
Katër gjyqtarët: Fakti i denoncuar nuk ekziston.
“U shkel ligji me ekspertin amerikan, videoja ‘Meta-Prifti’, jo origjinale”
Gjykata e Lartë zbardhi dje arsyetimin e vendimit të 16 janarit 2012, që shpalli të pafajshëm ish-zv.kryeministrin Ilir Meta për akuzën e “korrupsionit”. Argumentimi u publikua një muaj pasi Kolegji Penal vendosi unanimisht deklarimin e pafajshëm të Metës për akuzat e ngritura ndaj tij, pas publikimit të një videopërgjimi të një bisede mes tij dhe ish-ministrit Dritan Prifti. Sipas arsyetimit të Gjykatës së Lartë, materiali audio-video “Meta-Prifti” i ekspertuar nuk ishte origjinal. Po sipas Gjykatës, materiali nuk përmbush kushtet për t’u konsideruar provë materiale dhe se dëgjueshmëria dhe kuptueshmëria nuk mundëson qartësimin e rrethanave të faktit që pretendohet të përmbahen në të. Arsyetimi i vendimit në fjalë përbëhej nga një material prej 84 faqesh në total. Në këtë material voluminoz, pesë gjyqtarët paraqisnin arsyetimin e verdiktit të tyre dhe relatori Ardian Dvorani bënte të ditur qëndrimin e tij me një “mendim paralel”. Në vendimin e zbardhur Kolegji “rrëfente” seancë pas seance arsyetimet e të gjitha momenteve të vendimmarrjes, që prej depozitimit të dosjes ndaj Metës në Gjykatë më 9 maj 2011 e deri më mbyllje të gjykimit. Gjykimi i dosjes në ngarkim të ish-zv.kryeministrit Ilir Meta në Gjykatën e Lartë u realizua nga një Kolegj Penal ku kryesues ishte gjyqtari Ardian Dvorani dhe anëtarë gjyqtarët Gani Dizdari, Majlinda Andrea, Arjana Fullani dhe Guxim Zenelaj. Më poshtë publikohen argumentet kryesore të vendimit të Gjykatës së Lartë (shumica).
Vendimi
Në diskutimin e saj përfundimtar, Prokuroria kërkoi deklarimin e fajshëm të Metës dhe dënimin e tij me 2 vjet burg dhe 1 milion lekë gjobë. Sipas Prokurorisë së Përgjithshme, rezultonte e provuar se “Ilir Meta, më 1 mars 2010, në një bisedë që kishte pasur me Dritan Priftin, i ka propozuar këtij të fundit të favorizonte në garën koncesionare që zhvillohej për ndërtimin e hidrocentraleve Egnatia-Shushicë, Bashkimin e Përkohshëm të Shoqërive ‘Vëllezërit Tola’ sh.p.k., për një investim me një vlerë rreth 65 milionë euro, duke i premtuar si shpërblim të kundërligjshëm shumën prej 700 mijë eurosh dhe 7% të aksioneve, si dhe ndërhyrjen për të favorizuar shoqërinë ‘Halilaj Holding Group’ sh.a. në ankandin për ‘Shitje të një sasie prej 30 mijë tonësh naftë bruto’ të prodhuar nga shoqëria ‘Albpetrol’ sh.a. Për këtë të fundit, sipas dëshmitarit, nga i pandehuri Ilir Meta i është ofruar një përfitim i paligjshëm deri në 1 milion dollarë, që do të ndaheshin mes tyre”.
Nga ana tjetër, avokatët mbrojtës të ish-zv.kryeministrit Meta, në diskutimin e tyre përfundimtar kërkuan deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Ilir Meta, pasi sipas tyre, fakti nuk ekzistonte. Në vijim paraqiten argumentet e Kolegjit Penal referuar vendimit të Gjykatës.
