Mbyllet me konsensus Reforma Zgjedhore

Jul 11, 2012 | 17:50
Komisioni për Reformën Zgjedhore

TIRANE- Komisioni i i posaçëm parlamentarë miratoi sot me konsensus draftin final të Reformës Zgjedhore duke përfshirë nje pjesë të mirë të propozimeve të Partisë Socialiste.

Përfaqësuesi i PS-së, Damian Gjiknuri tha se kjo reformë zgjedhore i jep opozitës shqiptare garanci shumë më të mëdha se ç’ka pasur ndonjëherë.

Duke e konsideruar këtë një proces që ka patur tërheqjen e të dyja palëve, Gjiknuri tha se nuk është se janë realizuar të gjitha propozimet e PS-së, kjo edhe për shkak të rekomandimit të ODIHR, siç ishte përdorimi i teknologjisë në zgjedhje.

Lidhur me riformatimin e KQZ-së, Gjiknuri tha se misioni i kësaj KQZ-je kishte mbaruar, dhe riformatimi do të shërbejë për t’i kthyer besimin votuesve shqiptarë.

Ndërkaq, përfaqësuesi i PD-së, Oerd Bylykbashi u shpreh se Komisioni përmbylli me sukses punën, duke përfshirë në reformë të gjitha rekomandimet e OSBE/ ODIHR. Ai u shpreh optimist për punën e bërë.

Lidhur me draftin e partive të vogla për korrektimin e sistemit, të dy përfaqësuesit partiak thanë se kanë rënë dakord që Kuvendi mund të gjejë zgjidhjen më të mirë të mundshme.

Në limitet e kohës së lënë në dispozicion nga Kuvendi për finalizmin e saj, palët kanë gjetur gjuhën e përbashkët për këtë reformë të rendësishme.

Kështu KQZ do të riformatohet ne mbyllje te mandatit, diku nga muaj shtator. Dy nga anetaret e KQZ kane te drejte te kerkojne transparence, nderkohe qe kreu i KQZ do te zgjidhet me konkurim.

Gjashte anëtarët e tjerë do të jenë propozime politike, 3 nga mazhoranca dhe tre nga opozita do të kenë mandate 6- vjeçar, kreu i KQZ-së do të ketë mandat 4 vjeçar por që të gjithë anëtarët dhe kryetari kanë të drejtë rizgjedhje.

Në bazë të draftit kryetari i KQZ-së , zgjidhet jo më vonë se 10 ditë pasi të ketë përfunduar procedura e zgjedhjes së anëtarëve të KQZ-së. Lista e kandidiatëve për postin e kreut të KQZ-së i kalon komisionit të çështjeve ligjore për të verifikuar përmbushjen e kritereve.

Sipas draftit është rënë dakord që përdorimi i teknologjisë për identifikimin e kartave të identitetit do të përdoret në qarkun e Tiranës, ndërsa numërimi elektronik do të realizohet në qarkun e Fierit.

© Panorama.al

Te lidhura