Falë dy golave dhe katër asisteve, Rafael Leao ka ndikuar në gjashtë golat e fundit kuqezi kundër ekipeve të sapongjitura në Serinë A. Impakt pozitiv i portugezit në këto dalje të para të Milanit për këtë vit kalendarik, megjithatë duhet të japë ende shumë.
E thonë të gjithë në ambientet milaniste, por e pranon edhe vetë numri 10 siç duket edhe në deklaratën për “Tele Lombardia”.
Çfarë ndeshjeje ishte ajo e së martës? E vështirë siç e kishim parashikuar kundër një rivali po aq të ndërlikuar. E dinim çfarë na priste, por nga mënyra se si fituam treguam dëshirë dhe mendësi të rëndësishme.
Jeni i kënaqur me veten? Isha në gjendje të ndihmoja ekipin dhe luftuam së bashku deri në fund. Duhet ta ruajmë këtë nivel, trajneri kërkon të na çojë në majë me mentalitet dhe punë e i gjithë grupi është gati të japë maksimumin.
Cila është rëndësia e kësaj fitoreje? Ishte një lojë ekipore, të gjithë së bashku luftuam deri në fund dhe në momente të vështira nuk u dorëzuam kurrë. Edhe ata që erdhën nga stoli sollën energji dhe kështu bëhet më e lehtë të fitosh ndeshje të vështira.
A mund të bartet kjo energji në pjesën tjetër të sezonit? Ishim në një moment të vështirë dhe erdhi një trajner i ri i cili na solli atë që mungonte më parë. Ndoshta më parë nuk kemi shkuar deri në fund, por me Konseisaon kemi vënë të gjithë energjinë tonë në lojë dhe të përpiqemi të shënojmë sa më shumë. Jemi shumë të kënaqur me atë që po sjell trajneri me stafin e tij. Tani të gjithë përpiqen të japin maksimumin dhe fitorja në këto ndeshje na jep shumë forcë.
Mendoni se do ta arrini vendin e katërt? Mund të bëhet. Ne duam Ligën e Kampionëve dhe do të bëjmë gjithçka për të qenë pjesë e ekipeve që marrin pjesë edhe në vitin tjetër.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al