Padia e të përndjekurve: Fondet tona janë vjedhur

Feb 2, 2012 | 12:10

Nga protestat e ish-te perndjekurve

TIRANE/ Policia nis hetimet për zyrën e Ministrisë së Financave

Seksioni i Antikorrupsionit në Policinë e Tiranës ka filluar procedim penal ndaj zyrtarëve të Ministrisë së Financave pas një padie prej ish-të përndjekurve politikë. Punonjësit e Ministrisë së Financave dyshohet se kanë abuzuar me fondet e dëmshpërblimeve për ish-të përndjekurit politikë. Burime të rezervuara nga Policia thanë se hetimet kanë nisur pas kallëzimeve që kanë kryer disa prej anëtarëve të një prej shoqatave të ish-të përndjekurve, të cilët, përveç zvarritjes së procesit të dëmshpërblimin, pretendojnë se paratë që u përkasin atyre janë përdorur për të tjera investime. Në denoncim të përndjekurit nuk përjashtojnë mundësinë e ndonjë korrupsioni të kryer nga zyrtarët që kanë për detyrë përllogaritjen e shumës së dëmshpërblimeve. Më konkretisht, ata kanë akuzuar në polici punonjësit e administratës së zyrës së Financës së Dëmshpërblimit të ish-të përndjekurve politikë pranë Ministrisë së Financave. Pa pasur ende një akuzë konkrete, nisur nga pretendimet e personave që kanë depozituar kallëzimet e tyre në polici, ndaj zyrtarëve ka nisur procedim penal për “shpërdorim detyre”. Burime nga Policia nuk dhanë më shumë detaje rreth hetimeve për shkak të sekretit hetimor, por dyshohet se punonjësit e administratës kanë abuzuar me fondet e dëmshpërblimeve të të dënuarve politikë të regjimit komunist. Sipas shoqatave të të përndjekurve politikë, përllogariten rreth 12 mijë ish-të përndjekur që duhet të dëmshpërblehen. Ndërsa deri tani vetëm 5 mijë prej tyre kanë arritur të marrin këstin e parë të dëmshpërblimit, që arrin maksimalisht deri në 600 mijë lekë.
PRETENDIMET E SHOQATES
Sipas kreut të njërës prej shoqatave të të përndjekurve politikë, Kurt Kola, aktualisht numërohen mbi 7500 të përndjekur, të cilët nuk i kanë marrë paratë që janë parashikuar për ta nga fondi i dëmshpërblimeve. Sipas tij, ata nuk kanë marrë as këstin e parë të dëmshpërblimit dhe për këtë arsye nuk mund të përllogaritet saktë shuma që Ministria e Financës u detyrohet ish-të përndjekurve. “Abuzimi i zyrtarëve që kanë për detyrë të llogarisin dëmshpërblimin për secilin prej ish-të përndjekurve fillon që nga zvarritja e procesit, ndryshimi i procedurave të dëmshpërblimeve, nga një herë në tetë vjet, një herë në katër vjet e deri te përdorja e fondit për ndonjë tjetër investim”, u shpreh dje Kurt Kola për gazetën “Panorama”. Sipas tij, edhe vendimi më i fundit që është marrë nga qeveria për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve, sipas të cilit të parët që do të marrin paratë do të jetë ata me moshë mbi 85 vjeç, është i padrejtë. “Kjo është absurde, pasi nga të gjithë ish-të përndjekurit, mund të jenë fare pak në numër ata që mund të plotësojnë kriterin e moshës së përcaktuar në këtë vendim”, shprehet Kola. Megjithatë, në lidhje me procedimin penal të nisur nga policia, Kurt Kola nuk preferon ta komentojë, pasi nuk ka ende dijeni se për çfarë akuze konkrete ka nisur hetimi ndaj zyrtarëve të Ministrisë së Financave.

7500 TE PERNDJEKUR
politikë ende nuk janë dëmshpërblyer për vitet e burgut apo internimit gjatë regjimit komunist. Ata ende nuk kanë marrë as këstin e parë që parashikohet nga fondi i dëmshpërblimeve, i cili është akorduar nga Ministria e Financave.

ETLEVA DELIA

© Panorama.al

Te lidhura