Deklarata e Ministrit të Punës në 1 Maj: Për këtë vit do ta ulim papunësinë me 0.4 për qind.
Ksera: Nga 20 mijë lekë, do të shkojë në 21 mijë lekë.
Paga minimale për punonjësit e administratës dhe bizneset private do të rritet me një mijë lekë. Nga 20 mijë lekë që është aktualisht, do të shkojë në 21 mijë lekë. Gjithçka e bëri me dije dje, gjatë një konference për shtyp në Panairin e Punës, ministri Spiro Ksera. Sipas tij, do të rishikohet niveli i pagës në plotësim të kërkesave të sindikatave. “Do të kemi një rritje këtë vit të pagës minimale. Kjo do të diskutohet në Këshillin Kombëtar të Punës, një diskutim dhe një vendimmarrje duke marrë parasysh të gjitha kërkesat e biznesit, por dhe të sindikatave. Është 20 mijë lekë aktualisht, ne themi të shkojë 21 mijë”, tha Ksera. Nuk dihet si do ta presin bizneset e mëdha, sidomos ato të industrisë së fasonëve këtë shtesë, e cila do t’i detyrojë të paguajnë më shumë taksa dhe sigurime për të punësuarit. Ministri Ksera pohoi gjithashtu se në Shqipëri është ulur niveli i papunësisë, ndryshe nga vendet e rajonit që janë prekur nga kriza dhe kanë rritje të numrit të qytetarëve që nuk kanë një punë. Sektorët që kanë krijuar mundësi punësimi janë ai i industrisë së fasoneve, industrive përpunuese, si dhe projektet koncesionare. Ministria e Punës parashikon që për vitin 2012, niveli i papunësisë të ulet edhe me 0.4 për qind. “Nga gjithë kjo situata e ndikimit të krizës së borxheve dhe e presionit te tregu i punës ne kemi arritur që niveli i papunësisë të zvogëlohet nga masa 13.7 për qind që ka qenë vitin e kaluar, ne vazhdojmë ta kemi masën 13.26 për qind dhe shpresojmë që deri në fund të vitit të kemi një ulje akoma me 0.4 për qind”, tha Spiro Kresa, ministër i Punës dhe Çështjeve Sociale. Përfaqësuesi i BiznesAlbania, Luan Bregasi, vlerësoi organizimin e Panairit të Punës 2012, ku bizneset prezantojnë jo vetëm veprimtarinë e tyre prodhuese, por edhe ofertat për vende të lira pune. “Biznesi në Shqipëri është biznes social dhe ne jemi krenarë që efektet e krizës në këtë periudhë të vështirë nuk ranë mbi fuqinë punëtore, ku jo vetëm nuk pati shkurtime të vendeve të punës, por përkundrazi, u vazhdua me hapjen e vendeve të reja të punës”, deklaroi Bregasi. Zv.ministrja e Arsimit, Nora Malaj, u ndal në politikat arsimore, veçanërisht ato me fokus profesional të qeverisë dhe rolin që kanë ato në tregun e punës.
Për 1 Maj, shumë festë e pak protestë
Në të gjithë botën, 1 Maji, Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve, është ditë proteste. Te ne vetëm pak sindikata zgjodhën dje të protestojnë. Të tjerat e panë këtë ditë njësoj siç e shohin pjesa më e madhe e shqiptarëve: një ditë feste e pushimi. I ka gjetur të ndara edhe ato pak sindikata aktive në Shqipëri. “Këto pseudoreforma i kanë kthyer arsimtarët dhe pedagogët në skllevër të pushtetit dhe u kanë hequr atyre pavarësinë ligjore dhe akademike”, tha Kolë Nikolla, kryetar i Konfederatës së Sindikatave. Shoqata e Minatorëve, e kryesuar nga Fiqiri Xibri, ka protestuar para Ministrisë së Punës, për ta përmbyllur protestën e tyre para Kryeministrisë. “Minimumi jetik në Shqipëri është rreth 30 për qind më i lartë se sa rroga mesatare, pa folur këtu për rrogën minimale të zyrtarizuar, sepse aty jemi shumë dobët”, tha Xibri.
ZIRINA LLAMBRO
© Panorama.al











