Pallat në vend të Teqesë, dalin eshtra

Jun 22, 2011 | 9:25

Pallati në ndërtim hedh eshtrat e baballarëve në Teqen e Baba Hamitit në Elbasan.Dy net më parë punëtorët kanë gjetur eshtrat, por ata i kanë hedhur në pikën e grumbullimit të inerteve. Këtë fakt e bëri të ditur dje përfaqësia e Teqes së Gjyshatës Bektashiane në Elbasan, e cila reagoi rreth një ndërtimi që po kryhet në ish-Teqen dhe tyrben që ndodhej në lagjen “Partizani” të qytetit. Me leje të marrë nga Bashkia, firma ka nisur punimet për ndërtimin e një pallati në këtë zonë, ku dikur, në vitet 1800 – 1830 ndodhej Teqeja dhe tyrbja e Baba Hamitit. Sekretari i Teqes bektashiane të Gjyshatës së Elbasanit, Olsi Karaj, i ndodhur dje në vendin e ngjarjes, u shpreh se “punëtorët kanë gjetur mbrëmjen e djeshme si edhe mëngjesin e sotëm (dje) eshtra të baballarëve të varrosur në këtë tokë rreth 100 vjet më parë, dhe i kanë hedhur ato në pikën e grumbullimit të inerteve. Ndërtimi që po kryhet në ish-Teqen bektashiane të Baba Hamitit, i cili gjatë sistemit komunist u kthye në çerdhe dhe kopsht, është i jashtëligjshëm”. Mësohet se Teqja ka qenë një ndërtesë dykatëshe deri në vitin 1992 e më pas është prishur pasi u ble nga një qytetar nga Elbasani. Pronari i fundit i saj ka vendosur që në këtë tokë të ndërtojë një pallat shumëkatësh.
“Ne kërkojmë që kjo pronë t’i kthehet Teqes, pasi disponojmë pronat që kjo teqe është e baballarëve, gjithashtu disponojmë dokumente që nga osmanishtja e deri në vitin 1996 kur kryetar Bashkie ka qenë Engjëll Dakli, i cili na ka dhënë me vendim të KRRT-së plan-vendosjen e Teqes”, vijoi Karaj. Sipas tij, gjatë këtij viti vetë Gjyshata nisi të rrethojë vendin, me qëllim që të rindërtonte Teqen e baba Hamitit në vendin ku ka qenë rreth tre shekuj më parë. Ndërkaq, i të njëjtit mendim është edhe Babai i Teqes kryesore në Elbasan, Baba Faik Selmani. Ai kërkon që të pezullohen ndërtimet për prishje varresh, pasi, sipas tij, “pronari që pretendon se e ka tokën e tij, ka fituar vetëm një nga gjyqet. Ne çështjen e kemi çuar deri në Gjykatën e Shkallës së Lartë, madje i jemi drejtuar edhe Kryeministrit të vendit. Nuk duam që një institucion fetar, siç është bektashizmi, të shfrytëzohet nga individë”. Sipas përfaqësuesve të Teqes, kreu i Bashkisë u ka deklaruar se pronari i tokës disponon të gjitha dokumentet ligjore të pronësisë.
Gjatë gërmimeve janë gjetur kocka si edhe gurë varresh që i përkasin baballarëve që kanë drejtuar Teqen e Baba Hamitit, të cilët janë vetë Baba Hamiti, Baba Rizai si edhe Baba Muharremi. Historikisht në qytetin e Elbasanit kanë ekzistuar tre teqe, ajo kryesorja, Teqeja e Madhe si edhe Teqeja e Baba Hamitit. Kjo e fundit është ndërtuar rreth viteve 1800 – 1830 dhe është prishur gjatë regjimit komunist.

ELBASAN/ MIRANDA SADIKU

© Panorama.al

Te lidhura