Pafajësi tutorëve të 20 prostitutave

Jun 29, 2012 | 14:03
Prokuroria e Tiranës

Katër persona të akuzuar për pastrim të parave të fituara nga trafiku i prostitutave në Greqi janë shpallur të pafajshëm nga Gjykata e Tiranës.
Tetë llogari bankare të sekuestruara në emër të tyre me vlera të konsiderueshme financiare janë liruar nga bllokimi me urdhër të Gjykatës. Personat që kanë fituar pafajësinë janë shtetasit Aleksandër Shehu, Sokol Shehu, Can Murataj dhe Fatos Zeka, të katërt të akuzuar për kryerjen e veprës penale të pastrimit të produkteve të veprës penale, kryer në bashkëpunim. Sipas Gjykatës, Prokuroria nuk ka arritur të provojë pastrimin e produkteve të veprës penale. Në vendimin e dhënë nga gjyqtarët Petrit Çomo, Ibrahim Hoxha dhe Alkelina Gazidede, megjithatë sqarohet se katër të pandehurit kanë pasur një histori të pazakontë trafiku në Greqi ku kanë shfrytëzuar si prostituta 20 vajza. Fitimet kanë qenë marramendëse, ndërsa tutorët shqiptarë kanë arritur deri aty sa të blejnë jahte dhe t’i përdorin ato për “takimet” erotike të klientëve që shkonin me vajzat.
Vendimi i Gjykatës
Nga shqyrtimi gjyqësor rezultoi se Aleksandër e Sokol Shehu, të cilët janë vëllezër, prej vitesh jetojnë në qytetin e Athinës, në Greqi. Të dy këta persona dyshohen nga organet kompetente greke se në bashkëpunim edhe me persona të tjerë, kanë kryer veprimtari të kundërligjshme në Greqi. Sipas këtyre dyshimeve, vëllezërit Shehu kishin organizuar dhe drejtuar një organizatë kriminale, e cila kishte në përbërje rreth 20 shoferë dhe 20 prostituta. Kjo organizatë merrej me shfrytëzimin e prostitucionit. Femrat me kombësi joshqiptare, të pandehurit i kontaktonin nëpërmjet një agjencie pune në Rusi. Të pandehurit kishin krijuar një zyrë takimesh, të ashtuquajtura erotike, e cila kishte të publikuar në gazeta të ndryshme greke numrat e telefonit. Klientët komunikonin në këta numra me operatorë të ndryshëm, të cilët punonin për zyrën në ambiente të ndryshme. Operatorët, pasi merrnin adresën e klientit, komunikonin me shoferët e taksive dhe prostitutat, të cilët kishin pikë takimi të përditshme. Një shofer merrte gjithmonë një prostitutë dhe e çonte në vendin e takimit erotik, që në fakt kishte të bënte me kryerje marrëdhëniesh seksuale jashtë dëshirës së femrave dhe ku çmimi për çdo takim erotik ishte rreth 150 euro. Pas mbarimit të takimit shoferi e merrte përsëri prostitutën, e cila merrte shpërblimin e saj 20-30 euro. Shoferi merrte shpërblimin e tij 20-30 euro, ndërsa pjesën tjetër e dorëzonte te një shtetas grek, edhe ky shofer taksie, ose te bashkortaku i të pandehurve Shehu, shtetas grek. Të gjithë këta persona ia dorëzonin fitimet të pandehurit Sokol Shehu. Me këto të ardhura, të pandehurit Shehu kishin krijuar një shoqëri lundrimi, argëtimi. Ata kishin blerë pesë skafe me vela, të cilat i përdornin edhe si vende për takimet erotike. Sipas akuzës, kjo veprimtari ka filluar përpara vitit 2006 e ka vazhduar deri në muajin maj të vitit 2009.
Në lidhje me veprimtarinë e kundërligjshme të të pandehurit Shehu në Greqi, autoritetet e Drejtësisë greke, shërbimet e Policisë, si dhe Prokuroria, kanë kryer hetime që përpara vitit 2006. Nga materiali i ardhur nga autoritetet e Drejtësisë greke, në ekzekutim të letër-porosisë, rezulton se në muajin mars të vitit 2006 në Athinë është vrarë me armë zjarri një shtetas grek, brenda ambienteve të një banese. Në banesë pas vrasjes është gjetur një shtetas tjetër grek, pronari i banesës, i cili kishte qenë me viktimën gjatë gjithë mbrëmjes. Gjatë mbrëmjes pronari i banesës i kishte kërkuar mikut të tij që t’i telefonin një zyre në Athinë, e cila ofronte takime erotike në dukje, por që në realitet ofronte prostituta kundrejt shpërblimit prej 150 euro. Këtë numër kishin përdorur edhe herë të tjera për takime të tjera. Pasi kanë komunikuar me një shtetase greke, i kanë kërkuar dy prostituta për t’i çuar në banesën e tyre. Pas gjysmë ore në banesë kanë ardhur dy prostituta, të cilat nuk janë prezantuar me emra, apo nëse ishin greke apo të huaja. Në banesë, në momentin kur kanë ardhur prostitutat, kanë qenë vetëm pronari i banesës dhe viktima. Pasi kanë konsumuar pije alkoolike dhe kanë kryer marrëdhënie seksuale, njëra nga prostitutat është larguar, ndërsa tjetra, me këmbënguljen e viktimës, ka qëndruar. Viktima, gjatë gjithë mbrëmjes ka qenë i armatosur me një armë zjarri, të cilën e mbante sipas rastit në dorë apo mbi tavolinë, duke luajtur me të. Në një nga këto raste viktima është qëlluar me armë zjarri dhe ka vdekur. Duke u nisur nga numri telefonik celular nga i cili është telefonuar zyra, është bërë i mundur komunikimi me këtë numër nga shërbimet e Policisë greke. Pasi janë porositur dy prostituta nga shërbimet e Policisë, nëpërmjet një procesi të simuluar veprimesh, është bërë shoqërimi për në rajonin e policisë i dy prostitutave, njëra me origjinë rumune dhe tjetra me origjine shqiptare. Krahas me prostitutat janë ndaluar edhe dy shoferë taksie, të cilët shoqëronin dy prostitutat, njëri me origjinë nga Sudani dhe tjetri me origjinë nga Bullgaria. Nisur nga numrat telefonikë celularë, që përdornin shoferët, është arritur që të identifikohej njëra nga të ashtuquajturat operatore të zyrës, një shtetase greke. Nga deklarimi i kësaj shtetaseje ka rezultuar se punën e mësipërme e ka gjetur nga njoftimi në një nga gazetat e njoftimeve. Për këtë zyrë ka punuar që nga janari i vitit 2006. Nga deklarimi është mësuar edhe vendndodhja e zyrës. Ajo kishte disa numra  telefonikë celularë, që ishin numra të njoftimeve në gazeta. Gjithashtu ajo kishte një numër, në të cilin kishte të shënuar disa numra telefonikë celularë të prostitutave dhe të shoferëve. Kur njëri nga klientët merrte te njëri nga numrat dhe linte vendin e takimit, ajo merrte shoferin dhe prostitutën, si dhe i tregonte vendin ku do të shkonte. Kur vajza mbaronte punë, shoferi e merrte në telefon. Paratë për punën që bënte i gjente në zyrë çdo të shtunë ose të diel. Gjatë deklarimit kjo shtetase fillimisht është shprehur se nuk e dinte se kush ishte pronar i zyrës, por nga operatorja tjetër, që ishte me origjinë ruse, kishte marrë dijeni që e kishte emrin Aleksis. Ajo është shprehur se nuk e kishte parë dhe nuk e kishte takuar ndonjëherë këtë person, pasi kjo përbënte metodë sigurie për të vështirësuar përcaktimin e vendndodhjes. Gjatë deklarimit të saj kjo shtetase ka deklaruar në lidhje me numrat telefonikë celularë që janë gjetur të regjistruar në telefonin e saj celular, ku njëri nga numrat përdorej nga personi i identifikuar nga ajo me emrin Aleksis Shehu, shqiptar dhe shoku i saj, si dhe i bashkëshortit të saj. Ajo ka njohur nëpërmjet fotografisë të pandehurin Aleksandër Shehun, si dhe shokun e saj Aleksis Shehu. Në lidhje me ngjarjen e vrasjes ajo ka deklaruar se nuk ka qenë në punë natën e vrasjes, por ka qenë operatorja tjetër me origjinë ruse. Ka qenë kjo shtetase, e cila i ka treguar për emrin e prostitutës, si dhe për natën e vrasjes. Kjo shtetase ka deklaruar se me sa kishte dijeni, pronar i zyrës për të cilën ajo kishte punuar deri në atë moment ishte shtetasi Aleksis Shehu. Për këtë zyrë punonin 8 prostituta dhe 8 shoferë. Të dhënat e mësipërme, sipas akuzës, provojnë faktin se veprimtaria e paligjshme e të paktën të pandehurit Aleksandër Shehut kishte filluar më herët se viti 2006.
