FLAKA SURROI
Shumë brengosëse është se në këtë çast, të ardhurat mesatare në sektorin publik janë më të mëdha sesa në sektorin privat, që në vete është një situatë absurde. Pra, sektori privat, i ngufatur deri në palcë, mesataren e ka diku nga 500 euro në muaj. Publiku, me rritjen e fundit, do ta kalojë 800-ëshin. E, edhe kjo na bën sui generis.
Në kolumnen e para tri javëve kisha shkruar se nuk duhej befasuar, po qe se do të kishte lëvizje të reja në ngritje rrogash e të ngjashme, për shkak se tashmë ishim futur thellë në fushatën e pashpallur. Dhe natyrshëm, ai i cili e kontrollon buxhetin mund të dalë edhe me premtime e propozime të turli lloji, pra edhe të zbulojë fizkultura të reja se si ta shkelë ligjin, e të duket se nuk e shkel edhe kur e shkel – siç ia bënë Murati e Kurti javën e shkuar. Edhe pse ligji që i rregullon pagat qartazi thotë se Qeveria me vendim mund ta rrisë vlerën e koeficientit, por jo edhe vetë koeficientin që duhet të ndryshojë me ligj, Kurti doli për të thënë se të gjithë shërbyesve civilë a publikë do t’u rriteshin rrogat për një gjysmë koeficienti, edhe pse nuk e quajti bash kështu. Sipas vendimit, të gjithëve do t’u rriten rrogat 55 euro në janar dhe edhe 55 euro prej korrikut. Tamam për t’u siguruar që një numër i madh njerëzish që marrin rroga prej buxhetit të shtetit të joshen për t’ia qitur votën dikujt që e luan rolin e babadimrit. Të dhuratëdhënësit me paratë që me mund të jashtëzakonshëm po i mbledh në arkën e përbashkët kryesisht sektori privat.
Edhe ky vendim, sikurse ai tjetri që kishte të bënte me lartësinë e rrogës minimale i para disa javëve është puro elektoral. Kurti, sikurse krejt kryeministrat paraprakë iu qas një vendimi skajshmërisht zgjedhor dhe populist për të mbledhur vota. Dhe sikurse edhe të gjithë kryeministrat paraprakë që kanë gënjyer, edhe ky ka vepruar njësoj. Gjithsesi, i ka ngrënë fjalët e veta për xhipat apo/ edhe veturat zyrtare. Në këta katër vjet, nuk pamë që ndokush t’i ketë hequr nga përdorimi. Për më tepër, njësoj irrituese kanë mbetur eskortat që e përcjellin Kurtin apo edhe Osmanin nëpër qytet, edhe pse, dorën në zemër, eskorta e kryetares ia kalon asaj të kryeministrit. Dhe, nuk kam se si të mos e shtroj pyetjen e njëjtë që e kam përsëritur me vite: kujt i frikësohen këta politikanë? Popullit të vet?
Tash i hëngri fjalët e veta se nuk do t’i rriste rrogat për nevoja elektorale. Nesër do t’i hajë edhe disa të tjera, me siguri. Për disa nuk do të ketë rrugëdalje tjetër, se do të lidhen për realpolitikën, e jo dëshirat apo imagjinatën e tij – ngase do të lidhen për ndonjë vendim të madh politik që lidhet për negociatat apo edhe ndonjë presioni të madh, të kushtëzuar, ndërkombëtar.
Rritja e paralajmëruar e rrogave nxiti reagimin e menjëhershëm të Abdixhikut, që premtoi rritjen e rrogave posa të vinte në pushtet për nja 30 a sa për qind. Nga ana tjetër, Haradinaj, i njohur prej kohësh se ka nevojë të blejë kravata, nuk e ka problem të premtojë se rrogat do t’i bëjë 1000 euro, a sa ia ka ënda, për shkak se ja, që njëzet e kusur vjet, i dëgjojmë përafërsisht premtimet e njëjta nga secili që synon të vijë në pushtet. E më pas, kur vjen në pushtet, pret për ta përmbushur një copëz premtimi pak para se të mbahen zgjedhjet e radhës. Ironia e gjithë kësaj gare është se rrogat iu rritën një të pestës së të punësuarve në Kosovë, pra përfshirë edhe vetë deputetët, ministrat dhe udhëheqësit e tjerë institucionalë, përderisa 80% të të tjerëve, që janë mbi 300 mijë, shërbejnë si mbushës të buxhetit, nga i cili nuk përfitojnë në formën e njëjtë sikur të përfshirët në sektorin publik. Shumë brengosëse është se në këtë çast, të ardhurat mesatare në sektorin publik janë më të mëdha sesa në sektorin privat, që në vete është një situatë absurde. Pra, sektori privat, i ngufatur deri në palcë, mesataren e ka diku nga 500 euro në muaj. Publiku, me rritjen e fundit, do ta kalojë 800-shin. E, edhe kjo na bën sui generis. Edhe më brengosës vazhdon të jetë “sistemi” i ndarjes së subvencioneve të vogla (10 a 20 euro në muaj). Këto e zbrazin buxhetin dhe shërbejnë për blerjen e artikujve nëpër dyqane. Nga ana tjetër, rrjetet e dyqaneve vazhdojnë t’i sigurojnë këta artikuj duke i blerë nga jashtë, për shkak se ne vetë nuk i prodhojmë. Kjo