EKSPERTËT E HUAJ
Në vendimin e zbardhur arsyetohej vendimi i ndërmjetëm i Kolegjit Penal për pranimin e kërkesës paraprake për pavlefshmëri relative dhe papërdorshmëri të akt-ekspertimeve të videos “Meta-Prifti” të ekspertit amerikan Glenn Bard dhe eksperti nga Mbretëria e Bashkuar, Adrian Philips. Sipas Kolegjit Penal, ky ekspertim ishte kryer në shkelje të dispozitave ligjore përkatëse dhe mosveprimit të Prokurorisë në përputhje me Konventën Europiane për Ndihmë Juridike në Fushën Penale. Sipas argumentimit të Gjykatës, Prokuroria ka shmangur Ministrinë e Drejtësisë. Kjo, pasi ekspertimet nuk ishin kryer nëpërmjet “letër-porosive për jashtë shtetit”, si edhe u ishin ngarkuar detyra në rrugë jo zyrtare. “Duke pranuar si ekspertë persona privatë të huaj, si dhe duke u ngarkuar detyra e marrë mendimin e tyre në rrugë jo zyrtare, jashtë detyrimeve ligjore të parashikuara në Kodin e Procedurës Penale dhe në Konventën Europiane për Ndihmë Juridike në Fushën Penale, organi i akuzës i ka përjashtuar ekspertët realisht nga çdo përgjegjësi, aq më tepër nga përgjegjësia penale që mund të mbajnë sipas ligjeve përkatëse në rastin e veprës penale të ekspertimit të rremë. Nëse organi i akuzës do të kishte ndjekur rrugën ligjore të përcaktuar në Kodin e Procedurës Penale, në Konventën Europiane për Ndihmë Juridike në Fushën Penale, si dhe në ligjin nr. 10193, datë 03.12.2009 ‘Për marrëdhëniet juridiksionale me autoritetet e huaja në çështje penale’, ekspertët e huaj duhej të bënin betimin dhe të merrnin përgjegjësinë përpara organit kompetent të shtetit të tyre, gjë që do të shërbente si garanci që ekspertimi do të ishte i saktë”, thuhej në vendim.
VIDEOJA JO ORIGJINALE
Në arsyetimin e vendimi citoheshin përfundimet e akt-ekspertimit shkencor të videos “Meta-Prifti” nga tre ekspertët shqiptarë, sipas të cilëve, “në objektin e ekspertimit provë materiale ‘orë’ nuk u gjet asnjë gjurmë e bisedës Meta-Prifti, por u gjet një material tjetër audio-video”. “Bazuar në konkluzionet e ardhura nga ekspertët, Kolegji Penal vlerëson se materiali audioviziv që iu nënshtrua ekspertimit nuk është origjinal. Në këtë material audioviziv u vërtetua mundësia dhe probabiliteti i lartë i ndërhyrjeve në përmbajtje si rezultat i anomalive të pashpjegueshme. Ndërkohë që cilësia e tij është nën nivelin shkencor të kuptueshmërisë së përmbajtjes së tij. Mbi këtë bazë, Kolegji Penal vjen në përfundimin se ky material, me përmbajtje një regjistrim audioviziv ku pretendohet të përmbahet një bisedë mes të pandehurit Ilir Meta dhe dëshmitarit Dritan Prifti, nuk përmban gjurmë të vlefshme dhe nuk përmbush kriteret ligjore për t’u konsideruar provë materiale. Nga ana tjetër, dëgjueshmëria dhe kuptueshmëria e tij nuk mundësojnë qartësimin e rrethanave të faktit që pretendohet se mund të përmbahen në të. Si përfundim, Kolegji Penal vlerëson se, nga veprimet hetimore të kryera dhe provat e administruara e të çmuara në gjykim, nuk rezulton e provuar që në bisedën e datës 01.03.2010 mes dëshmitarit Dritan Prifti dhe të pandehurit Ilir Meta, ky i fundit ka kërkuar të ndikojë në mënyrë të paligjshme dhe t’i ofrojë dëshmitarit Dritan Prifti një shpërblim prej 700 mijë eurosh dhe 7% të aksioneve të subjektit Bashkimi i Përkohshëm ‘Vëllezërit Tola’ sh.p.k., për të favorizuar këtë subjekt në fitimin e konkurrimit publik për dhënien me koncesion të hidrocentralit Egnatia-Shushicë”, thuhej në vendimin e Gjykatës. Në vijim Gjykata arsyetonte rrëzimin e pretendimeve të Prokurorisë së në bisedën e 1 marsit 2012, ish-zv.kryeministri Meta t’i kishte kërkuar Dritan Priftit favorizimin e shoqërisë “Halilaj Holding Group” sh.a. në ankandin për shitjen e një sasie prej 30 mijë tonësh naftë bruto të prodhuar