Paditë për Gërdecin, caktohen gjyqtarët

Jun 1, 2011 | 9:29

TIRANE – Gjykata e Lartë ka përzgjedhur dje Kolegjet Penale që do të shqyrtojnë dy kërkesa, në lidhje me të dëmtuar nga shpërthimi i 15 marsit 2008, në Gërdec. Bëhet fjalë për një kërkesë të disa të plagosurve nga shpërthimi, të cilët akuzojnë ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu, për “plagosje nga pakujdesia” dhe kërkojnë shpërblim dëmi. Kërkesa tjetër është depozituar nga Shoqata e Familjarëve të Viktimave të Gërdecit, në lidhje me informimin e tyre mbi ecurinë e veprimtarisë së Prokurorisë së Përgjithshme, pas pretendimeve të tyre për nisjen e procedimit penal ndaj ish-ministrit Mediu. Lajmi u konfirmua nga Shefja e Marrëdhënieve me Publikun e Median në Gjykatën e Lartë, Ida Vodica. “Në Gjykatën e Lartë u zhvillua hedhja e shortit për caktimin e trupës së gjyqtarëve që do të gjykojnë çështjen e regjistruar në Gjykatën e Lartë, në ngarkim të të akuzuarit Fatmir Mediu etj., akuzues Pashk Koçi etj., me objekt ‘Shpërblim dëmi pasuror dhe jo-pasuror’ dhe akuzë penale ‘plagosje e rëndë nga pakujdesia'”, njoftoi zyrtarisht Gjykata e Lartë. U bë e ditur se në Kolegjin Penal që do të shqyrtojë këtë kërkesë, është gjyqtari Fatos Lulo, ndërsa anëtarë të Kolegjit do të jenë gjyqtarët Ardian Nuni, Mirela Fana, Gani Dizdari dhe Aleksandër Muskaj. Po dje është përzgjedhur Kolegji që do të shqyrtojë kërkesën e Shoqatës së Familjarëve të viktimave të shpërthimit të Gërdecit, me objekt “Dhënie informacioni dhe procedimi i fajtorit”. Kjo kërkesë do të shqyrtohet nga një Kolegj Penal, ku relator është gjyqtari Medi Bici dhe anëtarë, gjyqtarët Ardian Nuni, Mirela Fana, Fatos Lulo dhe Evelina Qirjako.        ar.ba

© Panorama.al

Te lidhura