEZ Shpërndarje
Coca-Cola
Credins
Infosost
Plus
Neptun
Olim
Sigal
Union Bank
Vodafone
Procredit
BKT

© Panorama.al

Te lidhura