Nga puset e naftës në Marinzë të Fierit, tek fosilet e zbuluara në zonat e Dumresë dhe Peshkopisë. 61-vjeçarja Eleni Gjani tregon karrierën e gjatë në kërkim të të fshehtave të nëntokës. Tensioni i punës në vitet e diktaturës, ekspeditat larg familjes dhe kënaqësia e zbulimeve të reja.
E dhënë totalisht pas shkencave ekzakte, ajo dëshmoi racionalitet edhe në momentin që vendosi të tërhiqej nga Matematika, për t’iu dhënë një tjetër profesioni, që numëronte shumë pak femra aso kohe. Prof.dr.Eleni Gjani e quajti një sfidë Gjeologjinë e më pas Paleontologjinë, ku u specializua. Njohja me tokën, studimi mbi shtresat, koren e saj, faktorë klimatikë ndikues në të, bota bimore dhe ajo shtazore, zbulimet e fosileve nëpër terrenet shkëmbore të vendit tonë, e futën në botën e tyre misterioze, që vazhdon ta mbajë lidhur pas vetes edhe sot që i ka kaluar të 60-tat. Profesioni i saj ishte njohur deri atëherë më shumë si “punë burrash”, por kjo nuk e pengonte të jepte po aq sa ata. Me instrumentet në krah, me erën e gazit, naftës, që i shponte hundët, apo të shkuarit nëpër terrenet e vështira shkëmbore, shpellat e të tjera pika gjeografike që ajo i maste me këmbë përmes ekspeditash me qëllim studimor, për Elenin asgjë nuk ishte e lehtë. Ngarkesës së punës i shtohej edhe pasiguria në një sistem komunist, ku asnjëherë s’i dihej së nesërmes, aq më tepër kur kishte parë vetë se s’i i kishin arrestuar një nga një kolegët e saj me të famshmin grup “armiqësor” të naftës…
Nga auditorët, në puset e naftës së Fierit

Asfare nuk i kishin shkuar nëpër mend mikroskopët, instrumentet për matjen e niveleve të gazit, naftës…, ndofta për faktin se gjërat i kishte menduar disi më të thjeshta, si mësuese Matematike. “Gjithnjë kam dashur të studioja Matematikë, por e drejta e studimit më doli në Teknikumin e Gjeologjisë. Edhe pse nuk ishte zgjedhja parësore, nisi të më pëlqejë edhe shkenca e gjeologjisë, një profil sa interesant, aq edhe i vështirë. Mësova për Tokën si planet, për koren e saj, evolucionin nga pikëpamja paleogjeografike, botën bimore, shtazore, mineralet e dobishme, për mënyrën si t’i kërkoja dhe si t’i zbuloja ato. Në vitet kur kam mbaruar fakultetin, femrat në Gjeologji ishin të pakta. Ky profesion të dërgonte në terren nëpër ekspedita të ndryshme, nëpër puset e naftës apo gazit, dhe për një vajzë të re qoftë, apo bashkëshorte dhe nënë, ishte një profil i vështirë, plot ngarkesë, ku shpesh duhej të isha e larguar me ditë të tëra nga shtëpia”, thotë Eleni Gjani. Kapërcimi nga auditorët e Fakultetit të Gjeologjisë, direkt në terren, në puset e naftës së Patos-Marinzës ishte një fillim i vështirë për 24-vjeçaren. Mjedisi i punës në puset e naftës, mes kolegëve meshkuj, helmet, tymrat e naftës e të gazit, vështirësitë teknike gjithashtu, nuk e zmbrapsën përpara dëshirës dhe pasionit që Eleni kishte për punën. “Vija direkt nga fakulteti dhe realiteti që gjeta atje ishte krejtësisht ndryshe. Gjithë ditën e kaloja në terren, nëpër puset e naftës. Me instrumentet që i mbaja në krah, herë në vapë e herë në të ftohtin e acartë, shkoja në çdo grykë pusi për të bërë matjet e nevojshme. Shpesh e ndjeja veten në siklet, sepse vija nga një kulturë ndryshe, e veshur me bluze e triko të bardha, teksa shikoja naftëtarët me kominoshet dhe rrobat e nxira nga nafta. Nisa të ndryshoja dhe unë stilin e të veshurit dhe imazhin për t’iu përshtatur ambientit. Gjithë kohës e rrethuar nga meshkujt, përpiqesha të punoja njësoj me ta”, tregon ajo. Saktësia matematikore me të cilën i duhej të punonte çdo ditë, në përballjet konkrete gjatë shpimit të puseve të naftës ishte përgjegjësi e madhe, pasi Elenit i duhej të përcaktonte përmes një kampioni se çfarë moshe kishte lënda e lëngshme, apo deri në cilën shtresë duhej vijuar shpimi i tokës për të mbërritur në shtresën e duhur të naftës. Përgjegjësia në punë jo pak herë trazohej nga tensionet dhe kushtet politike të viteve në të cilat punohej… Nuk mund ta harroj ngjarjen e bujshme të vitit 1975, kur ndodhën arrestimet e të ashtuquajturit “grup armiqësor i naftës”. “Gjithë kohës mundohesha të shikoja punën dhe detyrat e mia. Por, kësi ngjarjesh patën jehonë te çdonjëri prej punonjësve të Institutit të Naftës dhe ishte tronditje e madhe për të gjithë. Ishte kohë e vështirë. Kur arrestoheshin kolegët tanë, kuptoja se çfarë rreziku mund të më kanosej edhe mua. Pas këtyre arrestimeve, nuk ishte e lehtë të punoje nën atë tension…”.
Zbulimi i fosileve dhe ngasja ndaj shkencës

