Pamuk sjell “Muzeun e pafajësisë”

Jun 8, 2011 | 9:56

Këto ditë, “Skanderbeg Books” nxori në qarkullim për lexuesin shqiptar romanin më të ri të autorit turk, nobelistit Orhan Pamuk, të titulluar “Muzeu i pafajësisë”. Vepra është shkruar dhe është botuar dy vjet pas marrjes së çmimit “Nobel” në Letërsi, në vitin 2006. “Muzeu i pafajësisë” është një histori dashurie me një shtrirje të gjatë në kohë dhe një densitet të lartë emocional. Ky libër risjell në kujtesën e botës letrare histori elektrizuese dashurie të njohura dhe të pashlyeshme, të cilat koha jo vetëm që nuk i zbeh, por i kthen ato në pjesë të kanunit të sentimentit njerëzor. Jo më kot ky libër është identifikuar me peshën dhe forcën shënjuese të “Lolitës”, të “Madamë Bovarisë” dhe “Ana Kareninës”. Në qendër të romanit është një djalosh i ri, i pasur, Kemali, i cili në zenit të lumturisë së tij, i rrethuar nga mirëqenia, nga jeta aristokrate, dashuria dhe klasi i gruas me të cilën do të fejohet, prej një takimi të beftë me një vajzë të re të bukur, një kushërira e tij e largët, që tashmë është rritur dhe punon si shitëse, do të hyjë në një spirale ndjenje e pasioni të verbër, të një robërimi shpirtëror e fizik, që do të jenë qerthulli i tetë viteve të ardhshëm të tij. E gjithë bota e tij përmbyset dhe Kemal, shumë i përngjashëm me vetë Pamukun e ri, do të ecë mes përpjekjesh, vuajtjesh, ëndërrimesh, ku e shpie “verbëria” e dashurisë së tij të parrokshme, që e lëkund mes shpresës dhe ëndërrimit. A do të lidhet Kemali me Fysunin? Lexuesit do t’i duhet të ndjekë hap pas hapi fatin e këtyre personazheve për të zbuluar një Turqi që po zhvillohet, europianizohet dhe që përpëlitet mes dukurive të tranzicionit.
“Muzeu i pafajësisë” është shqipëruar nga përkthyesja Drita Çetaku, e cila ka përkthyer një pjesë të mirë të veprës së Orhan Pamuk për lexuesin shqiptar. Sipas botueses, Flutura Açka, në vjeshtë të këtij vitit do t’i prezantohet lexuesit shqiptar romani “Libri i zi”, ndërsa në pranverë të vitit 2012 romani “Xhevdet beu dhe të bijtë”, që do të përmbyllë botimin e plotë të veprës së Orhan Pamuk në gjuhën shqipe.

© Panorama.al

Te lidhura