Pakti detar, PS: Të flasë Nishani

Aug 18, 2012 | 15:01
Sajmir Tahiri

Partia Socialiste kërkoi dje nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, që të përdorë pushtetin e tij për të bërë transparente negociatat që po zhvillohen midis Shqipërisë dhe Greqisë, për marrëveshjen e re të ujërave territoriale. Nënkryetari i Grupit të PSsë, Sajmir Tahiri, në një dalje për mediat, theksoi se marrëveshja e re po negociohet në fshehtësi, gjithashtu kërkoi që të përjashtojë nga grupi i negociatorëve të gjithë ekspertet që formuluan marrëveshjen e parë për kufirin detar me Greqinë, e cila u shfuqizua nga Gjykata Kushtetuese. “I kërkojmë Presidentit të Republikës të bëjë menjëherë publike plotfuqinë me anë të së cilës ka ose do të autorizojë objektin dhe grupin negociator të ekspertëve për marrëveshjen e përcaktimit të kufirit detar ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë, duke i bërë thirrje që të përjashtojë të gjithë ata persona që u përfshinë në negocimin e marrëveshjes së parë e që u rrëzua unanimisht nga Gjykata Kushtetuese. Marrëveshja e re nuk mund të negociohet përsëri nga Gërveni me shokë, të njëjtët që nuk patën pikën e ndërgjegjes profesionale dhe kombëtare kur hartuan qorrazi marrëveshjen e parë”, u shpreh Tahiri. Socialistët kërkojnë që grupi i negociatorëve të mos limitohet vetëm me ekspertët e qeverisë, por në këtë tryezë të jenë pjesë dhe ekspertë të pavarur vendës dhe të huaj, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Deputeti i PS-së kërkoi nga Presidenti Nishani që të mundësojë zbardhjen e të gjitha negociatave të zhvilluara deri më tani dhe bërjen e tyre publike, në mënyrë që opinioni publik të njihet me hapat e marrëveshjes së re. Gjithashtu selia rozë ka sfiduar Kryeministrin Berisha, që pjesë e referendumit të jetë dhe pyetja e shqiptarëve nëse janë pro marrëveshjes detare me Greqinë apo jo. “Dhe meqë Sali Berishës ia do puna të hiqet sikur pyet shqiptarët, le ta nisë nga marrëveshja e re për kufirin detar ndërmjet Shqipërisë dhe vendit fqinj”, theksoi deputeti i PS.

REAGIMI I PD

Partia Demokratike ka reaguar dje lidhur me akuzat e socialistëve se marrëveshja detare me Greqinë po hartohet në mënyrë jo transparente. Demokratët shprehen se nuk mund të ketë referendum për çështjen e marrëveshjes detare, pasi është kundër interesave kombëtare. “PD informon qytetarët se prapa këtyre shpifjeve të ulëta dhe banale të Edi Ramës dhe Spahisë së tij qëndron vetëm përpjekja e dështuar për të mbuluar me mashtrime aktin e tij të papërgjegjshëm të bllokimit për të tretin vit me radhë të statusit kandidat për Shqipërinë”, deklaroi zëdhënësja e PD-së.

Kushtetuesja, 9 vota kundër paktit detar me Greqinë

Dy vite më parë, Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar unanimisht
marrëveshjen e ujërave detare të Shqipërisë me Greqinë, duke kërkuar
rinegocimin e saj. Gjykata Kushtetuese ka shpallur antikushtetueshmërinë
e kësaj marrëveshjeje, duke anuluar paktin dhe duke kërkuar
rinegocim nga e para të kësaj marrëveshjeje. Vendimi për të rrëzuar
marrëveshjen e negociuar midis zyrtarëve të Tiranës dhe Athinës
është hedhur poshtë në unanimitet me 9 votat e anëtarëve të Gjykatës
Kushtetuese. Një ndër arsyet më të forta të këtij rrëzimi ka qenë fakti
se grupi negociator i palës shqiptare nuk kishte marrë lejen e Presidentit
të Republikës për të negociuar me palën greke.

PANARITI: PO NGRIHEN GRUPET E PUNËS

Ministri i Jashtëm, Edmond Panariti, ka pranuar disa ditë më parë se ka nisur përgatitjet me ngritjen e grupeve të punës që do të negociojnë për herë të dytë me Greqinë marrëveshjen për delimitimin e ujërave detare. “Grupet e punës janë duke punuar. Në momentin që unë do të kem rezultatet e grupeve të punës, do të mblidhemi së bashku dhe do të diskutojmë për ecurinë e mëtejshme”, u shpreh para mediave ministri i Jashtëm.

FATION BINJAKU

 

© Panorama.al

Te lidhura