Padia e PS, Kolegji Zgjedhor zbardh vendimin

Jun 16, 2011 | 23:20

Kolegji Zgjedhor ka protokolluar tashmë vendimin e marrë mesnatën e ditës së hënë, ku kërkoi hapjen e 368 qendra të pahapura në Tiranë.

Vendimi numër 711 i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që shpalli rezultatin e ndryshuar për Tiranën është në rrjedhojë e veprimeve në kundërshtim me ligjin, pasi ky vendim nuk pasqyron rezultatin e zonës zgjedhore Tiranë.

Vendimet numër 710 të datës 23 maj dhe 711 po të kësaj date janë në kundërshtim me ligjin dhe me faktin se në të dyja rastet, KQZ-ja ka realizuar një procedurë të ndryshimit të tabelave të rezultateve me një vendimmarrje që vjen në kundërshtim me procedurën e parashikuar nga neni 123 i Kodit Zgjedhor.

Më tej Kolegji arsyeton se, KQZ ka shkelur parimin për vlerësim e barabartë të votës në ruajtjen e një standarti në hetimin administrativ, pasqyrimin e vullnetit të cdo zgjedhësi që shprehet me votën e tij. Fletët e hedhura gabim deri më datë 14 maj, moment kur përfundoi numërimi i votave për kryetar të Bashkisë Tiranë, janë konsideruar nga numëruesit e subjekteve zgjedhore palë në proces, si të pavlefshme e pas kësaj date janë konsideruar si të kontenstuara.

Ka mungesë të shënimeve në librat e protokollit të 11 KZAZ-ve të Bashkisë së Tiranës për fletët e hedhura gabim në kutitë e gabuara deri në datë 14 maj.

Kolegji ccmon se statusi i këtyre fletëve të cilat nuk janë të kontestuara më parë, pasi me konsensus janë trajtuar si të pavlefshme të konsiderohen si fletë të kontestuara të panumëruara më parë.

KQZ të hapë, të rinumërojë dhe të rivlerësojë votat e kontestuara në kutitë e pahapura për Bashkinë e Tiranës në 368 QV për kryetarin e Bashkisë Tiranë, këshillin e bashkisë Tirane, kryetarin e njësisë bashkiake dhe këshillin e njësisë bashkiake për votat që nuk janë hedhur në kutinë respektive të së njëjtës qendër votimi dhe mbi bazën e tyre të shpallet tabela përmbledhëse e rezultateve, thuhet ne vendimin 21 faqesh te Kolegjit Zgjedhor.

 

© Panorama.al

Te lidhura