Qeveria vendosi dje rritjen e rrogave dhe pensioneve nga 1 korriku i këtij viti.Në mbledhjen e dytë brenda kësaj jave të Këshillit të Ministrave, kreu i qeverisë, Sali Berisha, tha se edhe gjatë vitit 2011, si në çdo vit tjetër, do të ketë rritje për administratën dhe pensionistët. Gazeta ka siguruar vendimin e plotë të rritjes së pensioneve dhe kategoritë që e përfitojnë atë. Kështu, pensionet e qytetit do të rriten me katër për qind, ndërsa ato të fshatit me shtatë për qind. Në kategorinë e pensioneve të qytetit përfshihen pensionet e plota, të parakohshme, pensionet suplementare të pleqërisë dhe ato të invaliditetit të ushtarakëve. Ndërsa në kategorinë e pensioneve të fshatit që do të rriten me shtatë për qind, përfshihen “pensionet e plota dhe të pjesshme të pleqërisë, pensioneve të invaliditetit dhe pensioneve familjare, të caktuara në përputhje me ligjin Nr. 4976, datë 29.6.1972, “Për pensionet e anëtarëve të kooperativave bujqësore në Republikën Popullore të Shqipërisë”; pensionet e caktuara në përputhje me paragrafin e katërt të nenit 96 të ligjit Nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”. Në vendimin e qeverisë thuhet se rritja e pensioneve ka një kosto prej 16.3 milionë USD dhe do të përballohet nga fondi i kontigjencës. Në të njëjtën kohë u vendos që rrogat të rriten nga katër deri në gjashtë përqind.
Berisha
Në mbledhjen e qeverisë, Kryeministri u shpreh se ky vendim tingëllon i pazakontë, në një kohë kur Europa është në krizë ekonomike. “Ne rrisim sot rrogat dhe pensionet, në një periudhë kur kriza e borxheve ka tronditur dhe po trondit në themel tregjet europiane dhe botërore, sepse ne vendosëm ekonominë tonë, kohë para krize, në parime të reja funksionimi. Ky vendim sot është një vendim shumë i pazakontë, për shkak të krizës së thelle ekonomike dhe financiare që ka pllakosur Europën dhe botën tre vitet e fundit dhe që tashmë po kulmon me krizën e borxheve, po kaq apo më thellë tronditëse se sa ajo e flluskave të mëdha financiare”, tha Kryeministri. Berisha sqaroi edhe njëherë se me vendimin për të rritur rrogat dhe pensionet nuk shkelet asnjë marrëveshje me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Sipas tij, borxhi publik nuk do të jetë më shumë se 59.7%. Gjatë komunikimit me mediat, Berisha sulmoi edhe opozitën, për të cilën tha se drejtohet nga miliarderët që e quajnë krim rritjen e rrogave dhe pensioneve. “Kur ke një opozitë që kryesohet nga miliarderë, natyrisht rritja e rrogave dhe pensioneve është katastrofë, kur ke një opozitë që kryesohet nga miliarderë, të gjithë zhvillimin e madh me rreptësinë e disiplinës fiskale të autoriteteve fiskale, se e bëjnë ato ligjin, por politikat nuk kanë parasysh një individ të caktuar apo grupe të ngushta. Politikat u adresohen qytetarëve në tërësi”, tha më tej Berisha. “Ndaj dhe uroj të dalin nga ky spiral, se të kundërshtosh rrogat dhe pensionet, rritjen e tyre, pothuajse i mohon vetes autoritetin moral që ka opozita, se ku e gjen atë shpirt, ku e gjen atë moral që duke qenë në opozitë ta shpallësh katastrofike politikën e rritjes së rrogave dhe pensioneve. Këtë e bën vetëm po të bazohesh në parimin që “unë të kem dhe ai të mos ketë”, por kjo nuk funksionon”.
