Gjykata e Tiranës deklaroi të pafajshëm ish-kreun e Agjencisë së Pronave, avokatët, juristët e topografët.
Tjetërsimi i 48 Ha në “Plazhin e Gjeneralit”, gjyqi që në 2009
Gjykata e Tiranës deklaroi të pafajshëm shtatë persona të akuzuar për tjetërsimin e mijëra metrave katrorë truall në “Plazhin e Gjeneralit”, mes të cilëve edhe ish-kreun e AKKP-së, Tunxh Vatnikaj.
Vendimi u shpall dje, pas nëntëdhjetë e pesë seancash shqyrtimi gjyqësor. Sipas vendimit, gjykata i vlerësoi si të pabaza dhe të paprovuara akuzat e ngritura ndaj shtatë të pandehurve. Në seancën e djeshme u lexua vetëm dispozitivi i vendimit. Duke thënë togfjalëshin “deklarohet i pafajshëm”, drejtuesi i seancës radhiti të gjithë të pandehurit: Alban Xhillari, Ali Aliaj, Alma Shehu, Fatos Gj., Gjergji Hyso, Petrit Kullolli dhe Tunxh Vatnikaj. Referuar kërkesës për gjykim të Prokurorisë, të pandehurit e kësaj dosjeje, një pjesë e të cilëve zyrtarë të AKKP-së, akuzoheshin se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë tentuar të tjetërsojnë pronësinë dhe të zhvendosin një sipërfaqe të konsiderueshme toke pranë “Plazhit të Gjeneralit” në Kavajë. Sipas organit të akuzës, “pazaret” janë bërë me sipërfaqe trualli në pronësi të familjes Shijaku. Sipas një marrëveshjeje mes familjes Shijaku dhe të pandehurit Xhillari, ky i fundit mund të blinte truall në pronësi të familjes, nëse ai i ndihmonte ata për kthimin e pronave nga AKKP-ja. Pas disa kohësh, një pjesëtar i familjes Shijaku mësoi se prona e tyre, nga fshati Bago do të “udhëtonte” në fshatin Bardhore. Sipas Prokurorisë, nga kreu i Hipotekës Kavajë, F.Gj., janë falsifikuar faqe të regjistrit origjinal hipotekor të viteve 1933-’35, ku është spostuar sipërfaqja. Përfshirja e ish-kreut të AKKP-së, Vatnikaj, qëndron në faktin që ai ka pasur dijeni për veprimet e jashtëligjshme, pasi për Prokurorinë rezulton se Vatnikaj disa herë ka kërkuar informacion për ecurinë e kësaj dosjeje. Hetimet nisën pas informacionit të marrë nga Njësia Task-Force Antikorrupsion në Prokurorinë e Tiranës.
PRETENCA
Në fazën e paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare të akuzës, përfaqësuesi i Prokurorisë në proces kërkoi deklarimin e fajshëm të të gjithë të pandehurve dhe dënimin e tyre me burg dhe gjobë. Për të akuzuarin Alban Xhillari, Prokuroria kërkoi pushimin e çështjes për “mashtrim” ndaj tij. Për akuzën e “falsifikimit të dokumenteve”, akuza kërkoi deklarimin fajtor të të pandehurit Xhillari dhe dënimin e tij me 12 muaj burg dhe 2 milionë lekë gjobë. Ndaj të pandehurit Fatos Gj., organi i akuzës kërkoi dënim me 18 muaj burg dhe 1.5 milionë lekë gjobë për “falsifikim”. Pushim i çështjes për akuzën e “mashtrimit”, u kërkua nga përfaqësuesi i akuzës edhe për të pandehurin Gjergj Hyso. Për të, Prokuroria kërkoi dënim me 12 muaj burg dhe 1.5 milionë lekë gjobë, për akuzën e “falsifikimit”. Ndaj të pandehurit Petrit Kullolli Prokuroria kërkoi 18 muaj burg dhe 1 milion lekë gjobë, për akuzën e “falsifikimit” dhe “shpërdorimit të detyrës”. Për të pandehurin Ali Aliaj Prokuroria kërkoi 18 muaj burg dhe 1 milion lekë gjobë, për akuzën e “falsifikimit” dhe të “shpërdorimit të detyrës”. E njëjta masë dënimi u kërkua edhe për të pandehurën Alma Shehu, po për të njëjtat akuza. Ndaj saj, Prokuroria kërkoi pezullimin e vendimit me burg, duke e lënë në provë për një periudhë 2-vjeçare. Ndërsa për të pandehurin Tunxh Vatnikaj, organi i akuzës kërkoi dënimin e tij me 12 muaj burg dhe 1.5 milionë lekë gjobë, për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”. ar.ba
© Panorama.alVendimi i gjykatës
Alban Xhillari “i pafajshëm”
Fatos Gj. “i pafajshëm”
Gjergj Hyso “i pafajshëm”
Ali Aliaj “i pafajshëm”
Alma Shehu “e pafajshme”
Petrit Kullolli “i pafajshëm”
Tunxh Vatnikaj “i pafajshëm”