nga shoqëria “Albpetrol” sh.a., duke i ofruar edhe një përfitim i paligjshëm deri në 1 milion USD për t’i ndarë së bashku. “Kolegji Penal vëren se vetëm dëshmitari Dritan Prifti bën deklarime, sipas të cilave, në bisedën e tij të datës 01.03.2010 me të pandehurin Ilir Meta, çështje tjetër e diskutuar mes tyre ka qenë ajo e ecurisë së procedurave të ankandit të shitjes së një sasie nafte nga ‘Albpetrol’ sh.a., si dhe ndërhyrja e hapur për të favorizuar në këtë garë shoqërinë ‘Halilaj Holding Group’ sh.a., me aksioner të vetëm shtetasin Bekim Halilaj, një mik i afërt i të pandehurit Ilir Meta dhe i LSI-së, nëpërmjet shtyrjes dhe anulimeve të datave të ankandit për shkak të frikës nga konkurrenca dhe kërkimit të avantazheve (marrjes me qira të një rafinerie të ‘ARMO’ sh.a.), madje kundrejt një përfitimi prej 1 milion USD për t’u ndarë mes dy bashkëbiseduesve”, arsyetohej në vendim. Sipas arsyetimit të Kolegjit Penal, edhe në këtë rast, regjistrimi audioviziv i realizuar nga Prifti dhe dëshmia e tij në Gjykatë nuk ka fuqi provuese. “Për të njëjtat arsye dhe shkaqe, Kolegji Penal vjen në përfundimin se ky material me përmbajtje një regjistrim audioviziv, ku pretendohet të përmbahet edhe një bisedë mes të pandehurit Ilir Meta dhe dëshmitarit Dritan Prifti lidhur me një ankand të shitjes së naftës bruto nga ‘Albpetrol’ sh.a., nuk përmban gjurmë të vlefshme dhe nuk përmbush kriteret ligjore për t’u konsideruar provë materiale. Nga ana tjetër, dëgjueshmëria dhe kuptueshmëria e tij nuk mundësojnë qartësimin e rrethanave të faktit penal që pretendohet se mund të përmbahen në të. Si përfundim, Kolegji Penal vlerëson se, nga veprimet hetimore të kryera dhe provat e administruara e të çmuara në gjykim, nuk rezulton e provuar që në bisedën e datës 01.03.2010 mes dëshmitarit Dritan Prifti dhe të pandehurit Ilir Meta të jetë biseduar në lidhje me ecurinë e një ankandi për shitjen e naftës bruto nga ‘Albpetrol’ sh.a., për të ndikuar që në këtë procedurë të favorizohej padrejtësisht subjekti ‘Halilaj Holding Group’ sh.a. dhe përkundrejt një përfitimi të paligjshëm në shumën 1 milion USD për t’u ndarë mes të pandehurit Ilir Meta dhe dëshmitarit Dritan Prifti”, thuhej në vendim. Në vijim, duke u futur në analizën juridike, në kuptimin e analizës së dispozitave konkrete të ligjit material e procedural penal të zbatueshme në procedimin penal objekt i këtij gjykimi për dy episodet, Gjykata shprehej: “Bazuar në vlerësimin dhe çmimin e atyre provave që u pranuan dhe debatuan në seancë gjyqësore, Kolegji Penal vëren se, në përfundim të shqyrtimit gjyqësor të çështjes nuk u arrit të provohet që i pandehuri Ilir Meta t’i ketë ofruar e premtuar shtetasit Dritan Prifti përfitime të parregullta, sikurse u pandeh, në shumën 700 mijë euro dhe 7% të aksioneve të Bashkimit të Përkohshëm ‘Vëllezërit Tola’ sh.p.k., me qëllim që shtetasi Dritan Prifti të kryente veprime të lidhura me funksionin e tij për të favorizuar subjektin juridik të sipërcituar”. Në lidhje me dyshimet për ndikim për favorizim në lidhje me ankandin e shitjes së naftës bruto, Gjykata citonte: “Bazuar në vlerësimin dhe çmimin e atyre provave që u pranuan dhe debatuan në seancë gjyqësore, Kolegji Penal vëren se, në përfundim të shqyrtimit gjyqësor të çështjes nuk u arrit të provohet që në bisedën e zhvilluar në datën 01.02.2010 midis shtetasit Dritan Prifti dhe të pandehurit Ilir Meta të jetë diskutuar lidhur me ankandin e shitjes së naftës dhe favorizimin e ‘Halilaj Holding Group’ sh.a. në atë ankand, as edhe që të jenë ofruar 1 milion USD përfitim, me qëllim që shtetasi Dritan Prifti të kryente veprime të lidhura me funksionin e tij për të favorizuar subjektin juridik ‘Halilaj Holding Group’ sh.a.”.
