Pallatet pa pronar, kalon ligji në Komision

Feb 7, 2012 | 14:31

Komisioni i Ligjeve

PD te Ligjet miraton draftin e qeverisë. Kur falimenton ndërtuesi, kolaudimin e ndërtesës e bën bashkia.

PS voton kundër: Faturë financiare për pushtetin vendor.

Komisioni i Ligjeve miratoi dje me votat e maxhorancës ndryshimin në ligjin për disiplinimin e punimeve të ndërtimit. Sipas projektit të ardhur nga qeveria, në të gjitha rastet kur ndërtuesit kanë shpallur falimentimin ose janë larguar nga vendi, kolaudimin e ndërtesës do ta bëjë njësia e qeverisjes vendore. Me marrjen e aktit të kolaudimit, Bashkia jep gjithashtu edhe lejen e shfrytëzimit, çka u hap rrugën qytetarëve që të pajisen me aktin e pronësisë. “Në rastet kur investitori që ka ndërtuar objektin është larguar ose kur shoqëria tregtare ka falimentuar, është likuiduar e është çregjistruar nga Regjistri Tregtar apo nuk ka kryer kolaudimin e objektit pa shkaqe të vlefshme ligjore, atëherë procedurat në vazhdim do të ndiqen nga njësia përkatëse e qeverisjes vendore, e cila do të caktojë një kolaudator të licencuar për përgatitjen e procesverbalit të kolaudimit. Shpenzimet për kolaudatorin do të përballohen nga njësia e qeverisjes vendore. Procesverbali nënshkruhet nga një përfaqësues i njësisë së qeverisjes vendore, nga mbikëqyrësi i punimeve dhe kolaudatori i caktuar nga NJQV-ja”, thuhet në shtesën që i bëhet nenit 12 të ligjit bazë. Ndërsa në nenin 13 shtohet paragrafi: “Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme do të bëjë regjistrimin e objektit në bazë të kërkesës së njësisë së qeverisjes vendore, sipas paragrafit të fundit, të nenit 12, të këtij ligji, për pronarët e truallit dhe subjektet, të cilat kanë pasur kontratë sipërmarrjeje me investitorin”.
Debati
Deputetët e Partisë Socialiste e kundërshtuan projektligjin e qeverisë me argumentin se rëndon financiarisht pushtetin vendor. Duke debatuar për draftin, deputeti Fino e pyeti përfaqësuesin e Ministrisë së Punëve Publike: “Nga se ka ardhur domosdoshmëria e ndryshimit të këtij ligji? Sa kanë qenë rastet në rastin konkret dhe a ka kërkesa nga organet e pushtetit lokal për këtë problem? Ju thoni që të gjitha shpenzimet do t’i përballojë pushteti lokal. Po këto shpenzime nga do t’i nxjerrë pushteti lokal nesër?”. Zyrtari i Ministrisë, Iglion Peçi, tha se drafti është konsultuar edhe me qeverisjen vendore, përfshi këtu Bashkinë e Tiranës. “Ndryshimet kanë ardhur si rezultat i disa shqetësimeve që kanë ndodhur në praktikë nga qytetarët për pamundësinë e regjistrimit të këtyre objekteve. Me pushtetin lokal jemi konsultuar, edhe me Bashkinë e Tiranës. Në rastet e shpenzimeve, shpenzimi i aktit të kolaudimit do të nxirret nga vlera që ka paguar investitori për marrjen e lejes së ndërtimit. Vlera e aktit të kolaudimit në raport me pagesën që ka bërë ndaj detyrimeve dhe taksave është e papërfillshme. Bëhet fjalë këtu për një vlerë jo më shumë se 100 mijë lekë të reja për aktin e kolaudimit. Ndërkohë që vlera që merr nga përqindja për objektin është shumë herë më e madhe”.

NDRYSHIMET NË LIGJ
Në fund të nenit 12 shtohet paragrafi me këtë përmbajtje:

Në rastet kur investitori që ka ndërtuar objektin është larguar ose kur shoqëria tregtare ka falimentuar, është likuiduar e është çregjistruar nga Regjistri Tregtar apo nuk ka kryer kolaudimin e objektit pa shkaqe të vlefshme ligjore, atëherë procedurat në vazhdim do të ndiqen nga njësia përkatëse e qeverisjes vendore, e cila do të caktojë një kolaudator të licencuar për përgatitjen e procesverbalit të kolaudimit. Shpenzimet për kolaudatorin do të përballohen nga njësia e qeverisjes vendore. Procesverbali nënshkruhet nga një përfaqësues i njësisë së qeverisjes vendore, nga mbikëqyrësi i punimeve dhe kolaudatori i caktuar nga NJQV-ja.
Neni 12/1, paragrafi i parë, ishte:
Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, me kërkesë të investitorit dhe pronarit, bën regjistrimin provizor të objektit në fazën e përfundimit të karabinasë dhe lëshon certifikatën përkatëse.
Neni 12/1, paragrafi i parë, bëhet:
Seksioni ose zyra përkatëse e urbanistikës dërgon zyrtarisht në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme: a) kërkesën për regjistrimin e lejes së ndërtimit dhe/ ose lejen e zhvillimit të lëshuar nga autoriteti shtetëror përkatës, brenda dhjetë ditëve nga data e pajisjes së investitorit ose pronarit me këtë leje; b) kërkesën për regjistrimin e përkohshëm të karabinasë në fazën e përfundimit të saj, brenda dhjetë ditëve nga data e lëshimit të certifikatës përkatëse.
Në nenin 13, fillimi i paragrafit të dytë, ishte:
Me kërkesën e zotëruesit të sheshit të ndërtimit, seksioni a zyra përkatëse urbanistike i dërgon zyrtarisht Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në juridiksionin e së cilës ndodhet objekti konfirmimin zyrtar të përfundimit të punimeve të ndërtimit të objektit në përputhje me ligjin, projektin dhe kushtet urbanistike të miratuara për sheshin e ndërtimit.
Në nenin 13 fillimi i paragrafit të dytë bëhet:
Seksioni a zyra përkatëse urbanistike i dërgon zyrtarisht zyrës së regjistrimit të pasurive të paluajtshme në juridiksionin e së cilës ndodhet objekti konfirmimin zyrtar të përfundimit të punimeve të ndërtimit të objektit në përputhje me ligjin, projektin dhe kushtet urbanistike të miratuara për sheshin e ndërtimit.
Në nenin 13 shtohet paragrafi
Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme do të bëjë regjistrimin e objektit në bazë të kërkesës së njësisë së qeverisjes vendore, sipas paragrafit të fundit, të nenit 12, të këtij ligji, për pronarët e truallit dhe subjektet, të cilat kanë pasur kontratë sipërmarrjeje me investitorin.
Ndryshimi i termave
Kudo në ligj termat “…leja për sheshin e ndërtimit…” dhe “…leja e shfrytëzimit ose e banimit të objektit…” zëvendësohen, përkatësisht me “…leja e zhvillimit…” dhe “…leja e përdorimit”

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura