TIRANË- Kolegji Zgjedhor ka përcaktuar me short trupën e gjyqtarëve që do të shqyrtojnë padinë më të fundit të Partisë Socialiste.
Në shortin e hedhur sot është përcaktuar relatore e çështjes, Dhurata Haveri. Seanca do të zhvillohet më datën 13 qershor, në orën 10.00.
Pjese e trupit gjykes janë Sashenka Jonuzi, Astrit Jalaja, Marie Qirjazi dhe Neriban Mullai.
Padia
Socialistët depozituan dje pasdite në Kolegjin Zgjedhor padinë e tretë të tyre për rezultatin e Bashkisë së Tiranës. Padia e tretë e socialistëve kërkon rrëzimin si të pavlefshëm të Vendimit Nr. 710 të KQZ-së, që ka të bëjë me rezultatin e Njësisë Bashkiake Nr. 5 dhe të Vendimit Nr. 711, i cili shpall kandidatin demokrat Lulzim Basha fitues të Bashkisë së Tiranës me 81 vota më shumë se Edi Rama. Një tjetër pikë e padisë ankimore në Kolegj është dhe pavlefshmëria e vendimmarrjes së KQZ-së që prishi shifrat e tabelave të ardhura nga grupet e numërimit të votave dhe kërkohet miratimi i tabelave ashtu siç kanë mbërritur në KQZ nga GNV-të dhe KZAZtë. Këto kërkesa do të bëjnë të mundur, sipas PS-së, pavlefshmërinë e votave për kryetarin e Bashkisë, të hedhura gabim në kutitë e tjera, por dhe rakordimin e tabelave të rezultateve ku në disa qendra votimi numri i votave është më i madh se numri i votuesve. Kolegji Zgjedhor ka tani 10 ditë kohë për ta shqyrtuar dhe dhënë vendimin për këtë kërkesë.
© Panorama.al