Kategorite qe ju rriten e pensionet
Rriten në masën 4 për qind:
a) pensioneve të plota, të pjesshme dhe të parakohshme të pleqërisë, pensioneve të plota, të pjesshme dhe të reduktuara të invaliditetit, pagesave për sigurimin nga aksidentet në punë dhe sëmundjet profesionale, pensioneve familjare, pensioneve për merita të veçanta dhe për vjetërsi shërbimi;
b) pensioneve të posaçme shtetërore dhe të shtesave të pensioneve të posaçme shtetërore, të caktuara me ligjin Nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;
c) shtesës mujore, të përfituar me vendimin Nr. 326, datë 21.6.1993, të Këshillit të Ministrave, “Për kriteret e trajtimit të invalidëve të luftës kundër pushtuesve nazifashistë të popullit shqiptar”;
ç) pensioneve të caktuara me dekretin Nr. 758, datë 1.2.1994, të Presidentit të Republikës, “Për një mbrojtje të veçantë të ushtarakut”;
d) shtesave mbi pension, të dhëna me nenin 33, të ligjit Nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;
dh) të shtesave mbi pension, të dhëna me nenet 38, 39 dhe 48, të ligjit Nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar dhe me nenin 24, të ligjit Nr. 4171, datë 13.6.1966, “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë”;
e) pensioneve të parakohshme për vjetërsi shërbimi, pensioneve suplementare të pleqërisë, pensioneve suplementare të invaliditetit, pensioneve suplementare të invaliditetit të ushtarakëve që, për shkak të detyrës, bëhen plotësisht të paaftë për shërbim, pensioneve suplementare familjare, pensioneve suplementare familjare të ushtarakëve që kane humbur jetën për shkak të detyrës, të caktuara në përputhje me ligjin Nr. 10142, datë 15.5.2009, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakut të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit dhe punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”,
ë) trajtimeve të veçanta financiare të familjeve të pilotëve fluturues, të caktuara me ligjin Nr. 8455, datë 4.2.1999, “Për një trajtim të veçantë të familjeve të pilotëve, që humbasin jetën në përmbushje të detyrës, gjatë fluturimit”, të ndryshuar, dhe trajtimit të veçantë financiar të pilotëve fluturues, sipas ligjit Nr. 9128, datë 29.7.2003, “Për një trajtim të veçantë financiar të pilotëve fluturues, në pension”.
f) trajtimeve të veçanta financiare, të caktuara sipas ligjit Nr. 9361, datë 24.3.2005, “Për një trajtim të veçantë financiar të efektivave, oficerë dhe nënoficerë, lundrues të nëndetëseve dhe polumbarëve të forcave detare, në pension”,
g) trajtimeve të veçanta financiare të punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë, të caktuara sipas ligjit Nr. 8685, datë 9.11.2000, “Për një trajtim të veçantë të punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë”, të ndryshuar;
gj) trajtimeve të veçanta financiare të caktuara sipas ligjit Nr. 9179, datë 29.1.2004, “Për një trajtim të veçantë të punonjësve që kanë punuar në disa ndërmarrje të industrisë ushtarake”;
h) pensioneve suplementare të caktuara sipas ligjit Nr. 10 139, datë 15.5.2009, “Për pensionet shtetërore suplementare të punonjësve të universiteteve të shkollave të larta, Qendrës së Studimeve Albanologjike, Akademisë së Shkencave dhe të gjitha institucioneve të tjera kërkimore publike në Republikën e Shqipërisë, të cilët kanë tituj shkencorë.”
Rriten në masën 7 për qind:
a) pensioneve të plota dhe të pjesshme të pleqërisë, pensioneve të invaliditetit dhe pensioneve familjare, të caktuara në përputhje me ligjin Nr. 4976, datë 29.6.1972, “Për pensionet e anëtarëve të kooperativave bujqësore në Republikën Popullore të Shqipërisë”;
b) pensioneve të caktuara në përputhje me paragrafin e katërt të nenit 96 të ligjit Nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.