Për një femër me ambicie si ajo, nuk mjaftonte puna nëpër puset e naftës. I duhej një profilizim i veçantë, diçka jo shumë e rrahur. Zgjodhi Paleontologjinë, ndaj sot ajo është ndër të rrallat femra që identifikohen me një profesion si të sajin. “Paleontologjia studion fosilet dhe unë përmes tyre përcaktoja moshën e kampioneve të marra në terren gjatë ekspeditave. Gjithashtu më ka ndodhur që të rindërtoj kushtet palegjeografike për moshat shumë të vjetra, 500, 300, apo 200 milionë vite më parë e deri sot. Punoja në ekip dhe duke qëndruar në terren për shumë kohë, grumbulloja material dhe mandej e përpunoja në laborator me kimikate të ndryshme për të përcaktuar kompleksin e fosileve me mikroskop të zmadhuar 400 deri në një mijë herë. Ishte një fushë tejet e vështirë dhe plot të panjohura”, vijon Gjani, teksa kujton zbulimet e reja që i sillte çdo ditë. Rezultatet në punën e përditshme nuk kanë kaluar pa sakrifica për Elenin, bashkëshorte, më vonë nënë e dy fëmijëve. Jetesa nëpër rrethe të ndryshme të Shqipërisë, largimet disaditore nga shtëpia nëpër ekspedita të nevojshme për projekte brenda dhe jashtë vendit, shpesh i hynin në hak dëshirës dhe nevojës së pashoqe që ajo kish për të shijuar familjen, rritjen e dy djemve. Sot qesh kur kujton se si i duhej

që rrobat e palosura të fëmijëve t’ia linte vjehrrës me nga një mbishkrim të shkruar në copa letre për ditët se kur duhet t’i vishnin, e hënë, e martë… Por, ishin sakrifica të shpërblyera për të. “Të papriturat dhe zbulimet e bënin më të bukur punën time. Kam gjetur fosile në rang mikroni në depozitimet kripore të Dumresë, Peshkopisë.. dhe menjëherë merrja në telefon kolegë apo mikesha të miat jashtë shtetit për t’u dhënë lajmin e gëzuar. Kësi zbulimesh interesante e kanë mbajtur të gjallë kuriozitetin tim për të qenë gjithnjë e paepur në dëshirën për punë cilësisht profesionale”. Eleni Gjani, drejtuesja aktuale të Zyrës Shkencore në Universitetin Politeknik vazhdon të jetë aktive nëpër ekspedita të ndryshme me qëllim studimor, si dikur ajo ka matur me pëllëmbë thuajse gjithë cepat e Shqipërisë.
ERMIRA ISUFAJ
© Panorama.al