ngase, për mungesë të çfarëdo përkrahjeje strategjike nga shteti, është shumë më lirë që këto produkte të blihen, sesa të prodhohen e të eksportohen. Dhe kështu, me lehtësinë më të madhe, paratë e gatshme na dalin jashtë shtetit. Dhe sërish kështu, ne dalim në humbje, sepse me punën tonë nuk mbërrijmë të eksportojmë diçka më shumë sesa vetëm njerëz. Ikja e tyre vazhdon. Ajo që u ka munguar të gjitha qeverive qëkur vendosim (në teori) për veten, është përkrahja e sektorit privat që duhet të jetë gjeneratori i ekonomisë së një vendi. Kjo natyrisht nëse synimi ynë është ta kemi një ekonomi të tregut dhe një ekonomi që mund të na mbajë gjallë me punën tonë. S’mund të thuhet se kemi prodhim, ngase atë pak prodhim që e kemi, e kemi të shtrenjtë. Nuk kemi investime të huaja direkte, sado që dikush mund të thotë se kurrë nuk kemi pasur më shumë. Por edhe këtu e kemi një problem, për shkak se investime të huaja konsiderohen edhe remitencat, të cilat kryesisht shërbejnë për të blerë patundshmëri, por jo edhe për prodhim. Po të kishte orientim që paratë të mbeteshin në vend e të mos shkonin në import, ndryshe do të flisnim për mesataret e të ardhurave personale të sektorit privat. Dhe ndryshe do të flisnim për nivelin e punësimit – për shkak se shumë më shumë njerëz do të kishin mundësi të punësoheshin dhe të jetonin dinjitetshëm nga rrogat e tyre.
Nuk duhet me qenë shumë i dijshëm për të kuptuar se po të kishim më pak probleme ekonomike, do të kishim, me shumë gjasë, më pak probleme politike. Ekonomia e fuqishme që do të mundësonte një jetë të mirë, do të zhvendoste vëmendjen nga politika. Me siguri do të na i eliminonte debatet televizive, për shkak se temat që do të debatoheshin, do ta kishin peshën e një anekdote, pos kur do të bëhej fjalë për ndonjë rast korrupsioni. Problemi ynë është që vetë Kosova është objekt debatesh e negociatash politike në nivel ndërkombëtar, edhe për shkak të paaftësisë së politikanëve tanë të këtyre njëzet e kusur vjetëve të fundit. Dhe derisa ende duhet të flasim nëse duhet themeluar Zajednicën dhe t’i nënshtrohemi presionit të paparë për themelimin e saj, zor se do të kemi lëvizje pozitive në ekonomi, për shkak se e gjithë energjia do të jetë e përqendruar andej.
Pas shumë vjetësh përjetuam ta merrnim Raportin e Progresit, përgatitur nga BE-ja e që zyrtarët tanë të mos dilnin të na thoshin se “është vlerësim real”. Kjo qeveri, nëpërmjet zëvendëskryeministrit të parë, doli për të kërkuar që raporti të lexohej me sy pozitiv, për të arriturat e kësaj qeverisjeje. Gjithashtu doli për të thënë se shënimet që kanë shërbyer për ndërtimin e narrativës së raportit është dashur të merreshin nga Kosova e jo gjithandej. Por fakti është se edhe ky raport kallëzon për progres të kufizuar në shumë aspekte – në rend të parë sundimin e ligjit dhe reformën në gjyqësi. Raporti është kritik për kapacitetin e administratës dhe ngathtësinë e saj – edhe për shkak të faktit se pjesa më e madhe e këtyre institucioneve udhëhiqen nga ushtruesit e detyrës, që shpesh bie ndesh edhe me ligjin që e përcakton një kufi, përtej të cilit vendimet e marra nga ta mund të konsiderohen të kundërligjshme. E administrata e Kosovës është nisur mbrapsht në kohën e UNMIK-ut dhe kurrë nuk ka kaluar nëpër një proces reforme, për shkak se përherë ka munguar vullneti politik për një gjë të tillë. Dhe ky, natyrisht se është rezultat i brishtësisë dhe papjekurisë së shtetit tonë, e që nuk mund të zgjidhet brenda natës. Për të pasur një administratë të qëndrueshme, duhet pasur edhe ligje të qëndrueshme dhe mbi të gjitha, duhet pasur zbatim të ligjit me të gjitha pasojat që i tërheq me vete ligjshmëria.
Dhimbjet e rritjes, do t’i quante dikush. Dhe krahasuar me shtetet e Evropës, ne njëmend mund të konsiderohemi shtet i ri me moshë që është duke u rritur. Por, gjithashtu do të duhej ta dinim se jemi një shtet që tashmë i kemi bërë disa vjet, dhe se diçka do të kemi mësuar nga ato dhimbjet e para. Dhe pavarësisht faktit se jemi në fushatë para fushate, premtimet do të duhej të ishin më përtokë. Sepse tashmë i bëmë disa vjet stazh si votues dhe mësuam jo pak për pallavrat për havaje që na përsëriten në çdo cikël zgjedhjesh. /Gazeta Panorama
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al