FAKTI NUK EKZISTON
“Avokatët mbrojtës të të pandehurit Ilir Meta, sikurse gjatë të gjitha fazave të procedimit, edhe në diskutimin përfundimtar kërkuan që klienti i tyre të deklarohej i pafajshëm sipas nenit 338, shkronja ‘a’ të Kodit të Procedurës Penale për motivin se ‘fakti nuk ekziston’. Kolegji Penal çmon së është vendi për të evidentuar që duhet të bëhet dallimi i qartë mes motivit ‘fakti nuk ekziston’ dhe atij që ‘fakti nuk provohet se ekziston’, të parashikuara nga shkronja ‘a’ e pikës 1 të nenit 388 të Kodit të Procedurës Penale. Sipas kësaj dispozite, me motivin ‘fakti nuk ekziston’ kuptohet që, si rregull, jemi përpara rasteve të simulimit të veprës penale për motive të caktuara, kur ngjarja apo fakti ‘krijohet’ apo trillohet ‘prova’ për të treguar se ka ndodhur një fakt i caktuar që parashikohet nga ligji si vepër penale. Ndërsa me motivin ‘fakti nuk vërtetohet që ekziston’ kuptohet që jemi në kushtet kur me provat e shqyrtuara nuk vërtetohet ekzistenca e faktit në kuptim të veprës penale. Kolegji Penal, pasi shqyrtoi dhe çmoi tërësinë e provave të pranuara dhe verifikuara në gjykim dhe pasi i analizoi ato në raport me ligjin procedural dhe material të zbatueshëm, vjen në përfundimin se nuk mund të krijohet bindje mbi ekzistencën e faktit në kuptimin penal, pra që i pandehuri Ilir Meta, me sjelljen e veprimet e tij si dhe me bisedat e zhvilluara, t’i ketë ofruar shtetasit Dritan Prifti shpërblime e përfitime materiale, me qëllim që ky i fundit, në kuadër të ushtrimit të funksioneve të tij publike, të favorizonte dy subjekte të caktuara, të afërta me të pandehurin Ilir Meta, në dy konkurrime të ndryshme publike: dhënien me koncesion të hidrocentralit Egnatia-Shushicë dhe shitjen me ankand të një sasie prej 50 mijë tonë naftë bruto të shoqërisë ‘Albpetrol’ sh.a. Duke qenë se, sipas parimeve e normave kushtetuese dhe atyre të ligjit procedural penal, ardhja nga Gjykata në përfundimin se fakti penal që i atribuohet të pandehurit nuk vërtetohet se ekziston, sjell natyrshëm disponimin e Gjykatës për deklarimin e pafajshëm të së pandehurit”, arsyetohej në vendimin e Gjykatës.
Videoja, Gjykata rrëzoi kërkesat
Gjykata vendosi të pranojë kërkesën e prokurorit për mosmarrjen si provë në seancë gjyqësore të aktit të transkriptimit të një pjese të bisedës mes shtetasve Dritan Prifti dhe Leonard Beqiri, meqenëse buron nga një akt ekspertimi që kjo gjykatë ka vendosur se është i pavlefshëm dhe i papërdorshëm. Në lidhje me kërkesën e mbrojtjes për vënien në dispozicion të materialit të plotë audioviziv të një bisede mes shtetasve Dritan Prifti dhe Leonard Beqiri, si dhe thirrjen si dëshmitar të shtetasit Leonard Beqiri, Kolegji Penal vlerësoi se, meqenëse burimi i saj ishte një akt ekspertimi i ekspertit amerikan Glenn Bard, i cili u deklarua i pavlefshëm dhe, për rrjedhojë, i papërdorshëm, ky kolegj vendosi të mos e pranojë këtë kërkesë të mbrojtjes.Biseda, vetëm dëshmia e Priftit
