
Deputeti i Partisë Demokratike, njëherësh nënkryetar i Grupit Parlamentar të kësaj force politike, Edi Paloka, u përgjigjet zërave që vijnë nga brenda për ndryshime në qeveri. Në një prononcim për mediat ai shprehet se është pikërisht Kryeministri Berisha ai që është mandatuar nga selia blu për të bërë këto ndryshime. “Ne si maxhorancë kemi mandatuar kryetarin e Partisë Demokratike, zotin Berisha, dhe si në çdo vend tjetër të botës, Kryeministri caktohet për të bërë ndryshimet në qeveri. Kështu që unë besoj se zoti Berisha është personi më i interesuar për mbarëvajtjen e punës brenda qeverisë, por edhe më tej për mbarëvajtjen politike të maxhorancës. Jam i bindur se ai ka bërë zgjedhjen që e ka konsideruar më të mirën”, shprehet Paloka. Pak ditë më parë ishin Mark Marku, deputeti i qarkut të Lezhës dhe Selami Xhepa, i qarkut të Dibrës, të cilët shprehën domosdoshmërinë e ndryshimeve në kabinetin qeveritar për të fituar një mandat të tretë vitin e ardhshëm. “Unë mendoj se PD duhet patjetër që për të fituar të ndryshojë tërësisht dhe thellësisht. Të rikonceptojë vetveten dhe të bëjë ndryshime themelore. Edhe nëse fiton kështu, sepse ka një tezë që mund të fitohet nëpërmjet aleancave, vendi do të jetë në stanjacion politik. PD ka vlera dhe i ka të gjitha mundësitë të fitojë. Në qoftë se fiton pa ndryshuar, nuk do të jetë vlerë për vendin, por do të jetë në stanjacion politik. Vendi fiton nëse PD fiton e transformuar”, thotë Marku.