Në muajin prill të vitit 2009 shërbimet e policisë të Sektorit Kundër shfrytëzimit të prostitucionit në qytetin e Athinës, në Greqi, kanë pasur informacione që dy vëllezërit shqiptarë, të pandehurit Aleksandër dhe Sokol Shehu, të paktën që prej vitit 2006 ishin drejtues të një organizate, e cila kishte në përbërje rreth 20 shoferë, grekë dhe të huaj, si dhe 20 prostituta, kryesisht të kombësisë së huaj, ruse, ukrainase, rumune dhe shqiptare, si dhe merrej me shfrytëzim të prostitucionit. Femrat me origjinë sllave i kontaktonin nëpërmjet një agjencie pune në Rusi. Mënyra si funksiononte organizata është përshkruar më lart.
Nisur nga këto informacione, nga shërbimet e policisë greke, në fillim të muajit prill të vitit 2009, janë organizuar vëzhgimet e lokalit, si dhe të personave ku mendohej që ushtrohej veprimtaria kriminale. Vëzhgimi fillonte gjithmonë nga një lokal ku janë mbajtur të dhënat në lidhje me automjetet, personat shoferë që drejtonin këto automjete, si dhe femrat që hipnin në këto mjete. Vëzhgimi vazhdonte duke ndjekur mjetet dhe kthimin e tyre në lokalin ku kishte filluar vëzhgimi. Nga veprimet hetimore të kryera në Greqi, rezultoi se janë vënë re disa raste kur shoferët dorëzonin para tek një shofer, shtetas grek, i cili më vonë ia dorëzonte të pandehurit Sokol Shehu. Nga vëzhgimi janë identifikuar disa nga shoferët që kanë qenë me kombësi shqiptare, greke, rumune.
Nga shërbimet e Policisë Gjyqësore, më datë 19.05.2009 janë organizuar në dy raste takime erotike të kontrolluara, ku klientë kanë qenë dy oficerë policie të sektorit të sipërpërmendur. Kështu është komunikuar me telefon celular në njërin nga numrat e publikuar në gazetë dhe është lënë takimi në një hotel. Në dhomën e hotelit janë paraqitur dy prostitutat, të cilat kanë thënë se vinin nga zyra dhe kërkonin një shumë prej 150 euro paradhënie. Në këto momente është bërë ndalimi i prostitutave, njëra me kombësi ruse dhe tjetra me kombësi shqiptare, si dhe i dy shoferëve me kombësi shqiptare. Pas ndalimit të personave të mësipërm është bërë ndalimi i shoferëve të tjerë, së bashku me disa femra. Nga deklarimi i 2 prostitutave rezultoi se kanë dëgjuar nga shoferët se pronari i zyrës ishte një person me emrin Alekos.
Nga materiali hetimor rezultoi të jenë ndaluar 11 shoferë taksie, ndër ta katër shtetas shqiptarë, një rumun dhe të tjerët me kombësi greke. Nga materiali hetimor, gjithashtu rezultoi të jenë identifikuar 5 prostituta, dy nga të cilat u referohen deklarimeve të shofereve për emrin Alekos si pronar i zyrës. Ndër 5 prostitutat, vetëm 2 janë akuzuar për veprën penale të parashikuar nga Kodi Penal grek, të ngjashme me veprën penale ushtrimi i prostitucionit.
Nga materiali hetimor rezulton të jenë ndaluar dy bashkë-ortakët e të pandehurve Shehu, si dhe një shofer grek. Ata  akuzohen për shfrytëzim të prostitucionit ndaj 37 femrave, kryesisht me origjinë dhe kombësi të ish-republikave sovjetike. Në ngarkim të të pandehurve të mësipërm është ngritur edhe akuza e pastrimit të parave nëpërmjet krijimit të shoqërive, si dhe blerjes së skafeve. Nga materiali hetimor rezulton se i pandehuri Sokol Shehu rreth viteve 2006-2007 ka blerë tre skafe, për një vlerë prej 1 000 000 eurosh.

Pronat e liruara nga sekuestro
Sipërfaqe toke prej 1500 metrash katrorë, ndërtesë me sipërfaqe prej 150 metrash katrorë në fshatin Muçaj, Vorë, Tiranë.
Sipërfaqe toke prej 2600 metrash katrorë në fshatin Muçaj, Vorë, Tiranë
Llogari bankare 11980 euro, transfertë 50 mijë euro
Llogari në shumen prej 100 000 eurosh
Depozitë prej 200 000 eurosh
Depozitë me afat 533 000 euro
Llogari bankare 500 000 euro
Llogari bankare 500 000 euro

© Panorama.al

Te lidhura