Në lidhje me përmbajtjen e bisedës së takimit të datës 1 mars 2010 mes të pandehurit Ilir Meta dhe dëshmitarit Dritan Prifti, ka dhënë shpjegime për gjykatën vetëm ky i fundit. Nga analiza e provave të tjera të pranuara dhe administruara nga gjykata, nuk rezultojnë nga thënie të dëshmitarëve të tjerë apo nga prova shkresore të shqyrtuara në gjykim të dhëna të tjera që të konfirmojnë deklarimet e dëshmitarit Dritan Prifti që biseda tij me të pandehurin Ilir Meta të ketë pasur si subjekt edhe çështjen e ecurisë së procedurave, përfshirë atë të pjesëmarrësve në ankandin e fillimvitit 2010 për shitjen nga “Albpetrol” sh.a. të sasisë prej 50 mijë tonë naftë bruto me vlerë orientuese 14 milionë e 200 mijë USD. Po kështu, edhe akti i ekspertimit i realizuar gjatë gjykimit nuk përmban shpjegime e përfundime në lidhje me përmbajtjen e bisedës që iu nënshtrua ekspertimit.“Akt-ekspertimi”
Akti i ekspertimit i realizuar nga Kolegji Penal nuk ia arriti qëllimit të tij, sepse nuk dha ndonjë përgjigje kategorike të pritshme mbi thelbin e këtij ekspertimi, pra nëse materiali audioviziv i realizuar, transferuar dhe ruajtur me pajisje dixhitale, pra informacioni që përmbahej në to kishte ose jo ndërhyrje e alterime, pra ishte ose jo origjinal dhe autentik. Ekspertimi thjesht parashtron e ripërsërit në planin teorik se ekzistojnë pafundësisht mundësi e probabilitete ndërhyrjesh në një informacion dixhital të një videoregjistrimi. Pra, në thelb, këtë përqasje me detyrën që u ishte ngarkuar, ekspertët e mbështesin veçse në parashtrime e trajtesa thjesht teorike mbi ekzistencën e një pafundësie mjetesh e mënyrash për ndërhyrje në informacion.
“Mendimi paralel” i Dvoranit
Ardian Dvorani: Prokuroria respektoi procedurat me specialistin amerikan.
“Riekspertimi i videos s‘duhej bërë me shqiptarë”
Gjyqtari Ardian Dvorani, në “mendimin paralel” të tij pohonte se ishte pro pafajësisë së ish-zv.min-istrit, por se “ndahej” prej anëtarëve të trupës që ai kryesonte në disa arsyetime vendimmarrëse. Sipas kryesuesit të Kolegjit Penal që gjykoi Metën në Gjykatën e Lartë, me provat e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor pafajësia ishte e vetmja zgjidhje përfundimtare për çështjen. “Qëndrimi im për zgjidhjen e çështjes është ai i përbashkët me gjyqtarët e tjerë për deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Ilir Meta, sepse nuk vërtetohet që fakti ekziston në zbatim të shkronjës ‘a’ të pikës 1 të nenit 388 të Kodit të Procedurës Penale. Ky qëndrim, sipas gjykimit dhe bindjes sime të brendshme, është e vetmja zgjidhje përfundimtare për çështjen, nisur nga ato prova, të cilat Kolegji Penal, me vendimet e ndërmjetme të marra në seancë dhe në dhomën e këshillimit, vlerësoi që t’i pranojë dhe administrojë për t’ia nënshtruar debatit gjyqësor dhe, për rrjedhojë, si provat e vetme për t’i pasur në mbështetje të vendimit përfundimtar”, pohonte gjyqtari Dvorani në mendimin e tij paralel. Pasi parashtronte një sërë argumentesh kundër disa prej vendimeve të ndërmjetme të Kolegjit, gjyqtari Dvorani përmbyllte arsyetimin e tij me: “Kam mendimin që nëse nuk do të deklaronte të pavlefshme disa akte procedurale dhe nuk do të përjashtonte nga shqyrtimi disa prova, të cilat, sipas mendimit tim, ishin respektivisht të vlefshme dhe të nevojshme për objektin e të provuarit, Kolegji Penal do të arrinte të realizonte një hetim gjyqësor më të plotë, për rrjedhojë, do të arrinte të dispononte mbi prova të mjaftueshme dhe jokontradiktore me vendim pushimi, pafajësie apo dënimi ndaj të pandehurit Ilir Meta”.
EKSPERTËT
Duke iu referuar vendimit të ndërmjetëm për rrëzimin e ekspertizës të ekspertit amerikan Glenn Bard dhe ekspertit anglez, Adrian Philips, gjyqtari Dvorani arsyetonte se caktimi i tyre ishte i rregullt dhe aktet e përpiluara prej tyre të pranueshme. “Si gjyqtar në pakicë, në këtë vendim të ndërmjetëm kam mendimin se veprimi për caktimin e ekspertëve të huaj ishte i rregullt dhe aktet e ekspertimit të përpiluara prej tyre ishin të vlefshme dhe të pranueshme. Po kështu, provat që iu nënshtruan këtij ekspertimi dhe provat që u evidentuan si rezultat i ekspertimeve ishin të përdorshme. Ekspertët ishin persona posaçërisht të specializuar dhe me përvojë të gjatë e të spikatur në SHBA dhe Mbretërinë e Bashkuar për informatikën ligjore dhe atë audio-video, zyrtarisht të njohur dhe angazhuar pranë autoriteteve hetimore e gjyqësore të shteteve të tyre. Aktet e ekspertimit plotësonin kërkesat ligjore të pranueshmërisë nga gjykata, ndërkohë që përmbanin veprime të qarta sipas standardeve të ekspertimit informatik e audio-video, si dhe përfundime të qarta e kategorike për t’u vlerësuar e çmuar më pas nga gjykata, në raport me provat e tjera, në funksion të zgjidhjes në themel të çështjes”, shprehej gjyqtari Dvorani. Sipas gjyqtarit, “për natyrën dhe objektin e ekspertimit, shtetasit e huaj Glenn Bard dhe Adrian Philips përmbushnin kriteret tekniko-profesionale për realizimin e ekspertimit. Ata ishin të super kualifikuar për këtë qëllim”. Në arsyetimin e tij paralel, gjyqtari Dvorani shprehte rezerva mbi tre ekspertët e përzgjedhur nga Gjykata për ekspertimin shkencor të videos “Meta-Prifti”. “Dy nga ekspertët i përkisnin fushës së informatikës dhe elektronikës, me përvoja të ndryshme, por gjithsesi modeste në mësimdhënie e pa asnjë specializim dhe përvojë në fushën e informatikës ligjore e në atë të ekspertimit të zhurmave, ndërhyrjeve e të filtrimit audio-video. Eksperti i tretë ishte një person i aktivizuar pranë një zyre private ekspertimesh me një kualifikim afatshkurtër në filtrimin audio dhe me përvojë historike modeste në këtë fushë ekspertimi”, shprehej gjyqtari.
PËRJASHTIMI
Sipas gjyqtarit Dvoranit, eksperti Artur Rrahmani gjendej në kushtet e përjashtimit dhe të heqjes dorë nga ekspertimi. “Zoti Dritan Zoto, i cili ushtron veprimtarinë si studio së bashku me ekspertin Rrahmani, ishte caktuar nga Kolegji si ekspert, por mbi kërkesën e prokurorit, caktimi i tij u revokua nga Kolegji Penal meqenëse kishte shfaqur mendim publikisht mbi natyrën dhe objektin e procedimit në një intervistë të tij të dhënë për një gazetë në datën 20.01.2011, veprim i cili, sipas ligjit, konsiderohet paragjykues për palët në proces. Duke qenë pjesëtarë të së njëjtës studio ekspertimi, kjo duhet të sillte vetvetiu edhe papërshtatshmërinë ligjore të zotit Rrahmani me detyrën e ekspertit”, arsyetonte gjyqtari.
“Të shfaqej videoja”
Gjyqtari Dvorani nuk ishte dakord as me arsyetimin e shumicës në lidhje me vendimin e ndërmjetëm që nuk kishte pranuar dëgjimin dhe shikimin në seancë të videoregjistrimit “Meta-Prifti”, si edhe transkriptimin e bisedës nga gjykata. “Kam mendimin se këto prova e veprime hetimore të kërkuara nga prokurori duhet të ishin pranuar nga gjykata dhe duhet të realizoheshin në seancë gjyqësore duke mundësuar edhe debatimin e palëve rreth tyre”, pohonte gjyqtari. Sipas tij, qëndrimi i shumicës se DVD-ja ku përmbahej programi televiziv “Top Story” nuk përmban gjëra të reja mbi fakte e rrethana të nevojshme për gjykimin, nuk është i argumentuar. “Më shumë sesa për deklarimet e shtetasit Dritan Prifti, i cili u thirr dhe dëshmoi para gjykatës, pranimi i kësaj prove, shikimi, dëgjimi e transkriptimi i saj ishin të nevojshme për të njohur vlerën e fuqinë provuese të deklarimeve eventuale publike të të pandehurit Ilir Meta.
ARMAND BAJRAMI
© Panorama.al











